Ndërlidhjet

Vazhdojnë problemet me energji elektrike



Situata me furnizim me energji elektrike në Kosovë edhe sot vazhdon të jetë e rëndë dhe me reduktime të gjata, ndërkaq, në disa rajone rrymë ka pasur vetëm tri orë brenda ditës. Zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës pohojnë se pasojë e kësaj gjendjeje është rënia e bllokut B2 të Termocentralit Kosova B.

Syrmije Kika, zëdhënëse në këtë korporatë, thotë se në orët e vona të pasdites pritet të përmirësohet gjendja me energji.

“Në bllokun B2 kanë vazhduar për riparimin e rrjedhjeve në kolektorin e jashtëm të këtij blloku. Nga ekipet tona të mirëmbajtjes në divizionin e gjenerimit njoftohet se nëse punët shkojnë si duhet, në orët e pasdites pritet kthimi i këtij blloku në prodhim", tha Kika.

Qytetarët e Kosovës, edhe sot do të furnizohen me rrymë sipas planit ABC, thotë Syrmije Kika, duke shpjeguar më shumë:

“Sot kemi një gjendje më të mirë, por, tash për tash, konsumatorët e kategorisë A furnizohen 4 me 2; kategoria B rrymë ka 4 me 2 në orët e rëndomta, ndërkaq në orët e konsumit të lartë është 3 me 3; kategoria C 3 me 3, ndërsa në orët e konsumit të lartë 2 me 4 në favor të territ”, shpjegon Kika.

Termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës vërtet janë të vjetra dhe nuk mundësojnë kapacitet prodhimi, por, në këtë kuadër, kujdes të shtuar duhet të ketë faktori njeri, thonë ekspertët.

Ilir Rama, drejtor i Institutit për Zhvillim të Qëndrueshëm, thotë se zyrtarë të KEK-ut duhet të marrin masa për rehabilitimin e njësive të caktuara, të cilat do t'i siguronin energji për një afat të shkurtër, sepse, thotë ai, jostabiliteti energjetik dhe pasiguria për furnizim stabil i ka shkaktuar dhe vazhdon t’i shkaktojë pasoja negative konsumatorëve dhe bizneseve.

“Mendoj se një prej zgjidhjeve është rehabilitimi i ndonjë njësie, sidomos i Termocentralit Kosova A, që mund të gjendet një zgjidhje për një afat të shkurtër. Zgjidhje tjetër siç është importimi i rrymës apo ndonjë zgjidhje tjetër, mund të jenë të kushtueshme dhe përsëri nuk janë zgjidhje që ofrojnë një stabilitet me energji”, thotë Rama.

Një zgjidhje më afatgjate, Rama e sheh tek privatizimi i ndonjë pjese të Korporatës Energjetike të Kosovës.

“Ndoshta pjesë prej tyre që janë më të leverdishme, të privatizohen, në mënyrë që të ngritët efikasiteti i tyre. Nuk besoj se mund të privatizohet miniera, gjenerimi, por sigurisht që rrjeti i distribucionit mund të privatizohet, në mënyrë që edhe efikasiteti i punës se tyre të ngritët”, thotë Rama.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG