Ndërlidhjet

Rreziku i humbjes së investitorëve për "Kosova C"



Nëse vazhdon të zvarritet realizmi i projektit 'Kosova C', ekziston rreziku nga humbja e investitorëve potencialë. Kështu bëjnë të ditur udhëheqës të projektit dhe ekspertë për çështje energjetike dhe ekonomike. Ndryshe, Ministria e Ekonomisë dhe Financave ka bërë publike katër kompanitë kualifikuese për garën e mëtutjeshme për ndërtimin e termocentralit 'Kosova C', që, sipas strategjisë për energji, duhet të fillojë deri në fund të këtij viti.

Lorik Haxhiu, udhëheqës i këtij projekti, pohon se në rajon ka mungesë të madhe të energjisë dhe për këtë arsye projekti 'Kosova C' ballafaqohet me konkurrencën e vendeve apo projekteve tjera të rajonit.

“Kosova është në garë me vendet e rajonit për investime, sepse kemi projekte në rajon. Vetëm në bazë të linjitit, duke përfshirë edhe 'Kosovën C', planifikohet që në periudhën afatmesme të zbatohen 2000 megavat. Normalisht që këto kërkojnë investitorë të kualifikuar dhe jemi në garë me vendet tjera të rajonit për këtë çështje”, tha Haxhiu.

Lorik Haxhiu tregon konkurrentët rajonalë të projektit 'Kosova C':

“Vetëm në bazë të linjitit kemi konkurrencë të vendeve tjera, siç është Bosnja; ata planifikojnë një ndërtim në bazë të qymyrit. Gjithashtu është edhe Serbia dhe vende të tjera. Në Bosnjë planifikohen 2500 megavat, në Kroaci 1100, Maqedoni 700, në Bullgari 1500, Shqipëri 150 dhe në Rumani 970 megavat. Këta janë konkurrentë të projektit tonë”, thotë Haxhiu.

Ekspertë të energjisë thonë se institucionet vendimmarrëse duhet patjetër të japin një përgjigje se çfarë në fakt po ndodh me projektin 'Kosova C'. Gazmend Begolli pohon se kërkesat për energji janë shumë të mëdha edhe në Kosovë, por edhe në rajon. Për këtë, ai thotë se amullia e krijuar në këtë fushë, është humbje kohe e paarsyeshme, e cila Kosovës do t'i kushtojë shumë shtrenjtë.

“Zvarritja e punës mund të na dobësojë pozicionet tona. Çkado që zvarritet ka edhe pasojat e veta”, pohon Begolli.

Por, ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se në 15 vjetët e ardhshëm do të rritet shumë kërkesa për energji, për shkak të rritjes ekonomike. Shpend Ahmeti, drejtor i Institutit për Studime të Avancuara, GAP, thotë se për këtë arsye, të gjitha vendet e rajonit po mundohen që të sigurojnë projekte dhe investitorë për energji elektrike.

“Këtu kemi nëntë projekte në rajon, disa janë termocentrale dhe hidrocentrale. Në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me investitorët e njëjtë, sepse këto janë kompanitë më të forta botërore në aspektin e energjisë elektrike. Ato kompani që i shohim ne këtu në listën e ngushtë të investitorëve, janë në të njëjtën kohë të interesuara edhe në projektet tjera në rajon”, thotë Ahmeti.

Ndërtimi i termocentralit ‘Kosova C’, me kapacitet instalues 2100 megavat, është projekti më i madh kapital deri më tani në Kosovë, që kap shifrën deri në 3.5 miliardë dollarë. Ky projekt parasheh edhe zhvillimin e një miniere të re të linjitit për furnizimin e njësive gjeneruese në Sibovc dhe rehabilitimin e disa njësive të termocentralit ekzistues ‘Kosova A’. Sipas strategjisë, ky projekt duhet të mbarojë në vitin 2013.
XS
SM
MD
LG