Ndërlidhjet

Beteja kundër virusit HIV



Institucionet kompetente duhet t'i kushtojnë më shumë vëmendje parandalimit të virusit HIV. Me gjithë faktin se Kosova vazhdon të mbetet vendi me nivelin më të ultë në rajon me të infektuarit me këtë virus, dukshëm janë rritur faktorët e rrezikshmërisë. Kështu thonë infektologë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për të shtuar se beteja kundër AIDS-it, është shumë më e lehtë tani, se në një të ardhme tjetër.

Izet Sadiku, koordinator i zyrës për HIV/AIDS në Klinikën Infektive, thotë se prej vitit 1986, kur edhe është paraqitur rasti i parë, deri më tani janë evidentuar 71 raste, 28 prej të cilave tashmë kanë vdekur. Megjithatë, Sadiku pohon se kjo shifër mund të jetë shumë më e lartë.

“Armën më të fortë për parandalimin e AIDS-it, kosovarët e kanë tani, sepse është numri i vogël. Parandalimi i HIV/AIDS-it është shumë më i lehtë, se sa të merremi me pasojat e sëmundjes. Këtu mendoj se duhet fokusuar ende Kosova, duhet t'i fokusojë tërë forcat e veta në luftimin e parandalimit të saj. Nuk do të thotë se në Kosovë nuk është bërë, por mendoj se institucionet e Kosovës do të bëjnë edhe më shumë”, thotë Sadiku.

Infektologu tjetër, Valbon Krasniqi, thotë se problemi më i madh në parandalimin e kësaj sëmundjeje është vetëdijesimi i ultë i qytetarëve për t'u testuar për virusin HIV, që njihet më akronimin SIDA.

“Një problem tjetër është se ekziston ende një stigmë shumë e madhe tek këta persona. Fatkeqësisht, kjo stigmë nganjëherë vjen edhe tek punëtorët shëndetësorë dhe mos të flasim më për popullatën e përgjithshme. E kjo stigmë mund të vijë nga mungesa e informatave të sakta, apo nga informatat e gabuara, të cilat mund të vijnë nganjëherë nga personat e ndryshëm“, tha Krasniqi.

Ndryshe, në tërë Kosovën ekzistojnë 6 qendra për këshillim dhe testim vullnetar për HIV/AIDS. Por, Izet Sadiku thotë se për t'i shpallur luftë kësaj sëmundjeje, nevojitet urgjentisht hapja e më shumë qendrave në vise të ndryshme të Kosovës. Ai thotë se që nga viti 2003, kur edhe kanë filluar punën këto qendra, 1600 persona kanë bërë testimin.

“Mbi 400 është numri vjetor; vazhdimisht kemi rritje të numrit që vijnë të testohen. Ne tash hyjmë në vitin e pestë të punës së kësaj qendre; mesatarisht numri i të testuarve ka qenë mbi 20 për muaj, me një rritje graduale për 10 deri në 15 për qind për çdo vit”, tha Sadiku.

Për luftimin e SIDA-s nevojitet mobilizim i të gjitha institucioneve, thotë Valbon Krasniqi, në të kundërtën, shton ai, përmasat e kësaj epidemie shumë shpejt do të rriten.

"Vetëm prej vitit 2000 deri më 2007, janë vërtetuar 34 raste. Nëse i krahasojmë pra, është më tepër se 50 për qind brenda shtatë vjetësh në krahasim prej vitit 1896 deri në vitin 2000. Prandaj, gjithsesi do të presim një rritje, sepse ekzistojnë faktorët e rrezikut, që e bëjnë të cenuar Kosovën”, thotë Krasniqi.

Ndryshe, mosha e personave të infektuar me këtë virus sillet prej 30 deri në 39 vjeç e të dyja gjinive, por ajo më e rrezikuara tani është e të rinjve. Pikërisht për këtë, zyrtarë që merren me trajtimin e kësaj sëmundjeje pohojnë se qendra për këshillim dhe testim vullnetar nevojiten edhe në klinikat tjera dhe jo vetëm në Klinikën Infektive.
XS
SM
MD
LG