Ndërlidhjet

Buja: Ndarja nuk sjell asgjë të mirë për serbët


Ramë Buja

Ramë Buja

"Planet e Beogradit për ndarjen e Kosovës janë të vjetra dhe nuk do t'u sjellin asgjë të mirë serbëve në Kosovë dhe as atyre në Beograd", thotë Ramë Buja, nga Partia Demokratike e Kosovës, për Radion Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Buja, autoritetet serbe në Beograd vazhdojnë të insistojnë në atë që ata e quajnë ndarje funksionale të Kosovës midis shqiptarëve dhe serbëve. Si i shihni ju këto plane të Beogradit zyrtar?

RAMË BUJA
Konsideroj se këto plane nuk janë të reja, janë plane bukur të vjetra, që i rivënë në veprim serbët. Unë besoj se këto janë përpjekjet e fundit që të bëjnë diçka që nuk është racionale për serbët e Kosovës. Ne mendojmë se këto veprime nuk do t'u sjellin mirë as atyre në Beograd, as këtyre në Kosovë. Mendoj se inkuadrimi dhe integrimi i serbëve në Kosovë, në shoqërinë e re të krijuar, do të ishte shumë më profitabil, sesa çdo veprim tjetër.

Mirëpo, këto gjëra, këto plane, këto insistime nuk na befasojnë asnjëherë. Si fqinj të mirë mund të bisedohet për gjëra të caktuara, mirëpo me këto insistime, që nuk janë hiç në kuadër të një korrektësie elementare politike të fqinjësisë së mirë, gjërat nuk mund të bëhen.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër është paralajmëruar edhe mbajtja e zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë. Çfarë mendoni se duhet të bëjë Prishtina në këtë drejtim, të lejojë apo jo mbajtjen e këtyre zgjedhjeve?

RAMË BUJA
Po të ishte në kompetenca të Prishtinës, të Qeverisë së re të Kosovës, kjo do të ishte vendosur shumë lehtë, shpejt dhe në mënyrë racionale. Por, meqë akoma UNMIK-u ka funksionet e veta për të ndalë apo mos ndalë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve, kjo lë një zbrazësirë.

Përndryshe, nëse flitet për disponimin e lidershipit të Kosovës, ata natyrisht janë për t'u mos mbajtur këto zgjedhje, sepse ligjet e Ahtisaarit nënkuptojnë dyshtetësinë, por, megjithatë, ai që ka dyshtetësinë do përcaktohet se ku dhe kë do zgjedhë.

Andaj, Kosova nuk do të duhej të ishte një poligon eksperimentimi - të vazhdojë të jetë, sepse ka qenë një kohë të gjatë, dhe është mirë që ata që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë, të shkojnë në Serbi dhe të votojnë dhe kanë të drejtën dhe mundësinë që të mos jenë të penguar. Por, të mbahen zgjedhje në Kosovë kur Kosova ka shpallur mëvetësinë e vet dhe është pranuar prej 36 shteteve, do të ishte një provokim i rëndë për popullatën shumicë të Kosovës.

Druaj se mund të provokohet ndonjë gjë që nuk e dëshiron asnjëra palë, por njerëzit ekstremë janë nga të dyja palët. Mbase ka edhe pak kohë kur institucionet e Kosovës mund të dalin me një mendim të prerë për këtë gjë, natyrisht duke u koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare. Besoj se nuk do të ketë telashe të mëdha rreth këtij problemi.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, bisedimet mbi një çështje të ndjeshme midis Prishtinës dhe Shkupit kanë filluar, pra mbi demarkacionin e kufirit midis të dyja vendeve. Si e shihni ju zgjidhjen e këtij problemi?

RAMË BUJA
Meqë ka kaluar në sfond politik kjo dhe marrëveshjet politike nganjëherë dinë të jenë më të suksesshme se ato që janë teknike dhe administrative, besoj se edhe kjo çështje do të përfundojë mirë.

Veprimi i arsyeshëm dhe racional i Maqedonisë dhe i krijimit të një ndjenje më miqësore mes shtetit më të ri në botë, Kosovës dhe saj, do kishte ndodhur po qe se ata pa shtruar kushtin e demarkacionit do pranonin pavarësinë e Kosovës. Por, kjo ka ndodhur tanimë dhe janë formuar dy grupe dhe unë besoj se do të jetë një marrëveshje shumë përmbajtjesore.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohët e fundit ka filluar të ngritët çështja e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, ashtu siç është e paraparë edhe me planin e Martti Ahtisaarit. Ju përfaqësoni partinë në pushtet. Cili është qëndrimi juaj në këtë drejtim?

RAMË BUJA
Absolutisht nuk jemi mohues të kësaj gjëje. Ka ligje që përcaktojnë diçka të tillë që duhet të mbahet dhe në çfarë afati duhet të mbahet, por është një "e keqe" në Kosovë, që akoma, meqë nuk kanë marrë rrugë zbatimet e ligjeve mirëfilli, vendimet politike kanë ndikimin e vet absolut.

Përsëri, mbase, këto zgjedhje që do mbahen në afat të shkurtër apo pakëz më të gjatë, do të jenë çështje të vendimeve politike të lidershipit politik të Kosovës. Nuk jemi mohues të kësaj gjëje. Kurdo që mendohet se ato zgjedhje mund të sjellin racionalitet, arsyeshmëri dhe sukses për Kosovën, ne jemi për t'i mbajtur.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, për fund, derisa ne po flasim, në Bukuresht ka filluar samiti i NATO-s, në të cilin pritet që tri vendet e Ballkanit, Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia, të marrin thirrje për t’iu bashkuar Aleancës. Kur e shihni Kosovën në pozitën që këto tri vende tash janë?

RAMË BUJA
Unë isha në një tryezë shkencore që mbajti Universitetit i Evropës Juglindore në Maqedoni dhe ua pata zili që ata debatonin për këtë çështje. U thash që ua kam zili, për faktin që Kosova do të kalojë edhe një kohë kur do të mund të debatojë për këtë çështje, në pragun e hyrjes në NATO.

Megjithatë, kemi një fat, se nuk besoj që do të shkojë rrugë shumë e gjatë, sikur u ka shkuar disa tjerëve. Maqedonia kremton 17 vjetorin e pavarësisë dhe tash pas 17 vjetëve hyn në NATO. Unë besoj se rruga jonë do të jetë më e shkurtër, për shkak të rretahnave të krijuara.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG