Ndërlidhjet

Bukoshi: Respektimi i Kushtetuës, prova e parë për demokracinë


Bujar Bukoshi, anëtar i Kuvendit të Kosovës
Bujar Bukoshi, anëtar i Kuvendit të Kosovës

Problemi themelor është mungesa e fillimit të procesit të denazifikimit të politikës së Beogradit. Derisa nuk nis ky denazifikim, si bashkësia ndërkombëtare, edhe Kosova do të kenë kokëçarje me Beogradin, thotë Bujar Bukoshi, deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bukoshi, deri më tash, Kosovën si shtet e kanë njohur një numër i konsiderueshëm vendesh. Si e vlerësoni ju këtë dinamikë të procesit të njohjes?

BUJAR BUKOSHI
Për mua është dinamikë optimale kur krahasohet historiku i disa shteteve të tjera që dolën nga ish-Jugosllavia. Tempi i njohjes së këtyre vendeve krahasuar me atë të Kosovës është për t'u lakmuar.

Unë jam i vetëdijshëm se në të ardhmen mund të ketë rezistencë. Po shohim që Beogradi po bën çmos që të bëjë obstruksione brenda mundësive të tij. Mirëpo, unë jam optimist se kjo po rrjedh mirë dhe pjesa më e madhe e punës është bërë vërtet me sukses – kam parasysh kualitetin e atyre shteteve që kanë njohur Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Përderisa institucionet po lobojnë për njohje, serbët në Mitrovicë po vazhdojnë protestat në kundërshtim të pavarësisë së Kosovës. Sa po ndikon në njohjen e Kosovës qëndrimi i serbëve këtu dhe në Serbi?

BUJAR BUKOSHI
Janë trende mjaft dëmsjellëse për procesin në Kosovë. Ne kemi probleme që prej fillimit, që prej ditës së parë të çlirimit të Kosovës, atëherë kur përfunduan bombardimet e NATO-s e deri më sot.

Politika obstruktive e Beogradit karshi Kosovës në vazhdmësi ka shkaktuar efekte mjaft të dëmshme në tërë procesin. Përkundër kësaj, unë i shkoh këto si përpëlitje të fundit të regjimit të Beogradit, i cili ende nuk po arrin të denazifikohet. Po e them këtë, i vetëdijshëm se ndoshta tingëllon gjithmonë si ekzagjerim, por problemi themelor është mungesa e startimit të procesit të denazifikimit të politikës së Beogradit. Përderisa nuk starton ky denazifikim, edhe bashkësia ndërkombëtare, edhe Kosova, do të kenë kokëçarje me Beogradin, në sensin që ai me direktivat që i jep pakicës serbe në Kosovë, do të na sjellë telashe.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke mbetur ende te qëndrimet serbe, si i komentoni deklaratat e zyrtarëve serbë për ndarjen e Kosovës në vija etnike?

BUJAR BUKOSHI
Kjo është tashmë reminishencë dhe ngritja e lugetërve të zërave të Dobrica Qosiqit. Domethënë, logjika e serbëve ose logjika e hajnit është kur ju plaçkitni një bankë dhe kur të gjitha ato të holla kërkohen nga ju, ju dëshironi së paku një milion nga ato para të plaçkitura, t'i mbani. Kjo është një logjikë perverse.

Me fjalë të tjera, tani Beogardi kërkon të zhvatë atë çka është e mundur. Kosova u shpall shtet i pavaraur dhe shanset që ky proces të zhbëhet janë iluzore, atëherë së paku të insistohet në grabitjen e një pjese të territorit të Kosovës. Ky është ai sindromi permanent. Politika serbe ka një vazhdimësi në luftë për territore, jo për njerëz. Beogradi nuk është duke u mërzitur, nuk është duke e çarë kokën për pakicën serbe në Kosovë, por për territore. Dhe, për këtë, edhe faktori ndërkombëtar, që edhe më tutje është vendimtar në këto procese, ta ketë parasysh dhe mos të vazhdojë ta përkëdhelë Beogradin, por t'i japë mesazhe shumë të qarta, siç edhe po i shohim në kohën e fundit.

Është mjaft inkurajuese kur dëgjojmë dhe lexojmë vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare që nuk do të ketë ndarje për Kosovën. Mirëpo, nuk mjaftojnë vetëm deklaratat; është problemi i një 'fait au complete' që është arritur që tetë vjet, me një politikë defektuoze të UNMIK-ut, që ka lejuar që tetë vjet prezencën e shtetit serb në Kosovë. Ajo që është toleruar ose që është mbjellë, tani po korret.

RADIO EVROPA E LIRË
Në bazë të pakos së Ahtisaarit parashihet që në Kosovë të mbahen zgjedhjet e reja pas nëntë muajsh. Sipas jush, a do ta respektojnë institucionet e Kosovës këtë pikë?

BUJAR BUKOSHI
Nëse ajo kushtetutë aprovohet dhe vihet në funksion, atëherë duhet të respektohet. Nëse nuk respektohet, unë shtroj një pyetje shumë të thjeshtë: Çfarë sensi ka, çfarë logjike ka, që të bëjmë një kushtetutë kur nuk e respektojmë?! Atëherë mos të bëjmë fare kushtetutë, të bëhet një shoqëri e përçudur pa kushtetutë.

Çdo shtet me rend juridik, me një rend të brendshëm dhe me një demokraci për të cilën ne shumë po pretendojmë, duhet t'i respektojë ligjet dhe sidomos Kushtetutën si ligji bazë. Unë jam për atë që të respektohet kushtetuta. Do të ishte fatale dhe me pasoja të paparashikueshme për të ardhmen, nëse paralel me kushtetutën bëhen marrëveshje politike sipas asaj se si u konvenon forcave politike ose krerëve politikë për momentin. Atëherë do të krijohet një precedent shumë i keq, shumë fatal dhe i cili do të kultivojë logjikën shumë primitive të politikës që 'mirë e kemi kushtetutën, por kësaj radhe po e bëjmë si na konvenon neve'. Atëherë do bëhej diçka shumë flagrante. Unë jam kundër kësaj.

Plani i Ahtisaarit nuk është kushtetutë, është propozim në bazë të të cilit gjithçka po konfigurohet. Ne në Parlament po i aprovojmë ligjet e Ahtisaarit pa shtruar pyetje. Nëse aprovohet kushtetuta, atëherë forcat politike, institucionet e Kosovës duhet ta respektojnë atë kushtetutë. Unë jam kurioz të shoh se sa do të respektohet kushtetuta. Ai do të jetë testi i parë i demokracisë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG