Ndërlidhjet

logo-print

Bush: Vendime historike për Shqipërinë, Kroacinë e Maqedoninë


Presidenti amerikan, George Bush, në Bukuresht - 2 prill 2008

Presidenti amerikan, George Bush, në Bukuresht - 2 prill 2008

Sot, në Rumani, fillon takimi treditor i NATO-s, ku do diskutohet zgjerimi i Aleancës me Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë, si dhe afrimi në këtë strukturë i Ukrainës dhe i Gjeorgjisë. Presidenti Bush ka thënë se "nesër do merren vendime historike për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë, të cilat presin ftesa për anëtarësimin në NATO".


Shefat e shteteve të vendeve anëtare të NATO-s kanë filluar të mblidhen në Bukuresht të Rumanisë, ku sonte fillon samiti treditor i Aleancës Veriatlantike. Në këtë takim do merren vendime, të cilat presidenti amerikan,George Bush,i cilësoi si historike. Duke folur sot, në Bukuresht, presidenti Bush ka thënë se "nesër do merren vendime historike për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë, të cilat presin ftesa për anëtarësimin në NATO". Bush ka bërë të qartë se SHBA-të janë në favor të marrjes së ftesës nga të trija vendet nënshkruese të Kartës Adriatik 3.

Mirëpo, në këtë moment, ende është e paqartë nëse ftesë do të mund të marrë edhe Maqedonia, për shkak të kundërshtimit të Greqisë lidhur me emrin. Greqia vazhdon të këmbëngulë se do të pengojë dërgimin e ftesës, në rast se nuk zgjidhet konflikti për emrin.

Sipas burimeve të NATO-s, në samit do diskutohet edhe për Kosovën. Për Kosovën pritet të diskutojnë jo vetëm shefat e shteteve, por edhe ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Aleanacës, që paralelisht takohen në Bukuresht.

Çështjet e tjera që diskutohen në samit janë edhe perspektiva për anëtarësim për Ukrainën dhe Gjeorgjinë. SHBA-të, siç ka bërë të qartë presidenti Bush në Kiev, por edhe sot në Bukuresht, mbështesin afrimin e Kievit dhe të Tbilisit në NATO përmes planit të veprimit për anëtarësim.

Një hap i tillë ka hasur në kundërshtimet e Gjermanisë dhe Francës, të cilat thonë se Kievi dhe Tbilisi nuk i përmbushin kriteret e NATO-s.

Kryeministri francez, para takimit, tha se është i shqetësuar lidhur me mundësinë e prishjes së barazpeshës në raportet Evropë-Rusi. Moska kundërshton zgjerimin e NATO-s me ish-republikat sovjetike.

Dërgimi i më shumë trupave në Afganisatn është një tjetër temë qendrore e takimit të Bukureshtit. Në një sesion të posaçëm me udhëheqësit e vendeve të NATO-s do të takohet presidenti afgan Hamid Karzai.

Presidenti Bush, pas Bukureshtit, do vizitojë Kroacinë, ku pritet të takohet me drejtuesit e vendeve që do marrin ftesën për anëtarësim në NATO.
XS
SM
MD
LG