Ndërlidhjet

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, zonja Cindy McCain ka shprehur përkushtimin e saj të veçantë që të ndihmojë në aspektet e ndryshme me prezencën e ekspertëve në kuadër të bashkëpunimeve me Qeverinë e Kosovës dhe me ata që janë marrë me fushën e deminimit të minave.


Kosova ka shumë miq në SHBA dhe Kosova duhet të jetë një vend i fuqishëm ekonomikisht, tha sot në Prishtinë, Cindy McCain, anëtare e bordit të organizatës humanitare për deminim 'Halo Trust', e cila po ashtu është bashkëshortja e kandidatit presidencial amerikan, John McCain.

"Kosova ka shumë miq në Shtetet e Bashkuara, përfshirë këtu edhe bashkëshortin tim. Unë me bashkëshortin tim po presim që të kemi marrëdhënie të shkëlqyera me shtetin tuaj", tha zonja McCain.

Ajo ka shprehur përkushtimin e saj të veçantë që të ndihmojë në aspektet e ndryshme me prezencën e ekspertëve në kuadër të bashkëpunimeve me Qeverinë e Kosovës dhe me ata që janë marrë me fushën e deminimit të minave.

"Ajo çka duhet të bëhet është se ato mina duhet të largohen.
Qëllimi im, si anëtare e 'Halo Trust', është që të ndihmoj popullin e Kosovës, që Kosova të jetë një vend pa mina, ekonomikisht i fortë dhe që pavarësia e Kosovës nuk është fundi, por fillimi", u shpreh zonja McCain.

Kurse, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se zonja McCain ka shprehur përkushtim të veçantë që të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës.

"Ishte kënaqësi e jona që t'i falënderojmë të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë për punën e madhe që kanë bërë në deminimin e Kosovës nga ata që kanë dashur ta vrasin Kosovën dhe përkushtimin për ndihmën e mëtejme në këtë drejtim, që edhe në zonat e mbetura të bëhet puna më e madhe, për të eliminuar çdo rrezik për njerëzit, për fëmijët dhe për të gjithë të tjerët", tha presidenti Sejdiu.

Anëtarja e bordit të organizatës humanitare për deminim "Halo Trust", Cindy McCain, është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Zonja McCain arriti në Kosovë në cilësinë e anëtares së bordit të organizatës bamirëse "Halo Trust", e cila merret me deminimin dhe spastrimin e hapësirave nga mbetjet e luftës.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG