Ndërlidhjet

Shutanovac: Zhvillimet në Mitrovicë – të dirigjuara nga Beogradi


Mitrovicë - Përleshjet midis protestuesve serbë dhe forcave të KFOR-it, 17 mars 2008.
Mitrovicë - Përleshjet midis protestuesve serbë dhe forcave të KFOR-it, 17 mars 2008.

Ndonëse ka shpjeguar se nuk ka thënë se kryeministri Koshtunica dhe ministri Samarxhiq kanë organizuar ngjarjet në Mitrovicë, Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Dragan Shutanovac, ka deklaruar se "qëndron pranë asaj se ngjarjet janë dirigjuar nga Beogradi".


Ministri i mbrojtjes i Serbisë, Dragan Shutanovac tha se zhvillimet në Mitrovicë kanë qenë "të dirigjuara nga Beogradi".

Ai ka qartësuar se nuk ka thënë se kryeministri Vojisllav Koshtuncia dhe ministri për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, i kanë organizuar ngjarjet në Mitrovicë, por sipas tij, "mbetet në qëndrimin se këto zhvillime ishin të dirigjuara nga Beogradi".

Këto komente zoti Shutanovac i bëri në një intervistë për të përditshmen Veçernje Novosti.

Sipas tij, pjesëmarrja në qeveri e Partisë Demokratike e ka penguar dërgimin e armatimit dhe luftën e mundshme në Kosovë.

"Jam i bindur se kemi penguar gjëra madhore: ndërprerjen e mëtejshme të raporteve me Bashkimin Evropian dhe skenarin e qartë që në rajonin më të gjërë në Kosovë të shkaktohen konflikte, që do të përshkallëzonin dhe nga Kosova do të krijonin një Bejrut, me pasoja të paparashikueshme", tha zoti Shutanovac.

"Dikush ka dashur që serbëve në Kosovë t'ju ndihmojmë duke ju dërguar armatim dhe municion" tha ai dhe shtoi se "këtë e dinë të gjithë që duhet ta dinë".

Në ngjarjet e dhunshme në Mitrovicë që ndodhën në 17 mars, një polic i UNMIK-ut e humbi jetën, ndërsa u plagosën 42 pjesëtarë të UNMIK-ut dhe 22 ushtarë të KFOR-it.

Paqëruajtësit ndërkombëtarë pësuan kur gjatë trazirave, protestuesit serbë hapën zjarr ndaj tyre nga armë automatike dhe hodhën mjete shpërthyese.

Shkas i protestave ishte ndërhyrje e forcave të rendit për të rikthyer kontrollin në ndërtesën e Gjykatës së Qarkut dhe Gjykatës Komunale në veri të Mitrovicës, e cila ishte okupuar nga protestuesit serbë.
XS
SM
MD
LG