Ndërlidhjet

Strategjia për dalje nga kriza energjetike



Ekspertë për çështje ekonomike e vlerësojnë pozitive strategjinë e qeverisë për daljen nga kriza energjetike, nëse kjo vërtet zbatohet. Por, sipas tyre, Qeveria e Kosovës, në rend të parë, është dashur të gjejë forma për daljen nga kriza në një periudhë afatshkurtër. Ndryshe, strategjia që qeveria e ka miratuar dje, parasheh që Korporata Energjetike e Kosovës, nga një kompani siç është, buxhet-harxhuese, të kthehet në kompani fitimprurëse.

Mimoza Kusari-Lila, drejtoreshë ekzekutive në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, pohon se Qeveria e Kosovës ka dhënë rezultatet finale dhe jo proceset nëpër të cilat duhet të kalojë për t'u transformuar KEK-u prej një kompanie buxhet-harxhuese në kompani fitimprurëse. Ajo thotë se për përmirësimin e gjendjes energjetike, së pari duhet të përmirësohen raportet në mes të udhëheqësve të KEK-ut dhe të Qeverisë së Kosovës.
Kusari-Lila thotë se Qeveria e Kosovës më shumë është fokusuar që të gjejë fajtorin e kësaj situate, sesa të gjejë zgjidhjen e këtij problemi.

“Besoj se duhet të ketë një qasje më serioze në menaxhimin e aseteve, për shkak se duhet shikuar se ku janë mangësitë, sepse KEK-u deri më tani ka thithur shumë fonde, të cilat tashmë nuk rezultojnë me rezultat të furnizimit me rrymë. Do të thotë, kemi një problem shumë më kompleks, sesa që mund të gjendet një zgjidhje e mënjehershme. Por, gjithsesi, duhet një koordinim dhe duhet punë e përbashkët e të gjithë akterëve, e jo punë e ndarë“, thotë Kusari-Lila.

Zonja Kusari-Lila pohon se për stabilitetin energjetik dhe për furnizim stabil duhet të bëhen analiza të mirëfillta, pasi, thotë ajo, për stabilizimin e gjendjes energjetike, KEK-u duhet të kalojë në faza të ndryshme.

“Faza e parë afatshkurtër do të ishte që të shikohen mundësitë se si mund të evitohen humbjet e vazhdueshme të KEK-ut, të cilat janë duke vazhduar prej kohës së marrjes së menaxhimit të KEK-ut; mandej, të shikohet në ndërrimin e pronësisë, prej asaj publike në atë private”, thotë Kusari-Lila.

Por, Muhamet Sadiku, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore RIINVEST, thotë se përgatitja e një strategjie të tillë është një reagim i logjikshëm dhe i ndërgjegjshëm ndaj krizës energjetike, që me vite të tëra po vazhdon në Kosovë. Por, megjithatë, sipas tij, edhe përkundër miratimit të strategjisë, vështirë se rrymë do të ketë 24 orë pa ndërprerë.

“Kam parasysh se gjatë kësaj periudhe, buxheti i Kosovës ka angazhuar 400 milionë euro dhe situata mbetet shumë fragjile - Kosova përballet me mungesën e rrymës, me furnizim jostabil dhe e tërë kjo reflektohet edhe në mjedisin e bizneseve. Mendoj se reagimi strategjik është përgjigjja më e mirë, por duhet pranuar se zhvillimet tregojnë që ndryshime të shpejta në këtë sektor nuk mund të bëhen. Ato premtimet 24 orë me rrymë vërtet vështirë se do të realizohen”, tha Sadiku.

Ndryshe, zbatimi i strategjisë, të cilën e ka miratuar dje Qeveria e Kosovës, pritet të fillojë pas 9 ose 12 muajsh, por, megjithatë, kjo strategji nuk siguron furnizim me energji 24 orë pandërprerë, ashtu siç kishin premtuar partitë që tashmë përbëjnë koalicionin qeveritar në fushatën parazgjedhore.

XS
SM
MD
LG