Ndërlidhjet

logo-print

Samiti i NATO-s: Kosova, një nga çështjet kontestuese


Flamuri i Republikës së Kosovës

Flamuri i Republikës së Kosovës

Presidenti amerikan, George Bush, ka thënë se SHBA-të dhe Rusia mund të jetësojnë marrëveshjen për sistemin e mbrojtjes raketore. Por, analistët thonë se rreth kësaj çështjeje, Kosovës dhe Gjeorgjisë, Uashingtoni dhe Moska mbeten larg njëra-tjetrës.


Takimi i NATO-s në Bukuresht duket se do të ketë agjendë të ngjeshur. Një nga çështjet më kontestuese duket të jetë oferta e "Planit Aksional për Anëtarësim" për Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Ky plan cilësohet si hap i parë drejt anëtarësimit të këtyre dy vendeve në NATO. Këtë ide, fuqishëm e mbështesin Shtetet e Bashkuara. Presidenti Bush ka deklaruar se rreth kësaj çështjeje do të angazhohet personalisht.

"Do të bëj maksimumin për të siguruar që Ukraina dhe Gjeorgjia të pranohen në Planin Aksional. Një gjë e tillë është në interesin e vendeve anëtare të NATO-s dhe të Ukrainës dhe Gjeorgjisë", ka deklaruar presidenti Bush.

Kundër kësaj, disa herë është deklaruar Rusia, por tash, së fundi, kundër janë deklaruar edhe Gjermania dhe Franca.
Për faktin që vendimet në NATO merren me koncensus, duket se Kievi dhe Tbilisi kësaj radhe do të mbeten duarthatë.

Nga ana tjetër, tre vendet ballkanike, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, disponojnë "Planin Aksional" dhe shpresojnë të marrin ftesën për anëtarësim në NATO. Duket se Kroacia gjendet në pozitën më të mirë, ndërsa Shqipëria gëzon mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë, ndonëse disa analistë thonë se anëtarësimi i saj ende nuk është "punë e kryer".

Maqedonia është në pozitën më të vështirë, sepse Greqia vazhdon të kërcënohet me veto, gjithnjë përderisa Shkupi nuk ndryshon këtë emërtim. Uashingtoni ka apeluar te të dyja palët që të gjejnë zgjidhje, por koha e mbetur është shumë e shkurtër dhe kërcënimi i Athinës për të vënë veto mund të bëhet realitet.

Ndër temat e diskutuara në Samitin e NATO-s do të jenë edhe sistemi amerikan i mbrojtjes raketore, Afganistani, raportet me Rusinë dhe Kosova.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap De Hoop Scheffer, ka deklaruar se ka disa çështje që ndajnë NATO-n dhe Rusinë.

"Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të marrë pjesë në Samitin e Bukureshtit dhe askush nuk pret që ai të heshtë rreth çështjeve siç janë Kosova, forcat konvencionale në Evropë ose zgjerimi i NATO-s. Por, ne nuk duhet lejuar që këto çështje, për të cilat kemi dallime, të vënë në plan të dytë progresin real që NATO dhe Rusia e kanë realizuar rreth shumë çështjeve tjera", ka thënë Jaap De Hoop Scheffer.

Pas takimit të Bukureshtit, presidenti Bush do të udhëtojë në Soki për bisedime bilaterale me presidentin Putin. Presidenti amerikan ka thënë se dy palët mund të jetësojnë marrëveshjen për sistemin e mbrojtjes raketore në Çeki dhe Poloni. Por, analistët thonë se rreth kësaj çështjeje dhe çështjes së Kosovës dhe Gjeorgjisë, Uashingtoni dhe Moska mbeten larg njëra-tjetrës.
XS
SM
MD
LG