Ndërlidhjet

Bush: SHBA-të me ju, askush nuk mund t'jua marrë lirinë


Presidenti George Bush dhe zonja e parë Laura Bush arrijnë në Kroaci
Presidenti George Bush dhe zonja e parë Laura Bush arrijnë në Kroaci

"Ftesa për t'iu bashkangjitur NATO-s që iu dha Kroacisë dhe Shqipërisë është një votë besimi, që të vazhdoni me reformat. Nëse ndonjë rrezik kërcënon popujt tuaj Amerika dhe NATO-ja do të qëndrojnë përkrah jush dhe askush nuk do mund t'ju marrë lirinë", tha Bush në Zagreb.


Presidenti amerikan George Bush ka mirëpritur ftesën historike të NATO-s për Shqipërinë dhe Kroacinë dhe përsëriti mbështetjen e plotë amerikane për këto vende. Duke folur para një turme në sheshin kryesor të Zagrebit, Bush shprehu shpresën se Maqedonia do t'i bashkohet NATO-s së bashku me Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe ndoshta edhe Serbinë.

Bush kërkoi nga Tirana dhe Zagrebi që të vazhdojnë me reformat:
"Ftesa për t'iu bashkangjitur NATO-s që iu dha Kroacisë dhe Shqipërisë është një votë besimi, nëse ju do vazhdoni të ndërmerrni reformat e duhura dhe të bëheni kontribues të rëndësishëm të Aleancës sonë të fuqishme. Njëherësh, nëse ndonjë rrezik kërcënon popujt tuaj Amerika dhe NATO-ja do të qëndrojnë përkrah jush dhe askush nuk do mund t'ju marrë lirinë", tha Bush.

Presidenti amerikan mbërriti në Kroaci pas takimit të NATO-s në Bukuresht.

Bush shprehu keqardhjen që Maqedonia për shkak të mosmarrëveshjeve rreth emrit me Greqinë nuk mundi të marrë ftesën. Ai përsëriti se Amerika shpreson ta shohë Shkupin në NATO sa më shpejt që të jetë e mundur. Presidenti dhe kryeministri i Maqedonisë në Zagreb patën një drekë pune me presidentin amerikan, në të cilën morrën pjesë dhe udhëheqësit më të lartë të Kroacisë dhe Shqipërisë.

Bush duke folur për integrimin rajonal në strukturat atlantike tha se Bosnjë -Hercegovina dhe Mali i Zi duhet të bëjnë hapa përpara drejt anëtarësimit në NATO. Gjatë samitit të Bukureshtit udhëheqësit e Aleancës ranë dakord që të përfshihen në dialog intensiv me këto vende.
Bush nuk la pa përmendur dhe raportet me Beogradin, i cili ka përkeqësuar marrëdhëniet me perëndimin për shkak të pavarësisë së Kosovës.

"Aleanca e NATO-s është e hapur për të gjitha vendet e rajonit. Ne përshëndesim vendimin e Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi që të marrin hapa të reja drejt anëtarësimit, të quajtuara "dialogu intensiv". Ne shpresojmë se një Serbi e lirë dhe e përparuar do të gjejë vendin e duhur në familjen evropiane dhe të jetojë në paqe me fqinjët", tha Bush.

Presidenti amerikan nuk la pa çmuar dhe kontributin e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në luftën kundër ekstremizmit:
"Së bashku popujt e këtij rajoni po ndihmojnë që të përballemi me këtë rrezik. Sot ushtarë nga Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia po shërbejnë me kurajo në Afganistan, duke ndihmuar popullin afgan të mundë terroristët dhe të sigurojë të ardhmen në liri. Forca nga Shqipëria dhe Maqedonia po shërbejnë në Irak, ku po ndihmojnë popullin irakian të ndërtojë një shoqëri që nuk e pranon terrorin", tha Bush.

Pas vizitës në Zagreb presidenti Bush ka udhëtuar drejt Rusisë, ku në Soçi, në brigjet e Detit të Zi, takohet me homologun e tij rus Vladimir Putin dhe pasardhësin e këtij të fundit, Dimitri Medvedev.
XS
SM
MD
LG