Ndërlidhjet

Pritet fillimi i zbatimit të decentralizimit


Qeveria e Republikës së Kosovës
Qeveria e Republikës së Kosovës

Zyrtarë qeveritarë thonë se janë kryer të gjitha përgatitjet për fillimin e procesit të zbatimit të decentralizimit. Sipas tyre, Qeveria e Kosovës ende s'ka ndarë buxhet për këtë vit për krijimin e komunave me shumicë serbe.


Sekretari permanent i Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Besnik Osmani, thotë se janë në përfundim të të gjitha përgatitjeve të nevojshme për fillimin e procesit të zbatimit të decentralizimit.

"Kemi kryer edhe pjesën bazike të legjislacionit; tri ligjet e domosdoshme për vetëqeverisjen lokale, për kufijtë administrativë të komunave dhe emrat e tyre dhe ligji për financat lokale tashmë kanë kaluar në Kuvendin e Kosovës dhe janë aprovuar. Do të presim zbatimin e tyre. Kemi bërë edhe koston financiare të komunave të reja për vitin 2008 dhe për vitin 2009", tha Osmani.

Ai ka shtuar se për vitin e parë të krijimit të pesë komunave dhe një njësie komunale është llogaritur kostoja prej 7 milionë e 100 mijë eurosh. Sipas zotit Osmani, në këtë shumë të parave nuk do të përfshihen projektet për investimet e mëdha.

Nga ana tjetër, eksperti për decentralizim dhe qeverisje, Arben Gashi, thotë se me miratimin e ligjeve për decentralizim, ka filluar të zbatohet ky proces. Ai shton se ndarja faktike dhe riorganizimi territorial, janë çështje politike.

"Në aspektin real, ne kemi tendenca tashmë të fillimit të procesit të decentralizimit, me dhënien e disa kompetencave shtesë komunave, me riorganizimin e ri brenda administratave komunale dhe me tendencën e hartimit të ligjit për Prishtinën, i cili do të jetë një ligj për kryeqytetin, që është po ashtu pjesë e procesit të decentralizimit. Sa i përket procesit të decentralizimit në aspektin politik, për të cilin është folur shumë dhe i cili ka qenë i bazuar kryesisht në bazë etnike, ajo është një problematikë e veçantë, sepse dihet se duhet të ketë një qasje pozitive nga grupi etnik serb, që të ketë një implementim të saktë të tij", tha Gashi.

Zoti Gashi shpreson se me kalimin e kohës do të rregullohen raportet e brendshme ndëretnike në Kosovë dhe, sipas tij, decentralizimi në Kosovë do të ndodhë atëherë kur nivelet lokale mund të përballojnë vetë funksionimin e tyre.

"Decentralizim do të kemi atëherë kur të krijohen kapacitete që në nivel lokal të ketë vetefikasitet ekonomik, që do të thotë të krijohen kapacitete dhe mundësi në nivel lokal, që të gjenerojnë të ardhura dhe në bazë të këtyre të të ardhurave, të gjenerojnë mirëqenie sociale, mirëqenie ekonomike dhe në bazë të këtyre pastaj të kemi një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe një zvillim lokal të qëndrueshëm", tha Gashi.

Qeveria e Republikës së Kosovës ende nuk ka ndarë buxhet për këtë vit për krijimin e komunave me shumicë serbe. Kjo konfirmohet nga vetë sekretari permanent i Ministrisë së Pushtetit Lokal, Besnik Osmani.

"Ky është realiteti. Janë tabelat që janë treguar tashmë edhe para publikut, që kanë të bëjnë me ligjin vjetor të buxhetit për vitin 2008. Ky ligj nuk e ka ngërthyer në vete koston e statusit të Kosovës, pjesë e të cilit është edhe procesi i decentralizimit", tha Osmani.

Komisioni evropian në kuadër të projekteve të tij për vitin 2007-2010 ka ndarë 12.4 milionë euro për krijimin e pesë komunave të reja dhe një njësie komunale. Sipas pakos së Ahtisaarit, parashihet të krijohen gjashtë komuna të reja apo komuna me kompetenca shtesë me shumicë serbe të Kosovës dhe ato të jenë në Mitrovicën veriore, Graçanicë, Ranillukë, Bardesh, Kllokot, Verboc dhe Novobërdë.
XS
SM
MD
LG