Ndërlidhjet

Në Kosovë, tuberkulozi - nën kontroll


Në Kosovë, brenda një viti, preken afër 1000 persona nga sëmundja e tuberkulozit, thonë zyrtarë që merren me diagnostifikimin e këtij virusi, në Ditën Botërore kundër Tuberkulozit.

Pneumofiziologia Rukije Mehmeti, njëherësh menaxhere kombëtare për tuberkuloz në Kosovë, thotë se 44 persona në 100 mijë banorë në Kosovë janë të prekur nga kjo sëmundje. Ajo thotë se vetëm në vitin 2006, në Kosovë, në mënyrë zyrtare, janë regjistruar 930 raste të personave të prekur me tuberkuloz, ndërkaq 29 prej tyre kanë gjetur vdekjen. Më gjithë punën e madhe që bëhet për parandalimin e kësaj sëmundjeje, Rukije Mehmeti thotë se shqetësues në këtë aspekt mbetet fakti se tuberkulozi në shumicën e rasteve prek moshat e reja.

“Prek moshën më produktive, prej 15 deri në 34 vjeç. Kur ne të arrijmë që këtë numër ta çojmë nga moshat më të mëdha, mbi 60 vjeç, atëherë do të themi se përafërsisht jemi të kënaqur. Por, nuk duhet të jemi të kënaqur kur edhe rastin e fundit me tuberkuloz ta eliminojmë”, thotë Mehmeti.

Megjithatë, ajo thotë se në Kosovë janë të pranishëm faktorët e rrezikshmërisë që mund ta ndryshojnë situatën me këtë sëmundje. Për këtë, sipas zonjës Mehmeti, kërkohet më shumë vëmendje për tuberkulozin nga të gjitha institucionet kompetente.

“Duke pasur parasysh se si po shkon situata jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë, sepse më rritjen e HIV/AIDS-it, narkomanisë dhe alkoolizmit, ekziston rreziku i rritjes së numrit të të sëmurëve me tuberkuloz. E çka është edhe më keq, ekziston rreziku i paraqitjes rezistente të tuberkulozit”, thotë Mehmeti.

Por, pulmologë të tjerë japin shifra tjera të tuberkulozit. Tefik Leci, shef i repartit të mushkërive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se afër 45 për qind e popullatës është e prekur me sëmundjen e tuberkulozit. Ai i jep këto shifra, pasi thotë se shumë vise të Kosovës nuk mbulohen me punonjës shëndetësorë që merren me trajtimin e kësaj sëmundjeje.

“Kemi rajonin e Mitrovicës, të cilin prej pas përfundimit të luftës nuk e mbulon asnjë doktor i mirëfilltë. Në Drenicë që 20 vjet nuk ka asnjë doktor të mushkërive; po ashtu Kaçaniku nuk ka; Ferizaji ka tre mjekë, ku asnjëri prej tyre nuk merret me këtë çështje”, thotë Leci.

Ndryshe, Gazmend Zhuri, drejtori i klinikës së mushkërive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se në krahasim me vitin 1999, situata me tuberkuloz është ndryshuar për të mirë. Në këtë periudhë, sipas tij, 75 persona në 100 mijë banorë kanë qenë të prekur nga kjo sëmundje. Ndërkaq, aktualisht, në klinikën e mushkërive gjenden 24 pacientë duke u shëruar, thotë Zhuri, për të shtuar se personeli mjekësor ka kapacitet të ballafaqohet me këtë problem.

“Të sëmurët tanë mjekohen me barna që ne i marrim falas nga Fondi Global dhe Ministria e Shëndetësisë. Pacientët tanë edhe kur dalin nga spitali, nuk kanë nevojë t'i blejnë barnat. Problemi nuk është i vogël, por në krahasim me vitet e pasluftës, situata është më e mirë dhe nën kontroll”, thekson Zhuri.

Sidoqoftë, zyrtarë që merren me trajtimin e kësaj sëmundjeje thonë se me përkrahjen e të gjithëve, e sidomos të institucioneve vendimmarrëse, së shpejti numri i të sëmurëve me tuberkuloz do të jetë në nivel në standardet evropiane.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG