Ndërlidhjet

logo-print

"Përvjetori i kthesës për pavarësi"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EXPRESS
Saktësisht dhjetë ditë pasi udhëheqësit shqiptarë kishin lexuar Deklaratën e Pavarësisë, duke përmbushur aspiratat shumëvjeçare për shtetësinë, Veton Surroi kishte thënë një fjali, në stilin e tij të një shkrimtari, që sot tingëllon e saktë, tek po fliste në një konferencë në Bukuresht. "Ura e Mitrovicës po bëhet vija e re ndarëse mes Perëndimit dhe Rusisë". Dhe, Ibri sjell sot pamje që i ngjan një skene gladiatorësh, ku Perëndimi po rroket me Serbinë e mbështetur nga Rusia. I pari synon procedimin me implementimin e propozimit të Martti Ahtisaarit, por Serbia është duke shtyrë një opsion krejt tjetër - ndarjen mes shqiptarëve dhe serbëve. Gjërat morën formë në fillim të javës së kaluar, kur zëvendësshefi i UNMIK-ut, Larry Rossin, urdhëroi një operacion në veri të Mitrovicës, për t'i dhënë fund uzurpimit të Gjykatës së Qarkut. Operacioni ishte një reagim i fuqishëm ndaj përpjekjeve të Serbisë për të krijuar ndarje faktike dhe pati implikime të ndjeshme të sigurisë. Jo më të vogla dolën pasojat politike. UNMIK-u shfaqi dallimet serioze të brendshme në lidhje me reaksionin, ndërsa Serbia doli hapur me propozimin për ndarje...

LAJM
Shtyrja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia po i kontribuon ftohjes së marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Shkupi zyrtar, i cili zotohet se qëndron në një linjë me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, ende nuk po e njeh pavarësinë e shtetit fqinj - Kosovës, duke vënë si kusht demarkacionin e kufirit paraprakisht. Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës, tha se Maqedonia duhet të ngutet ta njohë Kosovën para se të prishen marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve fqinje. "Uroj që njohja të ndodhë para se të prishen raportet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, sepse kemi shumë punë të përbashkëta", tha Kuçi per Lajm...

INFOPRESS
Është rrumbullakësuar një javë nga përpjekja e fundit e serbëve të veriut të Mitrovicës për ndarjen e kësaj pjese nga territori i Kosovës së pavarur dhe të njohur nga me shumë se 30 shtete të fuqishme në globin botëror. Përpjekjet e bandave serbe për të vënë kontroll mbi këtë pjesë të Kosovës kanë dështuar, ndërkaq kanë lënë pas vetes jetëra të humbura dhe shumë të plagosur. Strukturat paralele serbe, të nxitura nga Beogradi zyrtar, vazhdojnë të shohin ëndrrën e para vitit 1999 për një Kosovë brenda Serbisë, përderisa realiteti i ri u krijua që me luftën e lavdishme të UÇK-së dhe bombardimin nga ana e Aleancës Veri-atlantike. Kosova, e cila falë luftës së drejtë të UÇK-së, nëntë vjet më parë u bë aleate e forcave të NATO-s, sot po merr formën e një shteti që prodhon siguri edhe për shtetet përreth...

BOTA SOT
"Çështja e menaxhimit të QKUK-së është çështje me të cilën jam duke u marrë këto ditë, për shkak të vështirësive në financim, për sigurim të medikamenteve, pajisjeve, por mbi të gjitha të edukimit permanent të mjekëve", tha ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi. Ai, këto komente i bëri të dielën gjatë vizitës që i ka bërë Klinikës së Kirurgjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku, siç vlerësoi ai, QKUK-ja dhe në veçanti kirurgjia ka ekspertë të jashtëzakonshëm, që punojnë me shumë përkushtim. Sipas tij, një pjesë e standardit të mjekësisë ka rënë, siç është edhe lista esenciale që ka rënë deri në 30 për qind...

KOSOVA SOT
Akti më i lartë i vendit do të pësojë ndryshime në përmbajtje, por jo edhe në çështjet që prekin pakon e Ahtisaarit. Një nga vërejtjet që u bë gjatë debateve, mospërmendja e fjalës "shqiptar", duket se do të merret parasysh. Sipas kryetarit të Komisionit Kushtetues, Kushtetuta e Kosovës do të miratohet me procedurë të veçantë, në fillim të muajit të ardhshëm. Procedimi për në Kuvend i ligjit më të lartë të vendit ka marrë dritë jeshile nga komisioni, pas një debati të gjerë me qytetarët. Në kushtetutë është përfshirë edhe termi shqiptar, i cili më herët ka munguar. Të gjitha rekomandimet apo vërejtjet e qytetarëve janë marrë parasysh nga komisioni, kështu që akti më i lartë i vendit do të pësojë ndryshime në përmbajtje, por jo edhe në çështjet që prekin pakon e Ahtisaarit...

ZËRI
"Sikur ne sot, së bashku me aleatët (NATO) tanë, ta lëmë që kjo luftë e padrejtë të vazhdojë, atëherë presidenti Millosheviq do të inkurajohet nga hezitimi ynë, duke e quajtur luftën e tij si një drejtesi, duke vrarë njerëzit në Kosovë. Kështu që atij ne i lëmë dorë të lirë për të bërë më shumë masakra dhe më shumë shpërngulje me forcë të qindra-mijëra refugjatëve, të cilët presin vetëm mbrojtjen tonë", kishte thënë para kombit amerikan, në pasditen e 24 marsit 1999, presidenti Bill Klinton, derisa NATO-ja kishte nisur fushatën e bombardimeve mbi Serbinë. Nëntë vjet pas, shqiptarët e Kosovës nuk kanë si të mos i kujtojnë as fjalët e Presidentit Klinton e as burrështetasve të tjerë evropianë, të cilët politikisht dhe ushtarakisht u vunë në mbrojtje të popullit të Kosovës, të molisur nga dhuna, vrasjet e dëbimet dhe në aleancë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila, ndonëse e pabarabartë me ushtrinë dhe policinë serbe, po shpenzonte fuqinë e fundit në mbrojtje të popullatës kosovare...

KOHA DITORE
Richard Holbrooke ishte kthyer duarthatë nga takimi dyditor me Slobodan Milosheviqin. "Situata është më e acaruar se asnjëherë më parë që kur i filluam përpjekjet paqësore, katër vjet më parë", pati thënë emisari amerikan, të martën, më 23 mars 1999, duke bërë të ditur se Milosheviqi e kishte humbur rastin e fundit që t'i evitonte bombardimet e NATO-s. Diplomacia mori fund. "Fajësoni Milosheviqin", u tha kryetari amerikan serbëve, dhe çështja kaloi në duart e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana. Spanjolli nuk u hamend dhe qysh në mbrëmjen e së njëjtës ditë, e autorizoi komandantin e Aleancës Veri-atlantike, Wesley Clark, që t'i niste sulmet ajrore kundër caqeve serbe. Bombat e para mbi Serbinë ranë më 24 mars, duke qëlluar më se 40 caqe vitale të ushtrisë jugosllave. "Aksionet tona janë të drejtuara kundër politikave represive të Qeverisë Jugosllave, e cila është duke refuzuar që t'i respektojë normat e qytetëruara të sjelljes në Evropën e fund-shekullit të 20-të. Përgjegjësia për krizën aktuale peshon mbi Milosheviqin", pati thënë Solana, një ditë pas fillimit të bombardimeve, që do të zgjasnin 11 javë. Ato 78 ditë, nga shqiptarët e Kosovës, do të quheshin "Ditët e shpresës"...






XS
SM
MD
LG