Ndërlidhjet

Një javë pas trazirave të dhunshme në Mitrovicë, gjatë të cilave u vra një polic i Kombeve të Bashkuara dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, qytetarët serbë i kanë rifilluar sot protestat para ndërtesës së Gjykatës së Qarkut dhe asaj Komunale në veri të qytetit.


Njëri nga organizatorët e protestës së sotme, ish-prokurori publik, Milan Bigoviq, ka thënë se protestat do të mbahen për çdo ditë.

"Kemi arritur marrëveshjen midis nesh që të vazhdojmë me këto protesta deri në përmbushjen e kërkesave tona, për t'u rikthyer në vendet tona të punës", ka thënë Bigoviq.

Protestuesit serbë e patën okupuar ndërtesën e gjykatës në Mitrovicë më 14 mars, duke shfrytëzuar gjashtë makina ambulance për të shpërthyer kordonin e forcave ndërkombëtare. Tre ditë më vonë, më 17 mars, policia e Kombeve të Bashkuara dhe paqeruajtësit ndërkombëtarë ndërmorrën një operacion të përbashkët, duke rikthyer kontrollin mbi gjykatën. Në shenjë zemërimi, protestuesit serbë filluan të sulmojnë forcat ndërkombëtare të sigurisë me koktej molotovi, granata dore e madje edhe me armë zjarri, duke lënë të vdekur një polic ndërkombëtar dhe të plagosur dhjetëra të tjerë.

Misioni i Kombeve të Bashkuara tashmë ka njoftuar se kanë filluar hetimet për të zbuluar përgjegjësit e akteve të dhunshme të 17 marsit. Megjithatë, nga ky mision, gjithashtu është bërë e ditur se bisedimet midis administratës ndërkombëtare dhe ish-punonjësve serbë në Gjykatën e Qarkut dhe atë Komunale do të fillojnë.

Georgy Kakuk, zëdhënës i administratës ndërkombëtare në Mitrovicë, shpjegon:

"UNMIK-u është i gatshëm t'i dëgjojë shqetësimet e punonjësve të gjykatës, të cilët e patën okupuar ndërtesën, por nuk mund ta konfirmoj se kur saktësisht do të zhvillohen këto bisedime", ka thënë zoti Kakuk.

Autoritetet ndërkombëtare të rendit patën thënë se dhuna në Mitrovicë ka qenë e orkestruar dhe në të kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Ndryshe, ndërtesën e gjykatës në Mitrovicë ende janë duke e ruajtur pjesëtarët italianë dhe spanjollë të KFOR-it, të cilët që prej të hënës së javës së kaluar nuk janë larguar prej andej. Autoritetet e rendit, ndërkaq, njoftojnë se pas protestës së sotme, situata e përgjithshme e sigurisë në rajonin e Mitrovicës është e qetë dhe nën kontrollin e forcave të sigurisë.

  • 16x9 Image

    Arbana Vidishiqi

    Arbana Vidishiqi është Drejtore e Shërbimit për Ballkanin në Radion Evropa e Lirë. Me gazetari merret që prej vitit 1997, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 1999. Është e martuar dhe ka një fëmijë.

XS
SM
MD
LG