Ndërlidhjet

Qeveria e UNMIK-u pa qëndrim rreth zgjedhjeve serbe në Kosovë


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

UNMIK-u dhe Qeveria thonë se ende nuk kanë marrë një vendim se si të reagojnë ndaj mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Zyrtarë të UNMIK-tu thonë se pjesëmarrja në zgjedhjet nacionale e serbëve të Kosovës nuk do të paraqesë problem, meqë kjo garantohet në bazë të parimit të dyshtetësisë, por problem do të jenë zgjedhjet lokale, meqë ato duhet të organizohen vetëm nga institucionet e Kosovës, apo në këtë rast nga UNMIK-u. Në anën tjetër, opozita thotë se mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë do të cenojë integritetin e shtetit të Kosovës.


Autoritetet politike vendore dhe ndërkombëtare ende nuk kanë vendosur si t’i përgjigjen mbajtjes në Kosovë të zgjedhjeve nacionale dhe lokale të Serbisë, më 11 maj.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, pohon se një vendim i tillë do të jetë i vështirë për t’u marrë, por ai thekson se në cilindo rast, ky vendim nuk do t'i dëmtojë interesat e Kosovës.

“Vendimi do të jetë në përputhje me interesat e Kosovës dhe në koordinim me faktorët ndërkombëtarë. Gjithsesi, vendimi do të jetë në logjikën e shtetit sovran dhe të pavarur. Ne jemi kundër logjikës që dikush të tregojë autoritetin e vet mbi Kosovën, e aq më pak që Kosova të tregojë se është pjesë e dikujt tjetër. Por, besoj se do të ruajmë me këtë rast edhe dinjitetin, edhe identitetin e komunitetit serb që jeton në Kosovë”, tha Kuçi.

Përderisa nuk ka përfunduar ende faza tranzitore, përgjegjës për t'i organizuar zgjedhjet në Kosovë është vetëm UNMIK-u. Por, ky mision ende nuk ka vendosur se si të reagojë ndaj zgjedhjeve serbe pas realitetit të ri të krijuar në Kosovë që nga 17 shkurti.

“Ne nuk kemi vendim për këtë çështje dhe po e diskutojmë këtë me Qeverinë e Kosovës dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, aktualisht, nuk kemi vendosur për ndonjë vendim. I vetmi që mund të organizojë zgjedhje në Kosovë është UNMIK-u, ky është pozicioni ynë. Por, se si në mënyrë specifike do të reagojmë për këto zgjedhje, ne nuk kemi ende qëndrim”, thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko.

Ndërkaq, liderë opozitarë thonë se nuk duhet lejuar që zgjedhjet serbe të mbahen në Kosovë. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, thotë se mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë cenon integritetin e vendit.

“Çdo gjë që ka qenë e djeshme, ka qenë nën një administrim të UNMIK-ut kur ende nuk ka qenë i qartë statusi i Kosovës. Por, me organizimin e tashëm, Kosova është shtet, prandaj nuk duhet të lejohet mbajtja e zgjedhjeve të një shteti fqinj, për aryse se cenon integritetin edhe sovranitetin e vendit”, tha Isufi.

Në zgjedhjet e fundit serbe që u mbajtën në Kosovë, pak ditë para pavarësisë së Kosovës, kryeministri Thaçi pati deklaruar se ato ishin zgjedhjet e fundit serbe në Kosovë. Megjithatë, një qëndrim të prerë duket se nuk e mbajnë edhe më tej qeveritarët.

”Veprimet para 17 shkurtit dhe tani kanë dallim të madh, për çdo lidhje, edhe për zgjedhjet. Mendoj se qëndrimi i kryeministrit ka qenë shumë korrekt dhe do të jetë i respektuar”, tha Hajredin Kuçi, i cili, megjithatë, nuk përjashton të drejtën e serbëve për të votuar në zgjedhjet nacionale serbe, duke u bazuar në parimin e dyshtetësisë. Por, ai thotë se Serbia po mundohet ta përdorë këtë argument për të treguar se ka autoritet mbi Kosovën.

“Këtu është rasti që jo të votohet, por më shumë është që të tregohet logjika e sovranitetit mbi Kosovën. Në këtë drejtim, ne do të jemi më të rreptë, do të thosha”, u shpreh Kuçi.

Me miratimin e pakos së Ahtisaarit, institucionet e Kosovës janë pajtuar që në Kosovë të zbatohet dyshtetësia. Serbët në Kosovë kanë dyshtetësinë dhe kjo nënkupton se ata mund të votojnë për zgjedhjet nacionale edhe në Kosovë, edhe në Serbi. Aleksandër Ivanko sjell shembuj se si kanë votuar kroatët e Kosovës për zgjedhjet në Kroaci.

“Parimet e përgjithshme ndërkombëtare për njerëzit që kanë shtetësi të dyfishtë janë se ata mund të votojnë përmes postës, ose mund të votojnë në shtetet ku jetojnë. Për shembull, kur kishte zgjedhje të përgjithshme në Kroaci, qenë hapur vendvotimet për qytetarët kroatë në Kosovë, që të votojnë për zgjedhjet e përgjithshme kroate. Sa i përket zgjedhjeve nacionale, nuk është problem i madh, por problem më i madh janë zgjedhjet lokale. Dhe, kjo është ajo që mundohemi të qartësojmë qëndrimin tonë”, tha Ivanko.

Por, Ahmeti Isufi thotë se serbët e Kosovës mund të votojnë për zgjedhjet serbe në Serbi, e kurrsesi në Kosovë.

“Parimi i dyshtetësisë mund të merret si argument kur serbët mund të dalin në Serbi dhe të votojnë, por brenda territorit të Kosovës të mbahen zgjedhje nga ana e një shteti tjetër... sepse të njëjtën gjë ne e kemi me shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Asnjëherë ata nuk kanë mundur të zbatojnë një parim të tillë”, tha Isufi.

Ndryshe, serbët e Kosovës, që nga vendosja e administratës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, kanë votuar vazhdimisht për zgjedhjet lokale dhe parlamentare të Serbisë, përderisa deri më tani, në masë të madhe, i kanë bojkotuar zgjedhjet e organizuara nga UNMIK-u.
XS
SM
MD
LG