Ndërlidhjet

Makolli: Qeveria - e pakompromis ndaj zgjedhjeve serbe


Ibrahim Makolli
Ibrahim Makolli

"Qeveria e Kosovës duhet të jetë e pakompromis në kuptimin e moslejimit të shfrytëzimit të Kosovës si zonë zgjedhore nga ana e Serbisë", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Makolli, sot kanë filluar bisedimet për demarkacionin e kufirit. Cili është mendimi juaj, cila do të duhej të ishte përgjigjja e Kosovës ndaj Maqedonisë lidhur me çështjen e kufirit dhe çështjen e njohjes reciproke?

IBRAHIM MAKOLLI
Qëndrimi ynë tashmë është i njohur sa i përket njohjes ose kushteve që Qeveria e Maqedonisë ka vënë për Kosovën, për ta njohur shtetin e Kosovës. Ne kemi deklaruar jo rrallë se njohja me kushte ose me kushtëzime nuk i duhet Kosovës. Vërtet jemi të interesuar që të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet, e sidomos me shtetet fqinje, por, në asnjë rast, Kosova dhe institucionet e Kosovës nuk duhet të pranojnë kushtëzime.

Së dyti, kur kemi të bëjmë me vijen e demarkacionit mes Kosovës dhe Maqedonisë, duhet ta ketë parasysh Qeveria e Maqedonisë që marrëveshja që është arritur mes saj dhe Republikës së Serbisë, është dashur që atëherë të dihet se nuk është marrëveshje që do të mund të jetësohet, për shkak se të drejtën për marrëveshje të tilla e kanë dhe do ta kenë vetëm institucionet e Kosovës.

Ndërkaq, grupi i Qeverisë së Kosovës duhet të ofrojë argumente të mjaftueshme dhe prova, se ajo pjesë e territorit ka qenë dhe është pjesë e territorit të Kosovës. Ne nuk guxojmë dhe nuk do të lejojmë që të arrihen marrëveshje në dëm të qytetarëve të Kosovës, në dëm të tërësisë territoriale të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sfidat e para me të cilat është ballafaquar funksionimi i shtetit të Kosovës, kanë qenë kryesisht në pjesën veriore dhe nëpër enklava. Si mendoni se mund të tejkalohen këto probleme, me të cilat po ballafaqohet aktualisht Kosova?

IBRAHIM MAKOLLI
Në realitet, këto janë pasoja për shkak të tolerimit të veprimit të institucioneve të Serbisë që prej përfundimit të luftës, veprim të cilin ne edhe si subjekt politik e kemi kritikuar jo rrallë dhe kemi kërkuar nga administrata e UNMIK-ut që ta ushtrojë funksionin e vet konform Rezolutës 1244 dhe të mos lejojë funksionimin e institucioneve paralele të Serbisë. Tash po merremi me pasojat, sepse askush deri tash nuk është marrë me shkaktarin.

Tash kujtoj se institucionet e Kosovës duhet të ndërtojnë strategji dhe politika të qëndrueshme, në radhë të parë që funksionin e vet ta shtrijnë në gjithë territorin e Kosovës, pra edhe në pjesën veriore të Kosovës. Dhe, në bashkëveprim me faktorin ndërkombëtar në Kosovë, por edhe në bashkëveprim me serbët lokalë të atyre pjesëve, të fillojë funksionalizimin e institucioneve të Kosovës edhe atje. Ka rrugë, ka mundësi.

Natyrisht, parashohim që kjo çështje do të zgjasë edhe më tutje. Nuk është e gjitha në rrafshin politik; ka më shumë të bëjë me çështjen e sigurisë në atë pjesë, sesa me çështjet politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat do të mund të jenë pasojat për Kosovën, në rast se funksionimi i strukturave paralele do të vazhdojë edhe tani, kur Kosova vetëm funksionon si shtet?

IBRAHIM MAKOLLI
Pasojat do të jenë të mëdha, mirëpo unë jam shumë i bindur që institucionet e Kosovës dhe misioni ndërkombëtar në Kosovë nuk do të lejojnë dhe nuk do të tolerojnë funksionimin e institucioneve të Serbisë në Kosovë.

Kosova nuk është ajo që ka qenë para 17 shkurtit. Këtë duhet ta kuptojë edhe Serbia, edhe qytetarët serbë të Kosovës. Dhe, sa më herët që ta kuptojnë, do të jetë në të mirë të tyre; në të kundërtën, pasojat do të jenë të pariparueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Është përmendur mundësia që sërish në Kosovë të mbahen zgjedhjet e Serbisë nëpër pjesët ku jeton në shumicë komuniteti serb...

IBRAHIM MAKOLLI
Ky do të jetë edhe testi më i madh për institucionet e Kosovës, që dëshmojnë në të vërtetë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.

Kosova nuk mund të jetë vend as zonë zgjedhore për asnjë shtet tjetër. Ne nuk mundemi as nuk do t'ua mohojmë të drejtën serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë, por dihet ku mbahen ato – në territorin e Serbisë. Në territorin e Kosovës, institucionet e Kosovës duhet të jenë të pakompromis, po e them politikisht të pakompromis, për të mos lejuar një diçka të tillë.

Mundësia ose tolerimi i mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë do ta dëmtojë rëndë rrugën të cilën e kemi kaluar, sikur që do të shtojë apetitin e serbëve në Kosovë, por sidomos të politikës së Beogradit që edhe më tutje të veprojë në forma të tilla; do të thotë, do të bëhet një legalizim i një diçkaje që ne po e luftojmë të gjithë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, për fund, nëse do ta bënit edhe një vlerësim të punës së tremujorit të parë të Qeverisë së Kosovës, marrë parasysh që së shpejti do të mbushen tre muajt e funksionimit të saj në Kosovën e pavarur dhe ju si një parti e re parlamentare në aspektin politik...

IBRAHIM MAKOLLI
Në realitet, edhe pse jemi opozitë, do të ishim shumë të kënaqur po të mund të numëronim të arriturat e qeverisë në 100 ditë. Tash e 80 ditë që nuk kemi program qeverisës në Kosovë, flet më së miri për krizën në të cilën ndodhemi dhe ndodhet koalicioni qeveritar, flet më së miri për veprimet e atypëratyshme, veprimet 'ad hock' të institucioneve të Qeverisë në Kosovës, sesa për një program, i cili ka fillimet dhe fundet e tij.

Në kohën kur ne nuk kemi program qeveritar, natyrisht që nuk ka as prioritete dhe matja do të jetë shumë e vështirë. Natyrisht që jemi skeptikë se ky koalicion qeveritar do të mund të jetë funksional dhe do të mund të jetë në shërbim të zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës.
XS
SM
MD
LG