Ndërlidhjet

Papa kërkon paqe në mbarë botën


Papa Benedikti XVI

Papa Benedikti XVI

Mijëra besimtarë katolikë janë mbledhur sot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për ta dëgjuar Meshën e Pashkëve të Papës Benedikti i 16-të. Ai bëri ftesë për gjetjen e zgjidhjes për paqe në Lindjen e Mesme, në Afrikë dhe në Tibet. Sikur në mbarë botën, Pashkët u festuan edhe në Kosovë dhe në Shqipëri.


Gjatë Meshës së Pashkëve, të mbajtur sot në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, Papa Benedikti i 16-të e kundërshtoi padrejtësinë, urrejtjen dhe dhunën.

"Si mund të dështojmë t'i mbajmë mend rajonet e caktuara në Afrikë, siç janë Darfuri dhe Somalia, vuajtjet në Lindjen e Mesme, e veçanërisht në Tokën e Shenjtë, pastaj Irakun, Libanin dhe përfundimisht Tibetin. Unë ju inkurajoj që për të gjitha këto, të synohen zgjidhje që do ta ruanin paqen dhe të mirat e përbashkëta", tha Papa.

Në Irak, të krishterët iu lutën Zotit që ky të jetë viti i fundit i dhunës në këtë vend.

Gjatë një meshe në një Kishë në Bagdadin qendror, prifti Thaer al-Sheikh tha:

"Në këtë festë, ne lutemi për unitet të Irakut dhe për mbizotërimin e paqes në Irak. Përkundër tragjedive tona aktuale dhe pikëllimit për humbjen e njerëzve tanë, që ishin shtylla të kësaj kishe, ne themi se vullneti i Zotit do të mbizotërojë", tha ky prift.

Nga dhuna, shumë të krishterë janë larguar nga Iraku dhe tash kryesisht jetojnë në Siri dhe Jordani. Raportohet se të krishterët përbëjnë 3 për qind të popullatës së Irakut.

Pashkët u festuan edhe në Kosovë dhe në Shqipëri. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës u kanë uruar besimtarëve katolikë festën e Pashkëve, me dëshira që në Kosovë të mbizotërojë paqja dhe stabiliteti.

"Këto janë Pashkët e para në Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës, e njohur nga ana e shumë vendeve mike", thuhet në urimin e presidentit Fatmir Sejdiu, në të cilin më tej shtohet se këto Pashkë në Kosovë zgjojnë "shumë shpresa për një të ardhme më të mirë të të gjithë qytetarëve të saj".

Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur dëshirën që në të gjitha familjet e besimtarëve katolikë, kjo festë të kremtohet në paqe dhe njëkohësisht ka theksuar faktin se kjo festë për herë të parë festohet në Kosovën e pavarur.

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, në urimin e tij për besimtarët katolikë, pos tjerash, tha se "në festën e ringjalljes nuk mund të mos jem pranë çdo besimtari, pranë çdo familjeje që feston në gëzim".
XS
SM
MD
LG