Ndërlidhjet

Samarxhiq: Serbët t'i bojkotojnë institucionet kosovare


Sllobodan Samarxhiq

Sllobodan Samarxhiq

Sllobodan Samarxhiq, ministër për Kosovën i Qeverisë serbe, u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të tërhiqen nga institucionet e Kosovës. Ai ka thënë se Qeveria serbe merr përsipër financimin e tyre. Ai i ka bërë këto komente gjatë vizitave që u ka bërë vendbanimeve me shumicë serbë, Llapna Sellë, Prilluzhë dhe Novobërdë.


Edhe një thirrje për bojkotim të institucioneve të Kosovës ka ardhur sot nga Qeveria serbe. Sllobodan Samarxhiq ka premtuar financim për ata serbë që lëshojnë punën në institucionet qoftë lokale, qoftë qendrore.

Ministri për Kosovën i Qeverisë serbe, Sllobodan Samarxhiq, ka vizituar sot Prilluzhën, Llapna Sellën dhe Novobërdën, ku është munduar t’i bindë serbët lokalë, që pas shpalljes së pavarësisë të mos punojnë e as bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës. Ai i ka siguruar serbët se nëse punojnë sipas instruksioneve të Beogradit, ndihma nga Serbia nuk do të mungojë.

“Do të thotë se diçka do të shkojë në bazë të financimit nga ministria, përmes planit institucional. Punë nuk ka. Ne, si shtet, kemi thënë se të gjithë që kanë punuar në vetëqeverisjen lokale nën drejtimin e institucioneve të Kosovës pas 17 shkurtit, të tërhiqen. Kjo në përgjithësi vlen për të gjithë që kanë punuar në institucionet shqiptare në Kosovë. Do të thotë, ne jemi të obliguar që t’i financojmë njerëzit dhe këtë ministria duhet ta bëjë. Ky është qëndrim i qeverisë. Kjo çështje është ngadalësuar në nivelin e qeverisë dhe ministrive, por këtë duhet ta përshpejtojmë”, tha Samarxhiq.

Herën e fundit që Samarxhiq ka vizituar Kosovën u kishte dorëzuar autoriteteve të UNMIK-ut propozimin për ndarjen e Kosovën në vija etnike.

Disa nga liderët e serbëve në veri të Kosovës kanë shfaqur përkrahjen e tyre për këtë propozim dhe kanë kritikuar kryetarin Boris Tadiq që nuk po e mbështet këtë plan.

Kryetari i asociacionit të komunave dhe mjediseve serbe, Marko Jakshiq, u ka thënë mediave serbe se në takimin e mbrëmshëm me ministrin Sllobodan Samarxhiq, së bashku kanë shprehur keqardhjen që mendimet e Tadiqit për planin janë në përputhje absolute me ato të kryeministrit Hashim Thaçi.

Ndërkaq, Samarxhiq ka thënë se propozimi i tij nuk nënkupton ndarje të territorit të Kosovës.

“Unë kam folur për ndarje funksionale mes serbëve dhe shqiptarëve, e cila është në terren tash 8 ose 9 vjet. Kjo që shqiptarët e kanë shpallur pavarësinë, kjo qe bërë pa miratimin e serbëve. Serbët duhet të punojnë për institucionet e tyre dhe kjo është ajo ndarja funksionale. Nuk ka ndarje të territorit të Kosovës dhe për këtë kurrë askush nuk ka folur”, tha Samarxhiq.

Ndryshe, gjatë vizitës së sotme në Kosovë, Sllobodan Smarxhiq ka thënë se në të gjitha mjediset ku jetojnë serbët në Kosovë, më 11 maj do të mbahen zgjedhjet lokale dhe parlamentare. Ai ka thënë se ka mbetur që Qeveria e Serbisë, në ditët e ardhshme, të marrë vendim se si do të realizohet. Ndërkaq, nga liderët e Kosovës ende nuk ka një pozicionim të qartë nëse këto zgjedhje mund të mbahen ose jo në Kosovë, meqë, sipas parimit të dyshtetësisë, serbët mund të votojnë për institucionet e Serbisë.
XS
SM
MD
LG