Ndërlidhjet

Si funksionojnë bordet e ndërmarrjeve publike?


Emërimi i gabuar i anëtarëve në bordet e ndërmarrjet publike, si dhe kompetencat e përziera në mes të vendorëve dhe ndërkombëtarëve, po ndikojnë në mosfunksionimin e duhur të këtyre ndërmarrjeve. Kështu të paktën thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Ndryshe, me anë të një rregulloreje, misioni i administratës së Kombeve të Bashkuara ia ka besuar Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit që të administrojë dhe njëherësh të jetë kompetente dhe përgjegjëse për emërimin e bordeve të ndërmarrjeve publike. Në këtë kuadër, AKM-ja ka emëruar bordet e drejtorëve në të gjitha ndërmarrjet publike, të cilët përbëhen prej anëtarëve të AKM-së, Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare, të cilët e mbikëqyrin menaxhimin e këtyre ndërmarrjeve.

Lidhur me këtë, Safet Gërxhaliu, zyrtar në marrëdhënie me jashtë në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se problemi i përgjegjësisë, kohëve të fundit, është dramatizuar dhe as që po kuptohet se kompetencë e kujt çka është. Ai shton se shqetësues tashmë është fakti se në organet më të larta të ndërmarrjeve publike po fovarizohen, siç thotë ai, njerëzit e korruptuar.

“Për hir të asaj që po ndodh, për shkak të përgjegjësisë, si duket Kosova është duke u futur në krizë; krizë, që nëse nuk ngritët një zë i fortë dhe i fuqishëm i Qeverisë dhe i kryeministrit, do të ketë pasoja fatale për të ardhmen e Kosovës“, thotë Gërxhaliu.

Në anën tjetër, Mimoza Kusari Lila, drejtoreshë ekzekutive në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë se për shkak të interesave të caktuara, Qeveria aktuale e Kosovës dhe ato të mëparshmet, shpeshherë kanë emëruar anëtarë të gabuar në bordet e këtyre ndërmarrjeve. Pikërisht për këtë, thotë ajo, në këto ndërmarrje shpeshherë paraqiten përplasje nga më të ndryshmet.

“Ka pasur sukses në menaxhimin e ndërmarrjeve private, por në ato publike, për shkak të përzierjes së kompetencave dhe për shkak të sferave të ndryshme politike që kanë qenë vazhdimisht në proces, nuk ka pasur respektim të të drejtave të sundimit të ligjit. Prandaj, u është dhënë luksi dhe u është lënë hapësirë atyre personave që kanë pasur tendencë keqmenaxhimin”, thotë Kusari Lila.

Qeveria e Kosovës, ndryshe nga shtetet tjera, nuk ka të drejtë t'i mbikëqyrë këto ndërmarrje dhe nuk ka kompetenca për t'i shkarkuar anëtarët e pasuksesshëm. E vetmja mënyrë për të ndikuar sadopak në vendimet dhe veprimet e këtyre ndërmarrjeve, është që Qeveria t’i ketë përfaqësuesit e vet në bordet e këtyre ndërmarrjeve. Por, Qeveria e re ka ndryshuar rregulloren e AKM-së, duke emëruar ekspertë të pavarur në vend të ministrave.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi pohon se Qeveria e Kosovës tashmë është duke përgatitur një ligj për pasardhësin e AKM-së, që nënkupton që të gjitha kompetencat të kalojnë mbi Qeverinë e Kosovës.

“Momentalisht, ne jemi në fazën e tranzicionit dhe faza e tranzicionit nënkupton që ende ka autoritet UNMIK-u për disa çështje; në kuptimin se po bëjmë edhe transferimin e kompetencave. Pra, momentalisht, Qeveria nuk e ka fuqinë legale që t'i bëjë ato ndryshime”, thotë Kuçi.

Ndërkaq, Safet Gërxhaliu thotë se UNMIK-u është në përfundim të mandatit të tij dhe për këtë, shton ai, anëtarët vendorë duhet të jenë më të kujdesshëm në menaxhimin e këtyre kompanive, sepse përgjegjësia në fund, sipas Gërxhaliut, do të mbetet në institucionet vendore.

"Përgjegjësia, qoftë pozitive, qoftë negative, do të mbetet në institucionet vendore dhe barra do të mbetet në Kosovë. Prandaj, apeloj që Qeveria ta forcojë dominancën e vet, të vendosë për atë që mendon se vërtet e meriton, e jo individët në bordet publike të jenë të imponuar apo të rekomanduar vetëm nga ata njerëz që Kosovën e kanë vetëm një stacion kalimtar në jetën e tyre", shprehet Gërxhaliu.

Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës, dje, ka emëruar dy ekspertë në bordin e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, por mënjeherë pas kësaj ka reaguar një organizatë joqeveritare anti-korrupsion, e cila ka konstatuar se janë bërë shkelje të ligjit në fuqi dhe parimeve ndërkombëtare që rregullojnë qeverisjen e kompanive publike.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG