Ndërlidhjet

logo-print

Si do të hyjnë ndihmat e Rusisë në Kosovë?


Paqeruajtësit e KFOR-it në kufirin verior të Kosovës, Jarinjë.

Paqeruajtësit e KFOR-it në kufirin verior të Kosovës, Jarinjë.

Autoritetet ruse nuk kanë marrë leje as nga Qeveria e as nga UNMIK-u, për importimin e ndihmave për komunitetin serb në Kosovë. UNMIK-u thotë se nuk ka nevojë për një leje të tillë, por duhet respektuar procedurat doganore.


Nuk ka nevojë të kërkohet leje për të futur ndihma në Kosovë - është qëndrimi i UNMIK-ut, përderisa Qeveria e Kosovës kërkon që gjithsesi për ndihmat të njoftohen autoritetet dhe ato të kontrollohen dhe menaxhohen nga autoritetet kosovare. Por, për kontingjentin e ndihmave dedikuar serbëve në Kosovë, Qeveria ruse deri më tani nuk ka njoftuar as Qeverinë e as UNMIK-un. Madje, nuk është njoftuar as Shërbimi Doganor, për t'i përmbushur procedurat e nevojshme doganore, kur bëhet fjalë për importim të ndihmave humanitare.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko, thotë se ndihmat humanitare ruse mund të hyjnë në enklavat serbe, por duhet së pari të respektohen procedurat doganore.

“Nuk ka nevojë të kërkohet leje, por ajo që duhet bërë është që të zbatohen procedurat, në veçanti ato që lidhen me doganat. Ndihma vijnë pothuajse çdo ditë dhe nëse të gjitha procedurat vijohen, ndihmat mund të hyjnë në Kosovë”, tha Ivanko.

Por, në rast se as ky formular nuk plotësohet, ndihmat rrezikojnë të mos hyjnë në Kosovë.

“Paraprakisht donatorët duhet të aplikojnë, në mënyrë që të certifikohen donacionet. Është një procedurë e lehtë, ata dërgojnë faks te doganat. Kontingjenti i ndihmave ruse nuk ka aplikuar ende për këtë. Nëse nuk aplikojnë, nuk mund të hyjnë këto ndihma, ose mund të hyjnë, por t’i nënshtrohen procedurave doganore, pra të zhdoganohen”, thotë zëdhënësja e Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, Mehtild Henneke.

Siç është paralajmëruar, në Kosovë për dy ditë duhet të arrijë ndihma e Qeverisë ruse, e cila përmban 40 tonë ushqim, e cila është e dedikuar për banorët serbë në enklavat në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi mirëpret çdo ndihmë për qytetarët kosovarë, edhe pse ai shpreh rezervën ndaj shpërndarjes së ndihmave në baza etnike. Sidoqoftë, ai thotë se çfarëdo ndihme që hyn në Kosovë, do të kontrollohet nga autoritetet.

“Qeveria e Kosovës e ka marrë informacionin për donacionet që vijnë nga Rusia. Ne mirëpresim çdo donacion që vjen për Kosovën; në këtë kuptim, Qeveria e Kosovës ka kujdes për të gjithë qytetarët e saj, përfshirë edhe ata serbë. Por, këto donacione duhet të jenë të kontrollueshme dhe të menaxhuara nga niveli qendror dhe nga organet kompetente. Është kompetencë e UNMIK-ut dhe e KFOR-it, e inspeksioneve të shëndetësisë e bujqësisë, që t'i kontrollojnë mallrat dhe ne besojmë se ata do ta kryejnë punën e vet”, tha Kuçi.

Kontingjenti rus prej 40 tonësh ndihma tashmë ka arritur në Beograd dhe në Kosovë pritet të hyjë përmes pikave kufitare në veri. Por, procedurat doganore, të cekura nga zyrtarët e UNMIK-ut, vështirë se do të përfillen atje, meqë, në veri, për më shumë se një muaj e gjysmë nuk ka fare pika doganore, ngaqë ato u dogjën pas shpalljes së pavarësisë nga serbët, që protestonin kundër shpalljes.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se në pika kufitare janë të vendosur policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i, të cilët kontrollojnë mallrat, por vetëm nga aspekti i sigurisë.

“Siç e dini, pas shpalljes së pavarësisë, pasi që janë djegur dy pikat në veri, ato nuk funksionojnë. Atje është KFOR-i dhe polica e UNMIK-ut dhe të gjitha mallrat që hyjnë atje, kontrollohen në aspektin e sigurisë; por, mallrat që janë komerciale drejtohen për te terminali doganor në pjesën jugore të Mitrovicës”, tha Stavileci.

Ndryshe, aeroplani i parë me 40 tonë ndihma humanitare nga Rusia për serbët e Kosovës është ulur sot në Aeroportin e Beogradit. Sipas burimeve ruse, sasia e ndihmave për pakicën serbe në Kosovë do të jetë 140 tonë.
XS
SM
MD
LG