Ndërlidhjet

Mospranimi në NATO ndikon në Bursën e Maqedonisë


Shkup - Ndërtesa e Kuvendit maqedonas
Shkup - Ndërtesa e Kuvendit maqedonas

Goditjen e parë të mosmarrjes së ftesës për anëtarësim në NATO e ka marrë Bursa e Maqedonisë, e cila brenda një dite pas kumtesës në Bukuresht, ka shënuar rënie prej 8,5 për qind.


Analistët e ekonomisë thonë se bëhet fjalë vetëm për një shok momental, duke theksuar se ditëve në vazhdim, megjithatë, do të stabilizohet një gjendje e këtillë.

“Duhet kuptuar se bëhet fjalë për një shok. Gjërat nuk janë dhe aq keq sa duket. Këtë situatë mund ta karakterizoj si zhvendoje të stabilitetit ekonomik në plan afatshkurtër”, thekson Goran Markoski, nga Bursa e Maqedonisë.

Ndërkohë, politikologët theksojnë se elita politike duhet të tregohet tejet e kujdesshme në periudhën e ardhshme, që pesimizmi i qytetarëve të Maqedonisë, pas mosmarrjes së ftesës në NATO, të mos eskalojë në krizë ekonomike ose politike.

"Gjëja që duhet bërë tani, është të vazhdohet me reformimin akoma më të madh të ushtrisë brenda, të vazhdohet me pjesëmarrje në misionet paqeruajtëse, të kërkohet të mobilizohen të gjitha potencialet intelektuale politike që të gjendet një platformë për vazhdimin e negociatave me Greqinë, të vazhdohet me realizimin e standardeve të 8 pikave që kërkohen nga Bashkimi Evropian për marrjen e datës për ftesë. Gjithashtu, është shumë pozitiv fakti se presidenti i SHBA-ve ofroi garanci për sigurinë e Maqedonisë, gjë që do të formalizohet me nënshkrimin e një marrëveshjeje gjatë vizitës së minisrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Antonio Milloshovski, pas vizitës së tij në Amerikë. Mendoj se përgjegjësia bie mbi liderët politikë që të jenë më të përgjegjshëm", thekson Qani Nuhiu, politikolog nga Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë.

Ndërkohë, Albert Musliu, nga organizata joqeveritare ADI në Gostivar, vlerëson se elita politike e vendit duhet fokusuar më shumë se kurdoherë në zgjidhjen e problemeve dhe jo rejtingun e partive politike. Sipas tij, muajt në vazhdim do të përcaktojnë fatin e vendit në proceset integruese.

“Duhet një seriozitet më i shprehur të reflektohet nga ana e elitës politike të Maqedonisë, që më me seriozitet dhe përgjegjësi t`u qasen problemeve të brendshme, që mos të lihet hapësirë që problemet e brendshme të tensionojnë situatën që do të kishte efekt negativ”, thotë Albert Musliu, nga organizata joqeveritare ADI në Gostivar.
XS
SM
MD
LG