Ndërlidhjet

logo-print

Pas mbylljes së pikave doganore - rritet kontrabanda e mallit



Në pjesën veriore të Kosovës, pikërisht në pikat doganore në Jarinë dhe Zubin Potok, në masë të madhe po zhvillohen aktivitete joligjore, bëjnë të ditur zyrtarë të Aleancës Kosovare të Biznesit. Ndryshe, vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shenjë pakënaqësie, serbët i kanë djegur këto pika kufitare, dhe që prej atëherë ato nuk menaxhohen nga Shërbimi Doganor i Kosovës.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë që sipas një hulumtimi dy-mujor që ka bërë kjo organizatë, vërehet se vetëm gjatë kësaj periudhe, 30 për qind e mallit nga Serbia ka hyrë në mënyrë ilegale në Kosovë.

“Në të njëjtën periudhë më 2007, në krahasim më 2008, mbi 9 për qind më shumë ka hyrë mall nga Serbia. Por, kjo kur përpjesëtohet me ekonominë informale, del se mbi 30 për qind për muajt që po flasim”, thotë Shahini.

Ai po ashtu tregon se çfarë prodhimesh kanë hyrë gjatë kësaj periudhe nga Serbia në Kosovë.

“Theksohet se janë materialet ndërtimore, artikujt ushqimorë, alkooli, kafshët e gjalla, kafe, telefona mobilë, kartelat për mobilë, cigare, derivatet e naftës dhe medikamentet mjekësore”, thotë Shahini.

Në pjesën veriore të Kosovës, dukuria e kontrabandës së mallit, edhe më herët ka qenë në nivel të lartë, ndërkaq pas djegies së pikave kufitare, kjo dukuri është shpeshtuar edhe më shumë, thotë Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës.

“Është bërë një dukuri tepër e madhe, një dukuri që rrit ekonominë informale dhe po i rrezikon bizneset e rregullta, të cilat funksionojnë ashtu siç duhet”, thotë ai.

Pikërisht për këtë, Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë se është momenti i fundit që institucionet e Republikës se Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare t'i marrin të gjitha masat konkrete, në mënyrë që t’i kthehet funksionaliteti kufijve në pjesën veriore të Kosovës.

“Masat duhet t'i marrë Qeveria e Kosovës, UNMIK-u, EULEX-i dhe KFOR-i, e mbi të gjitha Shërbimi Doganor i Kosovës dhe SHPK-ja janë përgjegjëse për sigurinë dhe mbledhjen e këtyre taksave. SHDK-ja duhet të vërehet menjëherë në hyrje të kufirit dhe jo si është duke u aplikuar sot në lindje të Mitrovicës”, tha Shahini.

Edhe zyrtarë të administratës ndërkombëtare në Kosovë tashmë kanë deklaruar se mosfunksionimi efektiv i Shërbimit Doganor të Kosovës, në atë pjesë të Kosovës, ka rezultuar me shtim të kontrabandës së mallit. Ndryshe, prej atëherë, në ato pika janë vendosur pjesëtarët e KFOR-it.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG