Ndërlidhjet

Kërkohen premtime konkrete për të pagjeturit


Fotografitë e personave të pagjetur, të vendosura në rrethojat e Kuvendit të Kosovës

Fotografitë e personave të pagjetur, të vendosura në rrethojat e Kuvendit të Kosovës

Komisioni i ri qeveritar për persona të pagjetur është mbledhur sot, për herë të parë që prej themelimit të institucioneve të Kosovës. Udhëheqës të këtij komisioni thonë se do të punojnë me të gjithë mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë, për të zbardhur fatin e personave të zhdukur. Por, anëtarët e Asociacionit të personave të pagjetur thonë se kanë mbetur të zhgënjyer nga takimi, meqë, sipas tyre, kanë marrë vetëm premtime abstrakte.


Anëtarët e Asociacioni të personave të pagjetur në Kovovë janë ndarë të zhgënjyer nga takimi i parë i komisionit të ri qeveritar për persona të zhdukur, i cili është mbajtur sot në Prishtinë. Ata thonë se deri më tash, për fatin e personave të pagjetur nuk është bërë asgjë. Haki Kosumi, kryetar i Asociacionit të familjeve të personave të pagjetur, thotë se përveç formimit të disa komisioneve, nuk është bërë asgjë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Sipas tij, as udhëheqja e re e këtij komisioni nuk po merret seriozisht me çështjen e personave të pagjetur.

"Konkretisht nuk është premtuar asgjë. Kjo mbledhje totalisht ishte e papërgatitur. Ne, si familjarë të personave të pagjetur, jemi të pakënaqur dhe vërtet gjykojmë një qasje të tillë joserioze ndaj një problemi kaq serioz, siç është çështja e të pagjeturve të Kosovës", shprehet Kosumi.

Ndryshe, kryetari i Komisionit qeveritar për persona të pagjetur, Prenk Gjetaj, thotë se me krijimin e grupit punues për të pagjeturit, do të shtohen angazhimet për të zbardhur edhe fatin e më se 2 mijë personave që fugurojnë si të zhdukur.

"Së shpejti, ky grup punues do të fillojë punën për t'i përcaktuar objektivat e punës, gjegjësisht një plan veprimi për zgjidhjen e problemit të të pagjeturve, i cili vazhdon të jetë shumë problem i madh, pasi që afer 2000 mijë persona konsiderohen të pagjetur", tha Gjetaj.

Por, Kosumi thekson se nga qeveritarët kanë marrë premtime abstrakte dhe jo konkrete. Ai më tej ka shtuar se sa herë që po ndërrohet udhëheqësia e institucioneve të Kosovës, çështja e personave të pagjetur po nis nga e para.

"Ka munguar kontinuiteti i komisionit të mëparshëm; është përbërja e re dhe, në njëfarë mënyre, si shumë herë, po fillohet nga e para, nga zeroja. Dhëntë Zoti që me një angazhim, me një përkushtim tjetër, të kemi dinamikë të punës dhe punë më profesionale", thotë Kosumi.

Por, zoti Gjetaj është zotuar se komisioni qeveritar do të punojë dhe do të jetë në gjendje që t'i marrë parasysh të gjitha kërkesat e familjarëve të personave të pagjetur.

"Jemi për të dëgjuar propozimet, kërkesat dhe për t'u funksionalizuar ky komision me të gjithë faktorët që ndihmojnë zgjidhjen e fatit të personave të pagjetur", tha Gjetaj.

Ndryshe, nuk dihet ende se kur do të rifillojnë bisedimet mes grupeve punuese nga Kosova dhe Serbia, për të zbardhur fatin e të pagjeturve.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG