Ndërlidhjet

"Kthimi i gjeneralit"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOHA DITORE
Afro një orë sa ka zgjatur seanca e së enjtes në Hagë, Hilmi Haradinaj rrallë e ka fikur cigaren, ndërsa bashkëshortja e tij mbante gishtërinjtë lidhur në prehrin e saj. E tërë familja priste në ethe. Nganjëherë shikimi i saj humbiste në një pikë të caktuar në dhomë. "Jemi në ethe të mëdha", thoshte Frashër Haradinaj, derisa po dilte nga dhoma diku në gjysmën e seancës. Derisa Ramush Haradinaj po ngrihej në këmbë me ftesë të gjykatësit, disa mijëra kilometra larg tij, të mbledhur në.shtëpinë e tyre në Gllogjan reaguan edhe anëtarët e familjes së ngushtë të tij. Babai Hilmiu e kafshonte fshehurazi buzen e siperme, ndërsa vëllai Frashëri uli kokën, bashkoi shuplakat e duarve, i mbështeti në mjekër dhe i mbylli sytë. Kur gjykatësi One e shpalli të pafajshëm Ramush Haradinajn, filluan urimet. "Është gëzim i madh. Ramushi jo që na duhet neve si familje, por i duhet edhe krejt Kosovës", tha Hilmiu…

KOSOVA SOT
Brenda një ditë, shqiptarët u janë gëzuar dy lajmeve. Njëri erdhi nga Bukureshti. Tjetri nga Haga. I pari, na kumtoi se shqiptarët janë ftuar të hyjnë në Aleancën më të fuqishme ushtarake të botës. I dyti, e konfirmoi edhe një herë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare për Kosovës për liri dhe pavarësi. Drejtësia, e munguar në shekuj për shqiptarët, tani flet me një gjuhë tjetër. Me marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, kombi ynë është më i sigurt dhe më i fortë. Tani jemi faktorë të rëndësishëm në rajon dhe më gjerë….Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është i lirë, duke shënuar kështu edhe një triumf jo thjesht individual, por një ripërforcim të imazhit të UÇK-së në botë…

ZËRI
Më 3 prill të këtij viti mori fund një rrugëtim i gjatë i Ramush Haradinajt, i cili me 8 mars të vitit 2005, dha dorëheqje në postin e kryeministrit të Kosovës, të cilin e mbante atëherë, dhe u nis vullnetarisht për në Tribunalin e Hagës, pasi që Prokuroria bëri pubiike aktakuzën ndaj tij. Ishte një moment tepër dramatik në rrjedhat politike në Kosovë, e cila akoma nuk kishte hyrë në procesin e zgjidhjes së statusittë saj. Priteshin, prej shumëkujt, thyerje të mëdha në vend (të të gjitha llojeve), por të gjitha ato mbeten në sferën-fushën e spekulimeve, sepse vetë Haradinaj e mbylli çeshtjen, jo vetëm duke shkuar vetë në Hagë, por duke e klasifikuar atë si një tjetër detyrim të tij për vendin e tij, dhe gjithnjë duke shprehur besimin në drejtësinë ndërkombëtare…

NACIONAL
Ajo që ishte ditur dhe pritur nga ata që kanë besuar në drejtësi, doli e vërtetë. Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm nga të gjitha akuzat me të cilat e ngarkoi dhe akuzoi Prokuroria. Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tij, që për tre vite qëndruan në burgun e Sheveningenit të Hages, janë protagonistë të luftës së UÇK-së. Sikur edhe bashkëluftëtarët e tjerë që më parë kaluan nëpër ato ulëse, Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarët e tyre, dëshmuan pastërtine e luftës së UÇK-së. Njerëzit që bartën një pjesë të madhe të udhëheqjes së lutës së UÇK-së arritën të mbrojnë dhe argumentojnë atë që ne e kemi ditur, por disa të tjerë kanë pasur dyshime, pastërtinë e luftës çlirimtare. Arrite për t'i treguar botës se luftuam per liri nga shtypja e dhunshme dhe se nuk ishim ne ata që shkaktuam dhimbje, tragjedi, masakra, vrasje dhe përdhunime. Këto i bënë ata që akuzuan shqiptarët se po kërkojnë liri, ishin ata që montuan këto akuza. Mbase shumë u ndihmoi këtyre trukeve të këqija edhe ish Kryeprokurorja e Hagës, Karla Del Ponte, së cilës dështimin në këtë proces ia kishte bërë të qartë shumë kohë me pare ish Kryegjykatësi i Hagës, Xhefri Najs…


EPOKA E RE
Kur Ramush Haradinaj, në marsin e vitit 2005, shpalli aktin e tij se ishte i gatshëm të shkonte në Hagë dhe ta dëshmonte pafajësinë ndaj akuzave të Tribunalit, kjo ishte një ditë e cila në vete kishte të vështirën e saj të pamohueshme, por njëkohësisht, krejtësisht e pazakontë, ishte edhe e dinjitetshme…Kjo do të ishte beteja e tretë e Ramush Haradinajt, përpara saj kishin qenë dy beteja të tjera dhe para vetes kishte betejën e katërt, e cila përfundoi më 3 prill 2008 në orën 16:54 minuta…Beteja e parë e tij është ndër më të njohurat, ose ajo që i dha edhe emrin e njohur, duke kaluar herë nga “Smajli” dhe herë tek emri i tij i vërtetë…Kur Ramush Haradinaj pranoi të bëhej kryeministër i Kosovës, në një koalicion paksa të çuditshëm, por që më pas u përsërit thuajse në të njejtat përmasa, ai nuk mund ta dinte se kishte filluar kështu beteja e tij e dytë për Kosovën dhe se kjo, si dhe e para, do të ishte poashtu pa ndjesinë e kohës dhe me të papriturat e saj…

INFOPRESS
Dita e tre prillit e vitit 2008 pa mëdyshje që do të shënohet me germa të arta në historinë e kombit shqiptar. Rrallë ndodh në histori që në distancë prej katër orësh një komb të rrumbullakojë dy ëndërra të mëdha. Hiç më larg se një muaj e njëzet ditë pasi të ketë realizuar të drejtën historike të gjysmës së kombit për të hequr qafe njeherë e pëRgjithmonë zgjedhjen e robërisë dhe për të siguruar lirinë e tij, pra bërjen e Kosovës shtet dhe njohja ndërkombëtare e këtij shteti, do t'u rreket dy ëndrrave të tjera. Vjen dita e 3 prillit, po e të njëjtit vit fatlum 2008. Diku rreth ores 13 të kësaj date u kumtua zyrtarisht se Shqipëria pranohet në aleancën më të fuqishme të botës, pra në NATO, kurse pak minuta para orës 17 u lexua aktgjykimi i Tribunalit të Hagës, nëpërmes të të ciit Ramush Haradinaj dhe Idriz Balaj pas akuzave jashtëzakonisht të rënda, duke përfshirë këtu edhe krimet kundër njerëzimit, po nga e njëjta gjykatë, lirohen tërësisht të pafajshëm. Kjo praktikisht do të thotë pranim ndërkombëtar të luftës së drejtë të UÇK-së dhe popullit të Kosovës...

EXPRESS
Kur Toma Nikoliqi, kandidat me perspektivë për president të Serbisë, e ka gojën të mbushur me citate të Carla Del Pontes për bubrekët serbë, shpresat që fajtorët përgjithmonë të identifikohen dhe dënohen nuk janë fort të gjalla. Nuk vihet në dyshim e drejta dhe nevoja e Tribunalit për t'idënuar fajtorët, por narracioni përfundimtar që po del nuk është i kënaqshëm. Kryeprokurorja Carla Del Ponte ka pjesën e vet të fajit. Më duket bizare ideja që aq shpejtë pas përfundimit të detyrës ajo të botojë një liber mbi "luftën e saj për drejtësi". Në këte liber të trashë, sipas raporteve mediale (që ndoshta mund të jenë të gabueshme), ka shumë fjalë për Miloseviçin dhe rolin e Serbisë në shpërbërje të Jugosllavisë. Por, ka shumë fjalë edhe për Kosovën dhe kosovarët, siç i sheh Carla. Shoqëri klanore, gjysmë kriminele, ku liderët politikë me kërcënim kanë bindur UNMlK-un dhe zyrat diplomatike që hyjnë në konspiracion për ta ndaluar "të vërtetën"….Pa ndërlidhje me proceset në shoqëri, pa mekanizëm të qartë arsimues, me kompromise të çuditshme dhe agjenda sekrete personale, Tribunali ka dështuar te projektimi i besës në drejtësi. Në Kosovë askush nuk do të derdhë lot kur të përfundojë mandati i tij…

LAJM
E enjta e 3 prillit do të mbahet në mend ndër shqiptarët. Një ditë me dy ngjatje të pritshe, që prekën ndjenjat e shqiptarëve anekënd. Hapja e dyerve të NATO për Shqipërinë dhe lirimi i Ramush Haradinajt nga Haga zgjuan vetëbesimin kolektiv të luhatur, të përcejllë me dyshim e dilema…Me ftesën që i është bërë për anëtarësim në NATO, Shqipëria e ka shansin të bërë prerje cezariane dhe të shkëputet nga hipoteka e së kaluarës. Fjalimi emocional i Berishës dhe zotimet e presidentit Topi se politikanët e Shqipërisë do ta mbështesin integrimin e Kosovës në NATO dhe Tirana do të japë konsulencën edhe për Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë, si dhe kontribut për Serbinë, janë perceptime se shqiptarët mund të shndërrohen në liderë të Ballkanit Perëndimor, ndoshta pozitën më të përshtatshme gjeostrategjike në botë….

BOTA SOT
Faleminderit Zoti President historik Xhorxh V. Bush! Faleminderit SHBA! I falënderojmë edhe aleatët besnikë të SHBA-ve, ata që miratuan qëllimin dhe idealin e Amerikës per të përkrahur lirinë dhe pavarësinë e kombeve të vogla e të shkelura padrejtësisht nga hegjemonitë lindore. A mund të konkludojmë, se ngjarja më e madhe në historinë e Shqipërisë, pas pavarësisë së saj, është data e 3 Prillit, dita kur Shqipëria zyrtarisht mori ftesën për anëtarësim në NATO. Ishin rrethanat historike në vitin 1917 që pamundësuan dhe cunguan shtetformmin në tërësinë e territorit etnik të shqiptarëve, por edhe gati 100 vjet me vunë anathema dhe persekutimi nacional kundër, shqiptarëve vazhdoi…Vetëm Zoti lart, Perëndia vetë dhe Amerika që është në dorë dhe në besë të Zotit, u gjet për shqiptarët…


XS
SM
MD
LG