Ndërlidhjet

Përcaktimi i kufirit Kosovë-Maqedoni, proces i vështirë


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se javën e ardhshme mund të mbahet takimi i parë i komisioneve për demarkacionin e kufirit Kosovë-Maqedoni. Qeveria kosovare thotë se qëndrim i saj do të mbetet mbrojtja e interesave të shtetasve të saj, përderisa ajo maqedonase këmbëngul që të respektohet marrëveshja e vitit 2001.


Puna në shënimin e vijës kufitare mes Kosovës e Maqedonisë mund të fillojë javën e ardhshme nga komisionet teknike të të dyja vendeve. Por, zyrtarët e të dyja palëve sinjalizojnë se procesi i demarkacionit nuk do të jetë i lehtë. Bekim Çollaku, nga Komisioni kosovar i demarkacionit thotë se qëndrimi i palës kosovare do të jetë në përputhje me dispozitat e pakos së Ahtisaarit.

“Ekziston vullneti politik ndërmjet dy shteteve përkatëse, që këtë kontest ta zgjidhin në mënyrën e duhur. Se si do të rrjedhë dinamika e punës është herët të paragjykohet, pasi nuk ka ndodhur ende takimi i parë. Në takimin e parë pritet të qartësohet edhe dinamika e punës edhe mënyra se si do t’i qasemi kësaj problematike”, tha Çollaku.

Pakoja e Ahtisaarit parasheh themelimin e një komisioni të përbashkët teknik nga Kosova dhe Maqedonia për përkufizimin e vijës fizike të kufirit dhe për trajtimin e çështjeve tjera që dalin nga zbatimi i marrëveshjes së vitit 2001 në mes të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Maqedonisë. Kjo marrëveshje e nënshkruar nga ish-presidenti maqedonas, Boris Trajkovski, dhe ai jugosllav, Vojisllav Koshtunica, sipas palës kosovare, ka dëmtuar Kosovën për 2500 hektarë, kryesisht tokë private e pronarëve shqiptarë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Ivica Boçevski, shpreh gatishmërinë e palës maqedonase që të fillojë menjëherë punën në shënimin e vijës kufitare. Por, ai nuk saktëson nëse pala maqedonase do të heqë dorë nga marrëveshja e vitit 2001.

“Kjo ka qenë marrëveshje ndërkombëtare dhe tani ky komision i përbashkët ka për të punuar në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe ne konsiderojmë se kjo punë do të jetë teknike dhe do të lëvizim përpara sa më shpejt që të jetë e mundur”, thotë Boçevski.

Bekim Çollaku sinjalizon se e tërë marrëveshja e vitit 2001 mund të vihet në pikëpyetje. Megjithatë, në propozimin e Ahtisaarit rikujtohet një deklaratë e Këshillit të Sigurimit, ku bëhet thirrje për nevojën e respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Në këtë kontekst theksohet se marrëveshja mbi demarkacionin e kufirit, e nënshkruar në Shkup më 23 shkurt 2001, duhet të respektohet nga të gjithë. Çollaku thotë se qëndrim i palëkundur i palës kosovare mbetet mbrojtja e interesave të shtetasve të Kosovës.

“Ky nuk është vetëm problem i Kosovës, por edhe i Maqedonisë dhe i komunitetit ndërkombëtar, të cilët në një mënyrë e kanë pranuar një marrëveshje të tillë që është arritur më 2001. Tash, nga ana jonë, ne obligohemi që ta trajtojmë këtë çështje edhe një herë. A do të vihet e tërë marrëveshja në pikëpyetje, apo do të gjenden modalitetet që e rregullojnë këtë problematikë, mbetet të shihet në ditët e ardhshme. Por, qëndrimi përfundimtar është që të mbrohen interesat e qytetarëve të shtetit të Kosovës deri në maksimum”, thotë Çollaku.

Banorët e Debëlldesë, fshat ky në kufi me Maqedoninë, vazhdojnë t’i kenë tokat e tyre në territorin e Maqedonisë. Pala kosovare synon, që edhe nëse këto toka mbeten përtej kufirit, pronari i tyre të mos ndërrohet. Ivica Boçevski nuk komenton këtë mundësi.

”Nuk i di detajet teknike për këtë çështje, por mendoj se komisioni do të përmbushë mandatin e tij në përputhje me normat dhe standardet rreth çështjes së demarkacionit”, tha Boçevski.

Ndryshe, në marrëveshjen e vitit 2001 mes ish-RFJ-së dhe Maqedonisë, ndër të tjera, parashihet që nëse banorët ankohen për padrejtësi, atëherë kufijtë mund të ndryshohen deri në 300 metra thellësi nga secila anë. Atëbotë, kjo marrëveshje qe cilësuar nga pala kosovare si shumë e dëmshme për Kosovën dhe Kuvendi e pati kundërshtuar atë përmes një rezolute në maj të vitit 2001, por rezoluta qe anuluar menjëherë nga ana e UINMIK-ut.

Tani, problemi i demarkacionit, sipas planit të Ahtisaarit, duhet të zgjidhet brenda një viti, që nga koha e themelimit të komisionit të përbashkët teknik. Ndërkaq, ka zëra që thonë se Maqedonia është duke kushtëzuar njohjen e Kosovës me zgjidhjen e problemit të demarkacionit.

XS
SM
MD
LG