Ndërlidhjet

Calmy Rey: Pavarësia zhvillon ekonomikisht dhe politikisht Kosovën


Flamuri i Republikës së Kosovës

Flamuri i Republikës së Kosovës

Zvicra ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke e ditur se vetëm pavarësia sjell stabilitet në rajon dhe e zhvillon Kosovën politikisht dhe ekonomikisht, ka thënë sot në Prishtinë ministrja e Jashtme e Zvicrës, Micheline Calmy Rey. Ajo është takuar me liderët kosovarë, ndërsa pasdite inauguron Ambasadën zvicerane në Prishtinë.


Janë katër arsye pse Zvicra, sipas shefes së diplomacisë, Micheline Calmy Rey, ka vendosur ta njohë Kosovën si shtet sovran, vetëm 10 ditë pas shpalljes së pavarësisë.

“E para, jemi të bindur se vetëm si e pavarur Kosova mund të zhvillohet edhe politikisht, edhe ekonomikisht. Arsye e dytë është se si shtet i pavarur, Kosova do të jetë një partner i vërtetë për të negociuar me të. E treta është se qartësimi i statusit është domosdoshmëri për një stabilitet afatgjatë për tërë rajonin. Dhe, arsyeja e katërt është se këto dy shtete kanë lidhje te forta njerëzore, meqë 180 mijë njerëz nga Kosova jetojnë në Zvicër”, tha diplomatja zvicerane, e cila ishte e para që në vitin 2004 u shpreh publikisht pro pavarësisë së Kosovës.

Zonja Calmy Rey, e cila sot inauguron Ambasadën e Zvicrës në Prishtinë, ka thënë se tani e tutje Zvicra dhe Kosova do të kenë bashkëpunim ndërshtetëror.

“Kosova për ne është shtet dhe ne do të kemi marrëdhënie normale si dy shtete; për këtë edhe po e hapim ambasadën. Ne jemi partnerë dhe do të kemi marrëdhënie normale diplomatike. Deri tani kemi pasur marrëveshje me UNMIK-un, ndërsa tani do të bëjmë marrëveshje me autoritetet e Kosovës”, tha Calmy Rey, e cila ka thënë se do të vazhdojnë marrëveshjet e deritashme që ka pasur Kosova me Zvicrën në fusha të ndryshme të zhvillimit ekonomik, të infrastrukturës, të zbardhjes së fatit të të pagjeturve e në lëmi të tjera.

Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu ka falënderuar zonjën Ray për guximin dhe përkushtimin e saj për të përkrahur pavarësinë e Kosovës që një kohë të gjatë.

“Kjo është një mike e Kosovës, një zë jashtëzakonisht i guximshëm dhe mbështetës i pavarësisë së Kosovës dhe natyrisht një mbështetëse e proceseve të mëdha. Duhet të them një falënderim shumë të madh në mbështetjen e gjithanshme që i është bërë Kosovës gjatë gjithë kohës. Ju e dini se pas Gjermanisë, Zvicra ka numrin më të madh të qytetarëve nga Kosova, që janë me dekada, tha Sejdiu.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se tani është hapur rruga për thellim të bashkëpunimit mes Kosovës e Zvicrës.

“Tash është koha e ndërtimit të raporteve bilaterale, raporte këto që do të shtjellohen në kuptimin e gjithmbarshëm të relacioneve ndërshtetërore mes Kosovës e Zvicrës, para së gjithash për raportet tona ekonomike”, tha kryeministri Thaçi.

Sugjerimit të diplomates zvicerane për të mbrojtur komunitetet pakicë në Kosovë, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi i është përgjigjur pozitivisht.
“Ne garantuam për vendosmërinë që kemi si institucion për të miratuar kushtetutën, për t'i mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut dhe në veçanti ato të komuniteteve, ku edhe në ligje, edhe në Kushtetutën e Kosovës kanë një vend të merituar”, tha Krasniqi.

Shefja e diplomacisë zvicerane ka theksuar se Zvicra do të bashkëpunojë me të gjitha shtetet e rajonit, përderisa pret që raportet mes Zvicrës e Serbisë të përmirësohen në të ardhmen e afërt. Calmy Rey ka potencuar se për hir të stabilitetit të rajonit, duhet të adresohen edhe çështjet e dhimbshme, siç është ajo e të pagjeturve. Zvicra ka në përbërje të KFOR-it ushtarë të saj, përderisa është e pranishme edhe në misionin civil ndërkombëtar, si dhe në Grupin Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën.

XS
SM
MD
LG