Ndërlidhjet

Pentagoni heton kompaninë AEY për furnizimin e ushtrisë afgane

  • RFE /RL

Forcat afgane të sigurisë

Forcat afgane të sigurisë

Qeveria e SHBA-ve po heton kompaninë private amerikane AEY, se ka furnizuar me armatime të vjetra e të papërdorshme forcat afgane të sigurisë. Ky lloj armatimi rrezikon trupat dhe ul efikasitetin e tyre në luftën kundër Al Kaidës.


Kompania private amerikane, që duket të jetë furnizuesi kryesor me armë dhe municione për forcat afgane të sigurisë, është vënë nën hetime pas një shkrimi hulumtues botuar në të përditshmen "The New York Times". Artikulli në fjalë ka arritur në përfundimin se kompania AEY me qendër në Florida, ka furnizuar forcat afgane me municione të papërdorshme dhe shumë të vjetra.

Kompania AEY ka nënshkruar kontrata me vlerë prej qindra miliona dollarësh me Qeverinë amerikane për të paisur forcat afgane të sigurisë me armatimin e nevojshëm në luftën kundër rrjetit terrorist Al Kaida.
Artikulli në të përditshmen amerikane sugjeron se një pjesë e municioneve për Afganistanin nga AEY ishin prodhim kinez i viteve 1960. Këto municione ishin marrë nga depot e vendeve ish komuniste si Shqipëria.

New York Times shkruan se problemet me municionet e sjella nga kompania AEY ishin shaqur vjeshtën e shkuar në Nava të Afganistanit, pranë kufirit me Pakistanin.Gazeta citon kolonel lejtnantin e ushtrisë afgane Amanudin, i cili thoshte se furnizimet ushtarake për njësinë e tij nga Shtetet e Bashkuara ishin prodhim kinez i vitit 1966 dhe shumica ishin të papërdorshme.

Të njëjtat burime theksojnë se në Afganistan, nga kompania AEY me qendër në Florida, janë dërguar municione dhe armatime, të cilat nga NATO-ja janë cilësuar si të pabesueshme dhe për të cilat janë dhënë fonde miliona dollarëshe për tu shkatërruar.

"The New York Times" raporton se presidenti i kompanisë, 22 vjeçari Efraim Diveroli, gjatë një bisede telefonike të regjistruar fshehurazi sugjeronte se ka pasur korrupsion në furnizimin me armatim kinez, në vlerë prej 100 milionë dollarësh, që kompania ka blerë në Shqipëri.

Kontrata më e fundit e kompanisë AEY me Pentagonin është nënshkruar në janarin e këtij viti dhe ka një vlerë prej 300 milionë dollarësh. Pentagoni duket se e ka pezulluar kompaninë në fjalë nga nënshkrimi i kontratave në të ardhmen. Kompania AEYgjendet nën hetime nga Inspektoriati i Përgjithshëm i Departamentit të Mbrojtjes.Efraim Diveroli, presidenti i kompanisë AEY ka mohuar të jetë i përfshirë në veprimtari të parregullta.

Jiri Kominek, korrespondent për "Jane's Defence Weekly", i cili ka raportuar shpesh lidhur me shitjen e armëve nga vendet e ish Bashkimit Sovjetik, thotë se shitja e armëve të vjetra nga vendet e ish bllokut komunist përmes shitblerjeve të dyshimta nuk është diçka e pazakontë.

"Nuk është aspak diçka e pazakontë. Në fakt, shumë nga këto kompani në të gjitha vendet e rajonit përballen me shumë pak ose aspak pengesa apo kërkesa nga porositësit kryesorë, që në këtë rast është qeveria e Shteteve të Bashkuara. Vendet e ish Paktit të Varshavës kanë stoqe të mëdha armësh dhe municionesh të vjetëruara. Dhe në vend që të shpenzojnë shumë për t'i shkatërruar ato ata preferojnë t'i shesin. Këto armatime dhe municione eksportohen në vende si Afganistani dhe Iraku apo në vende të tjera në zhvillim të Azisë Qëndrore dhe Jugperëndimore, që kanë marrëdhënie miqësore me Shtetet e Bashkuara", thotë Kominek për REL.

Më tej ai shton se është detyrë e porositësit të verifikojë që armatimi dhe municionet janë në përputhje me ligjin .
"Varet nga autoritertet amerikane për të vendosur mbi kontrollin. Ata duhet të garantojnë se kompanitë me të cilat bëjnë biznes veprojnë në mënyrë transparente", komenton për REL shkrimin e NYT, Kominek.

Jiri Kominek shton se dërgimi i armatimit të tillë të vjetëruar në Afghanistan vë në rrezik jetën e trupave afgane të sigurisë.
XS
SM
MD
LG