Ndërlidhjet

FT: Ditë historike për Shqipërinë


Logo e Samitit të NATO-s në Bukuresht
Logo e Samitit të NATO-s në Bukuresht

Këto janë ditë historike për Shqipërinë. Dy zhvillimet e ndara, deklarata për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe mundësia për t'u anëtarësuar në NATO, i kanë ofruar këtij vendi të varfër në Evropë një rast të papresedan për të përmirësuar prospektet e veta afatgjate, shkruan "Financial Times".


Për shqiptarët etnikë, të cilët jetojnë në pesë shtete të Ballkanit perëndimor, si rezultat i një vijëzimi arbitrar të kufijve para dhe pas Luftës së Parë Botërore, rilindja e Kosovës më 17 shkurt si shtet evropian ishte rast gëzimi.

Remzi Lani, drejtor i Institutit Soros në Tiranë, ka thënë se "është krijuar përshtypja se padrejtësia historike është përmirësuar".

Megjithatë, gjatë manifestimeve në Tiranë nuk është përmendur fare Shqipëria e Madhe, një ide në bazë të së cilës të 6 milionë shqiptarët në rajon do të duhej të jetonin në një shtet të vetëm kombëtar. Kjo dëshmon se sa shumë ka ndryshuar politika në Ballkanin perëndimor, gjatë 10 vjetëve të fundit.

"Pavarësia e Kosovës i ka dhënë fund këtij projekti. Ne tashmë i kemi ndarë mitet nga politika dhe jemi të sigurtë se Kosova dhe Shqipëria do të kenë marrëdhënie shumë të mira fqinjësore", thotë Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë.

Shpërthimi shkatërrimtar që ndodhi në deponë e municionit, më 15 mars, në Shqipëri, ka vënë në pah një problem, të cilin Shqipërinë e ndan nga dy kandidatët tjerë, të cilët shpresojnë të anëtarësohen në NATO.

Por, aksidenti nuk i ka ngulfatur shpresat e shqiptarëve për të marrë thirrjen për anëtarësim gjatë Samitit të NATO-s, javën që vjen. Vitin e kaluar, Shqipëria ishte vendi i parë në botë, që arriti të shkatërrojë masa të mëdha të substancave kimike për prodhimin e armëve, të cilat ishin grumbulluar në një zonë malore në afërsi të Tiranës.

Sipas disa zyrtarëve perëndimorë në Tiranë, Shqipëria në fakt ka arritur përparim të madh drejt caqeve që janë paraparë me planin aksional për anëtarësim. Edhe pse Kroacia konsiderohet si vendi më i përgatitur nga të tre kandidatët e Ballkanit perëndimorë në kuptimin ushtarak, Shqipëria thuhet ta ketë tejkaluar Maqedoninë në 12 muajt e fundit.

Edhe stabiliteti politik gjithashtu është përmirësuar, me vetë faktin se politikanët, të cilët zakonisht janë të ndarë në çdo cështje, kanë adoptuar njëzëri konsensusin për integrimet euro-atlantike në kohën kur përgatitjet për anëtarësim dinamizoheshin.

Ushtarët shqiptarë, duke shërbyer paralelisht me forcat gjermane për 11 vjet në Bosnjë e Hercegovinë, kanë arritur një përvojë të mirë në operacionet paqeruajtëse ndërkombëtare.

Aktualisht, janë rreth 350 shqiptarë, të cilët veprojnë së bashku me forcat e NATO-s në Afganistan dhe Irak; në Afaganistan, Shqipëria merr pjesë së bashku me Maqedoninë dhe Kroacinë në ekipet mjekësore dhe aktualisht është duke e përgatitur një mision të ri për të ndihmuar trajnimin e ushtrisë afgane. Në Irak, rreth 120 ushtarë shqiptarë ruajnë aeroportin e Mosulit në veri të vendit.

Përkushtimi i Shqipërisë në raport me aleancën veriatlantike do të përfshijë së paku 750 trupa në disponim në çdo kohë, për të marrë pjesë qoftë në kuadër të forcës së NATO-s për reagim të shpejtë qoftë në ndonjë mision ndërkombëtar paqeruajtës.

Dhe, meqë mbrojtja kombëtare nuk është më prioritet dominant, Shqipëria mëton të ecë përpara drejt thellimit të bashkëpunimit me fqinjët nën ombrellën e NATO-s. Për momentin, kjo nënkupton bashkëpunim me Maqedoninë, por aplikacionet për anëtarësim priten së shpejti edhe nga Mali i Zi dhe dikur edhe nga Kosova.

XS
SM
MD
LG