Ndërlidhjet

Sejdiu dhe Thaçi hedhin poshtë ndarjen e Kosovës


Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe presidenti Fatmir Sejdiu
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe presidenti Fatmir Sejdiu

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë deklaruar se propozimi i Slobodan Samarxhiqit për "ndarjen funksionale të Kosovës" është krejtësisht i papranueshëm. Ndërkohë edhe zëvendësi i shefit të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Larry Rossin, gjithashtu në një prononcim ka deklaruar se për UNMIK-un, ndarja e Kosovës në çfarëdo baze është e papranueshme.


Presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi, sot kanë hedhur poshtë çfarëdo mundësie të ndarjes së Kosovës.

Duke komentuar komentin e ministrit serb për Kosovën, Slobodan Samarxhiq, Sejdiu dhe Thaçi kanë thënë se çfarëdo propozimi që ofron ndarjen, është i papranueshëm për shtetin e Kosovës.

Presidenti Sejdiu ka thënë se për këtë propozim nuk është biseduar me UNMIK-un, sepse ai nuk u është dërguar institucioneve kosovare, por vetëm misionit të Kombeve të Bashkuara.

"Kurdo që dikush del me idenë për ndarje, ne nuk kemi përgjigje tjetër. Ne, Kosovën e trajtojmë në kufijtë integralë. Ka vështirësi në veri që datojnë më herët, por ne do të kërkojmë nga UNMIK-u, EULEX-i dhe NATO-ja që të ruajnë sigurinë, sepse kjo është në interesin e rajonit", ka thënë presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Ai ka shtuar se "institucionet e Kosovës do të jenë partnerë të mirë që do të bashkëpunojnë në funksionalizimin e gjithë Kosovës dhe në të gjitha pjesët e saj".

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka qenë edhe më i prerë.

"Në Beograd mund të hartojnë plane dhe ide të ndryshme, të kqija e edhe më të kqija për Kosovën, por ato janë të papranueshme për institucionet e shtetit të Kosovës. Kosova ka institucionet e veta legjitime me autoritet të plotë në gjithë territorin e saj. Ka gjithashtu edhe bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare dhe NATO-n. Rrjedhimisht, propozimet e Beogradit për Kosovën janë të papranueshme dhe nuk mund të zbatohen", ka thënë kryeminsitri Thaçi.

Ai, mediave kosovare u ka rekomanduar që të mos merren shumë me këto plane, për të shtuar se Kosova është shteti më i sigurt dhe më i mbrojtur dhe se territori i saj është unik dhe i pandashëm.

Siç dihet, ministri i Serbisë për Kosovën, Slobodan Samarxhiq, ditë më parë, ka propozuar "krijimin e atmosferës për ndarjen funksionale të serbëve dhe të shqiptarëve në Kosovë".

UNMIK-u ka bërë të ditur se planin e ka dërguar në New York, por zëvendësshefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Larry Rossin, ka deklaruar se për UNMIK-un ndarja e Kosovës në çfarëdo forme është e papranueshme.
XS
SM
MD
LG