Ndërlidhjet

Moore: Serbia interesohet për mineralet e Kosovës, jo për manastiret


Patrick Moore
Patrick Moore

"Trazirat e fundit në Kosovë i kanë shkaktuar ata që kanë synuar të aktualizojnë temën e ndarjes së Kosovës. Në fakt, Serbia nuk është e interesuar për manastiret, por për mineralet e Kosovës", thotë analisti i Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore.


RADIO EVROPA E LIRË
Ish-kryeministri rus, Jevgenij Primakov, këtë javë ka thënë se ndarja etnike është opsioni i vetëm për të shmangur konfliktin në Kosovë. Të njejtën gjë e kërkojnë edhe Jeremiq dhe Samarxhiq, por ndarja fuqishëm kundërshtohet nga udhëheqja kosovare, zyrtarët e Shteteve të Bashkuara, Bashkimi Evropian... Cili është komenti juaj?

PATRICK MOORE
Ideja e ndarjes nuk është e re. Kjo ide do të dalë në shesh kohë pas kohe dhe kuptohet, do të refuzohet nga Prishtina, Brukseli, Uashingtoni dhe Kombet e Bashkuara.

Apostrofuat zotin Jeremiq dhe unë jam shumë i befasuar pikërisht me fjalimin e tij në Indonezi, ku ka thënë se për të qetësuar situatën e trazuar, Kosovën duhet ndarë. Por, shtrohet pyetja se çfarë duhet qetësuar – mbase serbët që bëjnë trazira?! Kjo e bën krejt të qartë faktin se ata i kanë shkaktuar trazirat për të aktualizuar çështjen e ndarjes. Nëse kihet parasysh fakti që në këtë dhunë kishte edhe një viktimë, veprimet e tilla dhe ato të Jeremiqit nuk janë gjë tjetër pos skandal.

Por, të kthehemi te zoti Primakov, i cili ka ftuar për transferim të popullatës në veri. Gjëra të tilla ka ditur të bëjë Radovan Karaxhiqi, për të ristrukturuar hartat. Në rastin e Kosovës, diç të tillë deri më tash askush nuk ka propozuar.

Në instancë të fundit duhet përkujtuar se kishat dhe trashëgëmia kulturore serbe nuk janë në veri të Kosovës dhe se një gjë e tillë në vitet e 80-ta dhe të 90-ta është propozuar edhe nga Dobrica Qosiq. Kjo dëshmon se Serbia në fakt është e interesuar për mineralet dhe jo manastiret dhe se zoti Primakov ndan këtë botëkuptim. Dëshiroj të përmend edhe një pohim të zotit Primakov, që si ekspert i Lindjes së Mesme, në një intervistë për shtypin serb, Kosovës iu referua si "shtet i ri në mes të Evropës". Nuk jam i sigurt nëse për vendet myslimane flet në këtë formë, ta zëmë kur është në Kairo?

RADIO EVROPA E LIRË

Javën e ardhshme mbahet Samiti i NATO-s. Analistët thonë se pavarësia e Kosovës ka ndryshuar raportin politik dhe të sigurisë në Ballkan. Çfarë domethënieje do të ketë anëtarësimi eventual në NATO i Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë për Ballkanin?

PATRICK MOORE
Mendoj se se sa më i fuqishëm që të jetë lidershipi amerikan i NATO-s në Ballkan, aq më mirë do të jetë për Kosovën. Prania e fuqishme e NATO-s është garanci për sigurinë, jo vetëm në raport me Serbinë dhe Rusinë, por edhe ndaj ideve që disa mund t'i kenë në Bashkimin Evropian për ta shndërruar Kosovën në koloni të BE-së, pa ndikimin amerikan.

Nuk besoj se kosovarët dëshirojnë që amerikanët ta braktisin Kosovën dhe prania e fuqishme e NATO-s, me sa më shumë vende ballkanike të anëtarësuara në Aleancën Veriatlantike, siguron rolin e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara atje.

RADIO EVROPA E LIRË
"NYT" ka shkruar se "zgjerimi i NATO-s në drejtim të Lindjes vepron si parandalesë për neo-carizmin e Rusisë, frenon Serbinë retrograde dhe rrjedhimisht redukon ndërhyrjen e Rusisë në Ballkan në një nivel të iritimit, por jo edhe të kërcënimit strategjik...". Si e kometoni këtë aspekt?

PATRICK MOORE
Po, kështu është dhe kjo përputhet me atë që thashë më lartë. Pikërisht këto ditë, gazeta amerikane "WSJ" (Wall Street Journal) pohoi se Serbia më nuk ka rëndësi strategjike, sepse të gjithë fqinjët e saj janë drejtuar nga Perëndimi.

Një Serbi e tillë, e mbështetur nga Rusia, nuk është e qëndrueshme dhe nuk paraqet gjë. Titulli i këtij artikulli ishte "Problemi serb" dhe ai dëshmon se ku është problemi.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka shqetësime se dështimi eventual i evropianëve për të bartur barrë më të madhe në Afganistan, rrezikon të ardhmen e NATO-s. A pajtoheni me këto pohime?

PATRICK MOORE
Disa vende evropiane ndihmojnë dhe shembulli më i mirë i kësaj është Britania e Madhe. Njëkohësisht, presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, sinjalizoi mundësinë e dërgimit të një mijë ushtarëve shtesë në Afganistan. Por, Gjermania dhe disa vende tjera të pasura evropiane dëshirojnë të lejojnë tjerë të vdesin për të na mësuar ne se si duhet të sillemi. Kjo duhet të marrë fund. Duhet të hapim letrat dhe të themi: Bashkimi Evropian është i pasur dhe arrogant siç është sot, sepse ka mbrojtje ushtarake pa pagesë nga ana e Shteteve të Bashkuara, si lidere e NATO-s për gjysëm shekulli.

Tash është koha e fundit që vendet e pasura dhe arrogante të BE-së të ndajnë më shumë mjete për projektet e mbrojtjes së tyre dhe jo të presin që amerikanët, britanikët dhe të tjerët ta bëjnë këtë për ata. Është e papranueshme që amerikanët dhe britanikët të vdesin, ndërsa gjermanët të mendojnë se mund të sillen si punëtorë socialë.
XS
SM
MD
LG