Ndërlidhjet

logo-print

Kermabon: EULEX-i do shtrihet në gjithë territorin e Kosovës


Yves de Kermabon

Yves de Kermabon

Shefi i Misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon, filloi sot edhe një vizitë në Kosovë, në kuadër të përgatitjeve për nisjen e këtij misioni. Ai ka takuar udhëheqësit e policisë vendore dhe ndërkombëtare. Pas këtyre takimeve, Kermabon tha se EULEX-i do të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës.


Misioni i EULEX-it është ende në fazën e shtrirjes në Kosovë dhe në pritje të fillimit të punës, ka thënë sot shefi i këtij misioni, Yves de Kermabon. Gjatë vizitës së dytë që po i bën Kosovës në kuadër të përgatitjeve për fillimin e misionit EULEX, Yves de Kermabon ka takuar sot kryesisht strukturat udhëheqëse të policisë, duke pasur parasysh se EULEX-i do të ketë mbikëqyrjen, monitorimin dhe ofrimin e këshillave për vendorët në fushën e sundimit të ligjit.

Yves de Kermabon tha pas takimit me udhëheqësit e Shërbimit Policor të Kosovës se qëllimi i misionit të tij është që të ketë shtrirje në gjithë territorin e Kosovës dhe që ky mision të mbështetet nga të gjitha komunitetet.

“Unë insistoj në faktin se EULEX-i duhet të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës”, tha Kermabon.

Ai e vlerësoi si të rëndësishëm edhe faktin tjetër që SHPK-ja ka në vete një strukturë të përzier komunitetesh, përfshirë edhe serbët.

“Në Kosovë, ne e kemi SHPK-në, e cila është një polici shumetnike dhe jam i kënaqur që ende ka policë serbë që punojnë në këtë shërbim, çka për mua është një shenjë e mirë se do të punoj me një polici shumetnike”, tha Kermabon.

Ai nuk është përgjigjur drejtpërdrejt në pengesat që mund t’i paraqiten EULEX-it në shtrirjen e misionit në veri të Kosovës, pas kundërshtimeve të shprehura haptas nga disa struktura politike serbe. Por, siç tha Kermabon, qëllimet janë që deri në fazën e fillimit të misionit, që parashihet të jetë muaji qershor, kur përfundon tranzicioni sipas pakos së Ahtisaarit, EULEX-i të ketë shtrirjen e vet edhe në këtë pjesë të Kosovës. Sidoqoftë, mbetet ende një dilemë mënyra e shtrirjes së misionit të Bashkimit Evropian në veri të Kosovës, ndërsa ka edhe mbështetës të idesë që në këtë pjesë apo të paktën nëpër pikat kufitare Kosovë – Serbi të mbetet UNMIK-u. Por, për këto dilema as Kermabon sot nuk kishte ndonjë përgjigje.

Në anën tjetër, zëvendëskomisionari i SHPK-së, Sheremet Ahmeti, u zotua që strukturat vendore të policisë, në bashkëpunim me EULEX-in dhe praninë ndërkombëtare, do t’ia dalin që të garantojnë siguri për të gjithë në Kosovë.

“Sigurisht se ne vazhdimësi do të vazhdojmë punën tonë të përbashkët në sundimin e ligjit. Kemi mbështetjen dhe përkrahjen e gjeneralit Kermabon, udhëheqësit të EULEX-it, dhe besoj që ne do t’ia dalim me sukses që të krijojmë siguri për qytetarët e vendit”, tha Ahmeti.

Yves de Kermabon ka takuar edhe komisarin e Policisë së UNMIK-ut, Larry Wilson. Ai tha sot se do t’i vazhdojë bisedimet edhe me strukturat politike, në mënyrë që përgatitjet për nisjen e misionit të EULEX-it të përfundojnë me kohë dhe të fillohet me punën në Kosovë, që ai e ka quajtur jo të lehtë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG