Ndërlidhjet

Shqiptarë e serbë kundër ndarjes


Paqeruajtësit e KFOR-it në urën e Mitrovicës

Paqeruajtësit e KFOR-it në urën e Mitrovicës

Në një debat të mbajtur në Çagllavicë, ku kanë marrë pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës, ambasadori i Zyrës Britanike në Prishtinë dhe kryetarja e Këshillit Ekzekutiv të KNS-së, është hedhur poshtë propozimi i fundit i ministrit serb, Sllobodan Samarxhiq. Ata kanë thënë se ndarja e Kosovës është e papranueshme.


Propozimi i ministrit serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhiq, është i papranueshëm për institucionet e Kosovës dhe për përfaqësuesit serbë në jug të lumit Ibër. Në një debat në Media Qendër, në Çagllavicë, u theksua se plani më i mirë për zgjidhjen e problemeve të të gjithë qytetarëve të Kosovës, është plani i ish-kryenegociatorit Martti Ahtisaari.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, theksoi se cilido plan që nuk ka parasysh planin e Ahtisaarit, është joserioz dhe i papranueshëm për institucionet e Kosovës.

"Në kundërshtim të plotë me dokumentin gjithpërfshirës të Ahtisaarit, as në kundërshtim me planin e EULEX-it në Kosovë dhe as në kundërshtim të plotë me realitetin e ri që është krijuar në Kosovë nga qershori i vitit 1999, e në mënyrë të veçantë nga 17 shkurti 2008. Unë menoj se ky dokument, në mënyrën se si është paraqitur, nuk meriton një trajtim serioz", tha Krasniqi.

Zoti Krasniqi ka theksuar se sipas informacioneve nga mediat, propozimi më i ri i ministrit Samarxhiq nuk ka kaluar nëpër Qeverinë e Serbisë.

Nga ana tjetër, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, David Blunt, ka thënë se për propozimin e ministrit Samarxhiq ka kuptuar nga mediat dhe nga ato ka kuptuar se edhe shumica e ministrave të Qeverisë së Serbisë nuk ishin konsultuar lidhur me këtë propozim.

"E kam vërejtur nga shumë media, veçanërisht nga raportet e mediave në Serbi, se ky tekst, pavarësisht se çka thotë, nuk përmban pikëpamje të diktuar mirë nga tërë Qeveria e Serbisë. Dhe, kjo bazohet edhe në komentet e bëra nga ministrat, që bazuar në raportet e mediave, nuk janë konsultuar për përmbajtjen e këtij teskti", tha Blunt.

Ambasadori Blunt theksoi se duhet pasur parasysh faktin se Kosova, si shtet i pavarur është i njohur nga më shumë se 30 vende dhe se 5 vende fqinje e kanë pranuar pavarësinë e saj. Ai theksoi se Kosova e ka planin e Martti Ahtisaarit, i cili po realizohet dhe se janë arritur përparime të rëndësishme në lëmin legjislativ. Ambasadori Blunt theksoi gjithashtu se është me rëndësi se që nga momenti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk ka pasur probleme dhe konflikte ndëretnike.

Ai ka rikujtuar se njëri nga principet udhëheqëse të Grupit të Kontaktit është se nuk ka ndarje të Kosovës.

"Ndarja do të ishte e keqe për serbët, shumica e të cilëve nuk jetojnë në veri, por në jug; do të jetë e keqe për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit", tha Blunt.

Kusre, kryetarja e Këshillit Ekzekutiv të Këshillit Nacional Serb, Rada Trajkoviq, ka thënë se duhet të kihet parasysh realiteti se shumica shqiptare ka shpallur pavarësinë e Kosovës, të cilën e kanë njohur një numër i shteteve.

"Pavarësisht prej asaj, unë, personalisht, nuk mund të pajtohem me atë që është plani i zotit Samarxhiq, për shkak të dy çështjeve relevante - e para, pasi që për të nuk është biseduar me përfaqësuesit serbë nga Kosova, të paktën me ata që nuk i përkasin partisë nga vjen zoti Samarxhiq dhe kjo është një nga arsyet pse nuk po e kuptoj në tërësi dhe, nga ana tjetër, ajo për të cilën foli ambasadori Blunt, se informatat për këtë janë marrë nga mediat", tha zonja Trajkoviq.

Ajo theksoi gjithsesi se duhet të zgjidhet çështja e serbëve në Kosovë dhe, sipas saj, çështja e interesave legjitime të Serbisë në Kosovë.

Zonja Trajkoviq e vlerësoi si absolutisht të papranueshëm aktin e hyrjes në gjykatat në veri të Kosovës dhe konfliktin që pasoi më 17 mars.

Ambasadori Blunt theksoi se nuk sheh asnjë arsye pse plani i Martti Ahtisaarit nuk do të sillte krijimin e një shteti funksional dhe mu për këtë arsye, ai kishte përkrahjen e shumë vendeve të bashkësisë ndërkombëtare.

Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhiq, ka propozuar ndarjen funksionale në mes të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë dhe ka kërkuar që pushtetin në pjesën me shumicë serbe ta realizojë UNMIK-u dhe Qeveria e Serbisë.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG