Ndërlidhjet

Niveli i korrupsionit në pushtetin lokal



Korrupsioni në Kosovë ka një shtrirje të gjerë dhe këtë e kanë dëshmuar shumë hulumtime të organizatave ndërkombëtare dhe vendore. Rreth 60 për qind është niveli i korrupsionit vetëm në pushtetin lokal. Këto janë të dhënat e fundit nga një hulumtim që ka zhvilluar në muajin janar Instituti Demokratik i Kosovës. Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv në këtë institut, tha se për fushat që respondentët janë të interesuar që të arrihet përparim, është lufta kundër krimit dhe korrupsionit si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal, për çka janë shprehur 54 për qind e të anketuarave, ndërkaq gjenerimi dhe krijimi i kushteve për punësim zë vendin e dytë, për çka janë shprehur vetëm 42 për qind.

“Qytetarët, kryesisht, korrupsion e konceptojnë dhënien e ryshfetit, apo në përqindje që paguhen me dhëniet e tenderëve dhe gjërave tjera që kanë të bëjnë me kompanitë private dhe bizneset”, thotë Kryeziu.

Edhe kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Bajram Rexhepi, thotë se korrupsioni është i pranishëm në kuvendet komunale, por ai pohon se do të ndëshkohen të gjithë ata që shkelin ligjin.

“Tenderomania është gjithmonë prezente; aty është bërë auditimi i brendshëm dhe raporti i auditorit; mund të ketë korrupsion, por ne vetëm sa kemi filluar. Unë, prej fillimit, kam qenë ithtar i asaj se nuk do të lejohet korrupsioni dhe do provojmë që të mos ketë korrupsion, por për të dhëna të sakta nuk mund të them”, shprehet Rexhepi.

Pikërisht për këtë çështje, Ismet Kryeziu, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se kjo organizatë do të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të krijiojë planin e veprimit anti-korrupsion në nivelet lokale.

“Kjo është një nismë e parë për të tentuar një lloj presioni që të zhvillojnë një plan anti-korrupsion në nivelet e qeverisjes lokale, që i obligon asambletë komunale ta krijojnë atë plan, dhe mundëson që qytetarët të kenë një qasje më të mirë në kuvendet komunale”, thotë Kryeziu.

Shpend Tërdeva, zëvendësministër i Pushtetit Lokal, tha se aktivitetet e kësaj ministrie në fushën e anti-korrupsionit realizohen përmes mekanizmave që ka ngritur Qeveria e Kosovës. Ai, ndërkaq, thotë se Ministria e Pushtetit Lokal është aktive përballë kësaj dukurie.

"Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka zhvilluar planin e transparencës dhe është duke punuar në komunat që kanë 24 plane aksionale në zbatim, që mundësojnë mekanizmin dhe metodologjinë, që aktivitetet të bëhen transparente, në mënyrë që të ndikojnë si masa preventive në eliminimin e këtyre proceseve negative“, tha Tërdeva.

Por, ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se nëse Qeveria e Kosovës do të ketë sukses ta luftojë korrupsionin në nivelin qendror, shumë lehtë mund ta zhdukë fenomenin e korrupsionit edhe në pushtetin lokal. Ali Jakupi thotë se nëse ekziston gatishmëria, mundësitë për eliminimin e korrupsionit ekzistojnë.

"Ka edhe të drejtë morale, por edhe të drejtë veprimi, në mënyrë konkrete, që aty ku nuk zbatohet ligji anti-korrupsion, atëherë ata kanë forcë që të ndërmarrin masa me sanksionime përkatëse dhe secili do t'i nënshtrohet procedurave ligjore”, tha Jakupi.

Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës i ka shpallur luftë korrupsionit institucional. Tolerancë zero ndaj korrupsionit është qëndrimi i Qeverisë së Kosovës përballë atyre që shpërdorojnë detyrën që kanë në institucionet e Kosovës.
XS
SM
MD
LG