Ndërlidhjet

Moore: NATO - garancë kundër sulmit të Serbisë


Patrick Moore
Patrick Moore

"Ftesa për anëtarësim në NATO, për Shqipërinë dhe Kroacinë, në veçanti, nënkupton garancë kundër sulmit të ardhshëm të Serbisë. Përvoja e disa ish-vendeve komuniste tregon se anëtarësimi në NATO është hap kah integrimi në BE", thotë analisti i Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore.


RADIO EVROPA E LIRË
NATO-ja është pajtuar ta ftojë Shqipërinë dhe Kroacinë për t'u anëtarësuar në Aleancë. Çka do të thotë kjo për këto dy vende ballkanike?

PATRICK MOORE
Para së gjithash, siç tha kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kjo është garancë e lirisë dhe për Shqipërinë dhe Kroacinë, në veçanti, nënkupton po ashtu garancë kundër sulmit të ardhshëm të Serbisë.

Më tutje, përvoja e disa ish-vendeve komuniste tregon se anëtarësimi në NATO është hap kah integrimi në Bashkimin Evropian dhe të gjithë e dimë se çka do të thotë kjo. Kjo do të thotë të ulesh në tryezë ku merren vendime të mëdha, nënkupton autoritet se i takon një blloku të pasur, pastaj mundësi për ndihma financiare e të tjera.

Pra, duke iu bashkuar NATO-s, bëhet një hap i madh i daljes nga errësira e madhe e epokës komuniste.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, është pritur që edhe Maqedonia do ta merrte ftesën, por Greqia e përdori veton për ta bllokuar këtë lëvizje. Si e komentoni ju këtë zhvillim?

PATRICK MOORE
Pikëpamja ime është se Athina po sillet si fëmijë dhe këtë po e bën duke e dëmtuar stabilitetin e Ballkanit dhe të vetë Greqisë. Për një kohë të gjatë, Greqia ishte i vetmi shtet ballkanik në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Mendoj se shumë njerëz shpresonin se Greqia do të tregojë lidership. Por, në vend të kësaj, ajo që pamë këtë javë, ishte se Greqia po tregon vetëm nacionalizëm të shekullit të 19-të dhe kjo është shumë zhgënjyese.

Mendoj se duhet të theksojmë se është reale që çështja e emrit, që është shumë e rëndësishme për Qeverinë në Athinë, nuk do t'i ndalë investimet dhe aktivitetet bankare greke në Maqedoni. Ashtu siç Greqia po përdorë presionin ndaj Maqedonisë, ka vende të tjera që mund të ndikojnë në sjelljen e Greqisë. Shpresoj se këto vende do ta bëjnë këtë për ta sjellur Greqinë në situatë që të bëjë kompromis. Jam i befasuar që këtë nuk e bënë gjatë kësaj jave. Në mënyrë specifike mendoj në ndihmën e madhe ushtarake që Shtetet e Bashkuara i japin Greqisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Samiti i NATO-s diskutoi po ashtu edhe për perspektiven e Ukrainës dhe Gjeorgjisë për integrim në NATO. Presidenti amerikan, George Bush, tha se ai e mbështet anëtarësimin e këtyre vendeve në NATO, por Gjermania dhe Franca e kundërshtuan këtë lëvizje. Si e shihni ju këtë situatë?

PATRICK MOORE
Kjo është fitore për Putinin dhe dështim diplomatik për George Bushin. Kështu raportoi edhe e përditshmja moskovite, Komersant. Rusia i ka miq gjysmën e establishmentit gjerman dhe e frikëson gjysmën tjetër të këtij establishmenti. Rusia e përdor në mënyrë shumë efektive ndikimin e saj ekonomik ndaj Evropës Perëndimore.

Shtetet e Bashkuara, Polonia, Estonia dhe disa shtete të tjera kanë paraqitur argumente politike në favor të Ukrainës dhe Gjeorgjisë, por Rusia ia doli ta ndalë aleancën me anë të presionit, të parave dhe të thirrjeve për anti-amerikanizëm në Evropën Perëndimore.

Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara do të duhej ta ketë parasysh këtë gjë dhe të vlerësojë se kush në të vërtetë është mik dhe aleat amerikan. Në këtë aspekt, ai apo ajo do të duhej t'i harmonizojë prioritetet në mënyrë përkatëse.
XS
SM
MD
LG