Ndërlidhjet

A do të ketë zgjedhje të reja në Kosovë?


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës thonë se zgjedhjet e ardhshme në Kosovë do të mbahen nëse kërkohet nga përfaqësuesi civil ndërkombëtar. Ndërkaq, partitë politike opozitare thonë se zgjedhjet duhet të mbahen pas nëntë muajsh, sepse një gjë e tillë parashihet edhe në pakon e Ahtisaarit.


Zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, ato të përgjithshme dhe lokale, mund të mbahen nëse kërkohet nga përfaqësuesi civil ndërkombëtar në Kosovë, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se do të respektohen të gjitha vendimet e përfaqësuesit civil ndërkombëtar.

"Qeveria e Kosovës nuk punon nën presionin e zgjedhjeve. Ka qenë një logjikë e gjërave që ne ta rregullojmë raportin e statusit final para qershorit; ka ndodhur e kundërta. Por, sido që të vendoset nga përfaqësuesi civil ndërkombëtar, ne do t'i përgjigjemi", tha Kuçi.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, konsideron se zgjedhjet duhet të mbahen, sepse një gjë e tillë, sipas tij, parashihet edhe në pakon e ish-kryenegociatorit ndërkombëtar, Martti Ahtisaari.

"Jo vetëm se kështu e parasheh pakoja e Ahtisaarit, por se tashmë Kosova është në një gjendje krejt tjetër dhe natyrisht në ndryshim të kësaj do të duhej të mbaheshin edhe zgjedhjet. Kjo nuk duhet të jetë dhe të mbetet dëshirë ose vullnet i individëve ose subjekteve politike, por është diçka që duhet të respektohet; në demokraci respektohet. Natyrisht, ne jemi për mbajtje të zgjedhjeve në afat sa më të shpejtë kohor pas miratimit të Kushtetutës së Kosovës", tha Makolli.

Ai shton se të gjitha partitë politike, të cilat janë aktive, duke përfshirë edhe ato në koalicione, do të jenë të vetëdijshme se duhet të mbahen zgjedhjet. Sipas Makollit, partia e tij do të veprojë në bazë të të gjitha formave demokratike që zgjedhjet të mbahen në kohën e paraparë.

"Tash kemi një realitet të ri në Kosovë dhe të gjithë ne duhet të sillemi konform këtij realiteti të ri, i cili gjithsesi kërkon mbajtje të zgjedhjeve. Ne, jo vetëm që do të lobojmë, por edhe do të kërkojmë me ngulim që zgjedhjet të mbahen në afatin sa më të shpejtë kohor, natyrisht pas përgatitjeve të infrastrukturës ligjore, por edhe infrastrukturës teknike, që do të garantonin mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta", tha Makolli.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se kërkesat e opozitës duhet të jenë kërkesa që e forcojnë legjitimitetin demokratik dhe jo në dobësimin e tij.

"Zgjedhjet nuk kanë të bëjnë me këtë çështje, me forcimin e legjitimitetit. Por, nëse ka logjikën e opozitës që sa herë që t'i humbë zgjedhjet të kërkojë zgjedhje të reja, mendoj se kjo logjikë nuk funksionon në botën demokratike, por, sido që të jëtë, ne do ta forcojmë demokracinë", tha Kuçi.

Edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se nëse merret si bazë aprovimi i pakos së Ahtisaarit, zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale duhet të mbahen pas 9 muajsh.

"Nëntë muaj pas pavarësisë së vendit, ne do të duhej të kemi zgjedhje. Në Kosovë ekziston një rend i ri i zhvillimit të demokracisë dhe të gjitha fushave të tjera. Prandaj, zgjedhjet do ta freskonin skenën politike të Kosovës dhe do të sillnin institucione stabile, të cilat në një sistem çfarë jemi tash, do të ishin frytdhënëse", tha Isufi.

Brenda nëntë muajsh nga hyrja në fuqi e marrëveshjes mbi statusin e Kosovës, e propozuar nga Martti Ahtisaari, zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale duhet të mbahen pas 9 muajsh.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG