Ndërlidhjet

Hoxhaj: Propozimi për ndarje është racist


Enver Hoxhaj

Enver Hoxhaj

"Institucionet e Kosovës duhet të përkushtohen më shumë në lobimin pro–pavarësisë", thotë ministri në Qeverinë e Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili shton se pa marrë parasysh se çfarë rregullimi të brendshëm kanë, Kosova duhet të vë raporte me të gjitha shtetet në botë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hoxhaj, pas më shumë se një muaji, Kosova është njohur nga 33 shtete. Ju, së fundi, keni qenë në Senegal, për të lobuar për njohjen nga vendet e Konferencës Islamike. Çka po e pengon këtë organizatë që ta njohë si bllok Kosovën, kur ajo tashmë ka përkrahur planin e Ahtisaarit?

ENVER HOXHAJ
Mendoj se një pjesë e madhe e anëtarëve të Organizatës së Konferencës Islamike, e cila numëron 57 anëtarë, do të fillojnë gjatë javëve të ardhshme ta njohin dhe pranojnë pavarësinë e Kosovës. Kuptohet që presin se cili nga shtetet do t'i prijë këtij procesi.

Gjatë takimit dhe pjesëmarrjes sime në Konferencën Islamike kemi pasur premtim, diku nga 8 shtete, nga 8 ministra të Punëve të Jashtme, të cilët së shpejti do të dalin me një vendim, mirëpo e kanë një qasje të vlerësimit të situatës dhe kuptohet se varësisht prej asaj se sa vende të caktuara brenda kësaj organizate dhe në pjesë tjera të botës kanë fuqi politike, ushtarake dhe ekonomike, edhe vendet tjera mandej janë në një ndërvarësi të marrjes së vendimeve në një politikë të jashtme.

Por, një disponim i mirë ekziston. Kuptohet që ka edhe paragjykime, kuptohet që ka edhe mosnjohje të problemit, ka një interpretim krejt tjetër se si është realiteti në Kosovë, se si ka rrjedhur shkapërderdhja e ish-Jugosllavisë, meqë pavarësia e Kosovës, por edhe shkapërderdhja e ish-Jugosllavisë është lexuar dhe kuptuar në Afrikë, në Azi dhe pjesë tjera të botës në forma të ndryshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga kjo që thoni, ekziston ende nevojë e madhe për të lobuar pro-pavarësisë?

ENVER HOXHAJ
Definitivisht po. Ekziston nevojë e madhe dhe jo vetëm brendapërbrenda anëtarëve të Organizatës së Konferencës Islamike, këtyre 57 shteteve që janë të shpërndara në 4 kontinente të botës dhe të cilat kanë filozofi tjetër politike, proces tjetër të shtet-ndërtimit. Mirëpo, Kosova ka nevojë që të ketë një diplomaci agresive në kuptimin pozitiv të fjalës, e cila bartet nga një gjeneratë e re e diplomatëve, të cilët tregojnë se çfarë ka qenë Kosova në të kaluarën, se si Serbia e ka pushtuar dhunshëm Kosovën, ka qëndruar dhunshëm në Kosovë, se si Kosova ka qenë koloni e fundit në Evropë dhe se si rasti i Kosovës definitivisht paraqet një rast të veçantë.

Meqë këtu kemi të bëjmë me një situatë, ku një regjim ka bërë përpjekje ta ushtrojë gjenocidin mbi popullatën, ka pasur luftë çlirimtare, në të njëjtën kohë, ndërhyrje ndërkombëtare, vendosje të administratës ndërkombëtare dhe, në të njëjtën kohë, një rezolutë të Këshillit të Sigurimit, e cila për mendimin tim ka pasur vetëm një detyrë, që ta përgatisë procesin për definimin e statusit final dhe jo ta paragjykojë edhe zgjidhjen e saj. Kështu që sugjerimi i zotit Ahtisaari është që ai ka ofruar një zgjidhje pas Rezolutës 1244.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hoxhaj, marrë parasysh këtë dinamikë të procesit të njohjes, a do të mund të ketë Kosova përkrahjen e dy të tretave të vendeve anëtare të OKB-së para mbledhjes së asamblesë së përgjithshme të OKB-së?

ENVER HOXHAJ
Mendoj se njohja kualitative, sipas definimit të kryeministrit, është përmbyllur suksesshëm, meqë Kosova është pranuar dhe ka vendosur marrëdhënie bilaterale me shumicën e shteteve të fuqishme perëndimore, jo vetëm me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe, por edhe me shumicën e vendeve të BE-së; mandej, njohjet e fundit që ishin nga Japonia dhe Kanadaja tregojnë për atë se procesi po shkon rrugës së mbarë.

Ajo, për të cilën ka nevojë politika e jashtme e Kosovës, është se pavarësisht nga ajo se si shtetet e caktuara kanë rregullim të brendshëm politik, a janë demokratike apo autoritare, a janë politikisht të emancipuara, a përcillen me tensione politike, a kanë mirëqenie ekonomike, apo janë ekonomikisht të zhvilluara - këto janë shtete. Dhe, ne duhet të bëjmë përpjekje që me të gjitha këto shtete të vendosim kontakte dhe të gjitha këtyre shteteve t'ua sqarojmë nevojën se pse duhet ta njohin Kosovën.

Jam shumë i sigurt se jo vetëm gjatë fazës së njohjes, por edhe gjatë fazës kur njohja përmbyllet dhe kur sigurohet karrigia në OKB, Kosova do të ketë nevojë vazhdimisht për bashkëpunim ekonomik, politik e kulturor, të ketë njerëz që bëjnë lobim për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Përderisa Kosova po lobon për njohje, tashmë edhe publikisht, Serbia po kërkon ndarjen e Kosovës në vija etnike, propozim ky që tashmë është dërguar edhe në Kombet e Bashkuara në Nju Jork. Si do t'u përgjigjeni ju përpjekjeve të tilla?

ENVER HOXHAJ
Mendoj se ajo që është prezantuar, ditëve të fundit, nuk është asgjë tjetër veçse një kontinuitet i politikës serbe dhe të një diskursi që nuk është i përkrahur vetëm në qarqe politike, por edhe intelektuale, që nënkupton ndarjen e Kosovës në vija etnike.

Është një filozofi që në thelb është raciste. Sipas saj, shqiptarët dhe serbët nuk mund të jetojnë bashkë dhe duhet të ndahen përgjatë vijave të etnicitetit. Por, situata aktuale në Kosovë, mënyra se si është shpallur dhe menaxhuar pavarësia, ka treguar të kundërtën. Dhe, po ashtu, pjesa më e madhe e serbëve në Kosovë janë të interesuar që të jetojnë në atdheun në të cilin kanë lindur, ndërsa ajo që po ndodh në Mitrovicë, është projektim i dhunës nga Beogradi.

Dhuna në Kosovë vazhdimisht ka qenë e projektuar nga jashtë dhe definitivisht është e ndërlidhur me procesin e njohjes, meqë Beogradi planifikon që Kosova të reagojë apo mbireagojë ndaj gjendjes në veri dhe më pas të kërkojë nga shtetet tjera që ta ndërprejnë procesin e njohjes, meqë Kosova është një shtet, ose autoritet qeveritar, i cili i shkel të drejtat e njeriut, nuk i respekton të drejtat e pakicës.

Prandaj, qasja e Prishtinës duhet të jetë shumë më e kujdesshme, më me sensivitet, ndërsa jam shumë i sigurt se ideja e ndarjes së Kosovës i takon së kaluarës, meqë SHBA-të, BE-ja, shtetet tjera në botë e kanë pranuar Kosovën si shtet sovran, të pavarur, me territorin dhe kufijtë e saj që i ka dhe çdo përpjekje tjetër është e gjykuar paraprakisht të dështojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hoxhaj, duke mbetur ende te veriu i Kosovës, dje atje kanë rifilluar protestat e serbëve pas trazirave të dhunshme që lanë një polic të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Cila do të jetë forma që institucionet e Kosovës do të përdorin për të kthyer normalitetin në atë pjesë?

ENVER HOXHAJ
Mendoj se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë punë maksimale që të jenë të informuara rreth asaj se çka po ndodh, si po ndodh dhe kush qëndron prapa protestave të tilla, jo në kuptimin e adresës së përbashkët, sepse dihet që adresa e përbashkët është Qeveria serbe dhe Beogradi.

Por, në të njëjtën kohë, UNMIK-u duhet maksimalisht të ushtrojë autoritetin e tij. Prania civile ndërkombëtare në Kosovë duhet maksimalisht të ushtrojë autoritetin e saj dhe, në të njëjtën kohë, mendoj se forcat e sigurisë, trupat e KFOR-it, NATO-ja, duhet të jenë shumë më të përkushtuara, me qëllim që stabiliteti në vend të ruhet dhe me qëllim që të mos kthehet gjendja në një situatë të tillë, e cila është më tepër e përkeqësuar, sepse kjo definitivisht do të kishte ndërlidhje direkte me atë se si do të implementohet marrëveshja e Ahtisaarit.

Qëllimi i politikës serbe është ndarja e kësaj pjese të territorit, por edhe kontinuiteti i asaj se si është sjellë Beogradi pas qershorit të vitit 1999. Një kohë të gjatë ka bërë përpjekje që ta pengojë jetësimin e Rezolutës 1244, ndërsa në fund të procesit, tërë kohën është referuar në rezolutë si dokument valid. Dhe tash, aktualisht, synon që ta pengojë implementimin e marrëveshjes së Ahtisaarit, ndërsa unë jam i sigurt se pas një kohe, po të njëjtit liderë politikë do t'i referohen kësaj marrëveshjeje.

Jeta politike serbe çdoherë është përcjellë me absurditet dhe paradokse dhe kjo që po ndodh tash, është një paradoks.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët nevojën që prania civile ndërkombëtare të ushtrojë autoritetin e saj në tërë Kosovën. Në këtë kuadër, si e shihni ju këtë që po quhet dualizëm misionesh - praninë e UNMIK-ut dhe EULEX-it. Sa do ta pengojë ky dualizëm funksionimin e Kosovës si shtet?

ENVER HOXHAJ
Mendoj se një dualizëm i tillë është një situatë, e cila ka qenë pothuajse e parashikuar, meqë marrëveshja e Ahtisaarit parasheh fazën tranzitore, e cila fazë parasheh që UNMIK-u një, pjesë të madhe ose të gjitha përgjegjësitë që i ka, t'i dorëzojë te institucionet vendore, përderisa prania e ardhshme ndërkombëtare duhet të marrë rolin që e ka.

Çështja që duhet të shtrohet është se kur do të jetë fundi i këtij dualizmi dhe kur ka filluar llogaritja e këtij dualizmi. Prandaj, mendoj se është më se e domosdoshme, që të ketë qartësi se kur përfundon një dualizëm i tillë dhe shpeshherë situata të tilla orveliane krijojnë një botë, në të cilën askush nuk u jep llogari autoriteteve më të larta qendrore.

Prandaj, mbetet që të koordinohen aktivitetet dhe mbetet që mbi të gjitha Kosova, në procesin e saj, ta ketë një jetë të përbashkët dhe ta ketë një adresë të përbashkët ndërkombëtare. Për mua personalisht është vendimtare që jo vetëm të punojmë në zbatimin e pakos së Ahtisaarit, por që Prishtina zyrtare të punojë sa më shpejt me Komisionin Evropian, të bëjmë përpjekje që ta marrim pyetësorin, të fitojmë statusin e kandidatit dhe të dimë t'i dallojmë se cilat janë adresat ndërkombëtare në Kosovë dhe cila është adresa jonë e fundit - që është integrimi në BE.
XS
SM
MD
LG