Ndërlidhjet

Rexhepi: Nuk do të bashkëpunoj me Gallucin


Mitrovica

Mitrovica

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko, ka bërë të ditur se në Mitrovicë, në vendin e tij të punës, sot kthehet administratori rajonal, Gerard Galluci. Por, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, ka deklaruar se ai nuk do të bashkëpunojë me Gallucin.


Gerard Galluci kthehet sot në postin e tij si administrator rajonal i UNMIK-ut në Mitrovicë, pas më shumë se një javë që gjendej në pushim, përkatësisht që nga trazirat e dhunshme në veri të Kosovës, të cilat lanë të vdekur një polic ndërkombëtar dhe dhjetëra të tjerë të plagosur.

"Me sa di unë, ai do të arrijë sot dhe do të kthehet në Mitrovicë, në punë", thotë Aleksandër Ivanko, zëdhënës i UNMIK-ut.

Intervenimi i UNMIK-ut dhe KFOR-it, më 17 mars, për të liruar objektin e gjykatës së uzurpuar nga serbët në veri, qe bërë mollë sherri mes Galluccit dhe zëvendësshefit të UNMIK-ut, Larry Rossin, i cili kishte dhënë urdhër për intervenim.

Gallucci u kishte shkruar një letër zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku kishte kritikuar ashpër Rossinin për vendimin e tij për intervenim. E njëjta letër u ishte dërguar edhe liderëve serbë të veriut të Mitrovicës, Milan Ivanoviq dhe Marko Jakshiq. Ky qëndrim i Galluccit ka shkaktuar pakënaqësi te liderët shqiptarë të Mitrovicës.

Sot, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, u ka deklaruar gazetarëve se do t'i ndërprejë të gjitha marrëdhëniet me administratorin rajonal të UNMIK-ut, Gerard Gallucci, sepse ai është "pengesë e jetësimit të ligjshmërisë në Mitrovicë".

"Nju Jorku (Kombet e Bashkuara) mund ta kthejnë Galluccin në punë, por unë nuk do të bashkëpunoj me të", ka deklaruar Bajram Rexhepi.

Ndryshe,10 ditë pas këtyre trazirave, që përveç tjerash shkaktuan konflikt mes raporteve Rossin-Galluci, policia nuk ka arrestuar askënd, që ishte përgjegjës për vrasjen e policit ukrainas dhe plagosjen e dhjetëra pjesëtarëve tjerë të policisë dhe KFOR-it.

"Hetimet për vepra kriminale marrin kohë. Hetuesit duhet të shohin në dokumentacione, xhirime, fotografi. Kjo ka ndodhur vetëm 10 ditë më parë dhe hetimet do të marrin kohë", thotë Aleksandër Ivanko.

Por, ajo për të cilën që tani zyrtarët e UNMIK-ut e konfirmojnë, është se në uzurpimin e objekteve të UNMIK-ut, siç ka qenë gjykata, kanë qenë të përfshirë punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

"Siç e kam thënë edhe më parë, ne kemi prova të palëkundshme se ka pasur punonjës të MUP-it serb në gjykatë. Kemi emrat, mendoj se kjo është më shumë se e mjaftueshme", tha Ivanko.

Ndryshe, KFOR-i, që ka qenë i përfshirë në ndaljen e trazirave të 17 marsit, ka paralajmëruar sot se çdo sulmi mbi ushtarët e tij, KFOR-i do t'i përgjigjet me mjete adekuate në bazë të së drejtës për vetëmbrojtje.

"Mos prisni që KFOR-i do t'u shpërndajë lule atyre që e sulmojnë. Të hënën e 17 marsit ne u përballëm me trazira dhe vrasës. Unë bëj një ndarje të qartë mes qytetarëve dhe vrasësve ngado që vijnë; kudo që KFOR-i përballet me tarzirat, ushtarët e KFOR-it do të përgjigjen ndaj çdo kërcënimi me mjete adekuate në bazë të së drejtës për vetëmbrojtje. Ne, atë ditë u sulmuam dhe prova më e mirë është se ne u sulmuam me gurë, me molotovë, granata dore, dhe fatmirësisht një nuk ka shpërthyer – kjo granatë është prodhim jugosllav M74 me përbërës plastike të rrezikshëm, e dedikuar për të vrarë njerëz gjatë sulmit", tha zëdhënësi i KFOR-t, Jean-Luc Cotard.

Ndryshe, Gjykata e Qarkut, në të cilën UNMIK-u thotë se tash e ka kthyer kontrollin, vazhdon të mos funksionojë, siç nuk janë duke funksionuar as dy pikat doganore në vendkalimin kufitar numër 1 dhe 31, të dy këto të djegura një muaj më parë nga serbët në shenjë revolte ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës. As për këtë rast, autoritet e rendit nuk kanë arrestuar askënd.
XS
SM
MD
LG