Ndërlidhjet

logo-print

Heshtja rreth projektit "Kosova C"?



A duhet të thyhet heshtja rreth projektit 'Kosova C' apo a ekziston alternativë tjetër ndaj këtij projekti? Këto ishin disa nga temat që u diskutuan sot në debatin "Projekti Kosova C, statusi aktual dhe rruga përpara”, të organizuar nga Instituti për Zhvillim të Qëndrueshëm. Qeveria e re e Kosovës ka ngrirë këtë projekt, për shkak të, siç është thënë, rishqyrtimit të tij, në mënyrë që të bëhen ndryshime aty ku ka nevojë.

Projekti ‘Kosova C' është projekti më i madh kapital deri më tani në Kosovë, por në kohën kur kanë filluar përgatitjet për këtë projekt, Ministria e Energjisë dhe Minierave ishte udhëhequr nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës, e cila në zgjedhjet e vitit të kaluar ka fituar shumicën e votave, ka qenë në opozitë.

Bajram Kosumi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe njëherësh ish-kryeministër në kohën kur kanë filluar përgatitjet e projektit, tha se Qeveria e re e Kosovës duhet sa më shpejt të shikojë mundësinë për realizmin e këtij projekti. Projektet me interes nacional gjithmonë kanë pasur lidhshmëri me politikë-bërjen, tha Kosumi, duke shtuar se projekti 'Kosova C' është realizuar në bazë të Strategjisë për Energjetikë, kështu që strategjitë, sipas tij, nuk kanë nevojë të ndryshojnë me ndërrimin e qeverisë. Por, megjithatë, ai thotë se ky projekt është pezulluar, për shkak të mungesës së projekteve të qeverisë aktuale.

“Qeveria e Kosovës duhet të thotë se cila është politika e saj energjetike në përgjithësi dhe cila është politika energjetike konkretisht me termocentralin 'Kosova C'. Rikthimi i diskutimit në pro dhe kundër termocentralit është rikthim mbrapa; ky diskutim ka qenë në Kosova para 3 vjetësh”, thotë Kosumi.

Në debat nuk kanë marrë pjesë zyrtarë të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave, por një shpjegim se a duhet të fillojë apo të rishqyrtohet projekti e ka dhënë Myzejne Selmani, kryetare e Komisionit Parlamentar për Energjetikë. Ajo pohon se Kosova ka nevojë për ndërtimin e një termocentrali të ri, por nuk ka nevojë për 2100 megavat orë energji. Për këtë, sipas saj, qeveria aktuale duhet të përgatisë një strategji tjetër për energjetikë.

“...për arsye se do të jemi në kundërshtim me standardet e Bashkimit Evropian. Në vitin 2012, Kosova do të jetë e dënuar në bazë të standardeve të BE-së; një dënim për një megavat do të jetë deri në 100 euro. Është e rrugës që për një zhvillim të hovshëm ekonomik, duhet të ketë energji elektrike, por jo me një kapacitet më të madh siç është termocentrali Kosova C“, thotë Selmani.

Lutfi Haziri, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pohon se në vitet e ardhshme do të rritet edhe nevoja e energjisë dhe për këtë, ai pohon se duhet të vazhdohet realizimi i Termocentralit 'Kosova C'.

“Kjo nënkupton se duhet të vazhdohet. Se si duhet të vazhdohet dhe cilat janë rrugët, besoj se nuk kemi shumë mundësi të zgjedhjes, sepse një proces dyvjeçar ka arritur në një pikë ku duhet të bëhet hapi kapital, hapi i vendimmarrjes dhe ky vendim duhet të arrihet sa më shpejt që është e mundur për t'u realizuar”, tha Haziri.

Vonesa e realizmit të projektit është humbje kohore, thotë eksperti i energjisë, Shyqyri Kelmendi, duke shtuar se një vonesë e tillë, Kosovës, në të ardhmën, do t’i kushtojë më shumë.

"Jemi në vonesë kohore. Diskutimi për 'Kosovën C' dhe gjenerimi i energjisë nga linjiti mund të vazhdojnë, por nuk guxojmë të vonohemi në hapat që janë përcaktuar dhe që janë ndërmarrë deri më tash“, thekson Kelmendi.

Ndryshe, Ministria e Energjisë dhe Minierave tashmë ka bërë publike kompanitë kualifikuese për garën e mëtutjeshme në ndërtimin e termocentralit 'Kosova C', ndërtimi i të cilit kap shifrën 3.5 miliardë dollarë. Kompania fituese, e cila është dashur të shpallet në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, pas vendimit të qeverisë, pritet të shpallet në fund të këtij viti.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG