Ndërlidhjet

Fehmiu: Kushtetuta nxjerr Kosovën nga pellgu i kolonializmit


Fatmir Fehmiu

Fatmir Fehmiu

"KFOR-i është pjesë përbërëse e krijimit të sovranitetit të Kosovës dhe do ta ushtrojë funksionin deri në krijimin e stabilitetit, të institucioneve të sigurisë dhe të çdo gjëje që e bën shtetin shtet", thotë profesori i së drejtës kushtetuese, Fatmir Fehmiu, në intervistë për Radion Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Fehmiu, është certifikuar dje draft-kushtetuta e hartuar nga komisioni kushtetues. Çka e bën të veçantë këtë Kushtetutë dhe sa do të jetë e mundur të zbatohet në praktikë?

FATMIR FEHMIU
Projekti i Kushtetutës së Republikës së Kosovës është produkt i punës 15-mujore intensive, e që është punuar sipas parimeve të metodologjisë shkencore të hartimit të akteve juridike në përgjithësi dhe atyre kushtetuese në veçanti, por në kushte specifike dhe të veçanta të determinuara nga rrethanat vendore dhe ndërkombëtare.

Në fakt, procesi i artikulimit të idesë, i pozitivizimit të saj dhe formulimet konkrete janë materializim i përcaktimeve politike të brendshme dhe ndërkombëtare, me rrugëtim 'sui generis'. Këtë e provoi formimi i grupit strategjik politik, Grupi i Unitetit dhe Grupi Negociator në njërën anë dhe negociatat e bëra me palën serbe në Vjenë, të cilat, me keqardhje, nuk përfudnuan me marrëveshje, por, megjithatë, u kurorëzuan me marrëveshjen e gjithëpërfshirëse për statusin e Kosovës të marsit 2007, të hartuar nga përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, e që u miratua nga Kuvendi i Kosovës.

Kështu pra, projekti i Kushtetutës së Republikës së Kosovës është hartuar sipas platformës të përcaktuar e të miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe shpreh artikulimin e saj. Projekti i Kushtetutës artikulon faktet e Kombeve të Bashkuara, Këshillit të Evropës dhe të Bashkësisë Evropiane me inkorporim të specifikave dhe si i tillë është real-programatik.

Si rezultat i kësaj është deklarata e pavarësisë, e cila i ka paraprirë dhe e cila po ashtu është materializuar me pjesën normative të projekt-kushtetutës. Deklarata shpall Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo Kushtetutë e artikulon në nenin një, por edhe në nenet tjera; shpall republikë demokratike, laike, multietnike, ose, thënë më mirë, shteti dhe feja janë të ndara. Pranimi plotësisht i obligimit të Kosovës për t'iu përmbajtur planit të Ahtisaarit, miratimi sa më i shpejtë që është e mundur i Kushtetutës, janë realizuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Në deklaratën e pavarësisë, Kosova është definuar si shtet multietnik, duke vënë në radhë të parë qytetarin e jo etninë. A është marrë për bazë ky parim?

FATMIR FEHMIU
Ky është një parim i kombinuar. Nëse e marrim nenin 3 të projekt-kushtetutës, aty thuhet se Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, do të thotë, shumetnia dhe struktura e saj shumetnike.

E gjithë kjo jep bazën për konkretizimin e këtyre dispozitave themelore në pjesë tjera normative, siç janë për shembull të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, pozita e komuniteteve dhe përfundimisht ajo që quhet sovranitet, që buron nga populli, për popullin dhe realizohet përmes përfaqësuesve, do me thënë përmes Kuvendit të Kosovës, si personifikim i sovranitetit dhe me referendum e forma të tjera të demokracisë së drejtpërdrejtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të definohet sovraniteti i Kosovës, kur dihet se për sigurinë do të jenë përgjegjëse forcat e NATO-s?

FATMIR FEHMIU
Sovraniteti i Kosovës ka qenë nën sovranitetin e Republikës së Serbisë. Kosova nën regjimin e Serbisë ka qenë një koloni e tipit klasik. Këtu qëndron edhe vlera e kësaj Kushtetute, se e nxjerr nga pellgu i kolonializmit Kosovën. Kjo është bërë me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, në radhë të parë të NATO-s.

Kështu që forcat e sigurisë, të quajtura KFOR, janë pjesë përbërëse e krijimit të këtij sovraniteti, dhe si të tilla do ta ushtrojnë funksionin deri në momentin kur të krijohet stabiliteti, institucionet e sigurisë dhe çdo gjë që e bën shtetin shtet.

Duke pasur parasysh orientimet që Kosova të jetë pjesë e subjektit euro-atlantik, atëherë përgatitja e subjektit të sigurisë së Kosovës është po ashtu nën mbikëqyrjen dhe dhënien e ndihmës nga ana e KFOR-it, për t'u formuar, konsoliduar dhe avancuar deri në atë nivel që të jetë e aftë Kosova, me forcat e veta, ta ruajë rendin dhe qetësinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë rëndësie u është kushtuar pakicave kombëtare?

FATMIR FEHMIU
Kur flasim për këtë kategori, do të shohim në kapitullin e tretë – për komunitetet është ndarë një pjesë e veçantë. Këtu kemi parimet e përgjithshme që nuk janë gjë tjetër veç artikulim i Konventës evropiane për mbrojtjen e pakicave, e jo vetëm të kësaj konvente, por edhe i Konventës evropiane për mbrojtjen e gjuhëve regjionale dhe të pakicave.

Kështu që ato faktikisht janë specifikuar konform nevojave dhe realitetit shoqëror të Kosovës, pasi kemi shkuar edhe nga aspekti teorik, që norma të jetë pasqyrë e qenies shoqërore, por edhe kultivimi i kulturave që gjatë shekujve janë krijuar dhe japin një kualitet jashtëzakonisht të mirë.

Këtu, në lidhje me komunitetet, kemi të drejtat kolektive dhe individuale. Çka do të thotë të drejta kolektive, nga çka varen? Varen nga substrati i përbërjes në ambientin e caktuar; nëse është një numër i konsiderueshëm që tradicionalisht jeton aty, aty tash kemi organizimin e institucioneve arsimore, fetare, gjuhësore, artistike etj. Me një fjalë, çdo gjë që ka një kolektivitet, duhet të kultivohet dhe si e tillë të jetë pjesë përbërëse e super-strukturës dhe asaj që e quajmë e njerëzishme.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG