Ndërlidhjet

Kush ishin fituesit në takimin e Bukureshtit?


Presidenti i SHBA-ve, kreu i NATO-s dhe kancelarja gjermane
Presidenti i SHBA-ve, kreu i NATO-s dhe kancelarja gjermane

Shqipëria dhe Kroacia ishin vendet që shënuan triumfin e vërtetë në takimin e NATO-s. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nga vendet e "Evropës së re" u larguan me shumë më tepër buzëqeshje.

Shqipëria dhe Kroacia ishin vendet që shënuan triumfin e vërtetë në takimin e NATO-s në Bukuresht.
Sa i përket vendeve të tjera pjesëmarrëse fitorja apo humbja e tyre ishte më shumë çështje interpretimi.
Rusia për shembull, vuri theksin tek fakti që Gjeorgjia dhe Ukraina nuk morrën "Planin e Veprimit për Anëtarësi", si provë që Kremlini kishte kthyer pas përpjekjet e Aleancës për një zgjerim të mëtejshëm në hapësirën ish-sovjetike.
Uashingtoni nga ana tjetër nënvizoi si sukses kyç mbështetjen e NATO-s për planet amerikane në fushën e mbrojtjes raketore. Planet e Shteteve të Bashkuara për të vendosur një pjesë të mburojës raketore në Poloni dhe Çeki kundërshtohen ashpër nga Moska.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap De Hoop Scheffer në përfundim të takimit të Bukureshtit nënvizoi faktin se gjatë këtij samiti ishte parë qartë kompleksiteti i marrëdhënieve mes Moskës dhe Aleancës Veriatlantike.

"Sot raportet tona janë shumplanëshe, të ndikuara nga realitetet politike dhe çështjet në të cilat kemi dallime si dhe nga interesa praktike e pragmatike.
Gjatë takimeve tona do të rrisim përpjekjet për gjetjen e elementëve politikë që do na ndihmojnë në çështjet rreth të cilave kemi mosmarrëveshje", tha De Hoop Scheffer.

Nëse i hedhim një vështrim të shpejtë rezultateve të takimit të Bukureshtit mund të shohim se Uashingtoni dhe aleatët e vetë nga blloku ish komunist apo e njohur si "Evropa e re", arritën më shumë se ç'pritej.

Uashingtoni, Polonia, Çekia dhe vendet balltike mbështesnin ofrimin e "Planit të Veprimit për Anëtarësi" për Ukrainën dhe Gjeorgjinë, por ky hap kundërshtohej nga Gjermania dhe Franca nga droja se provokohej Rusia.

Tbilisi dhe Kjevi nuk e morrën një gjë të tillë, por nuk dolën as duarbosh. Ato morrën angazhimin e vendosur nga NATO-ja se do bëhen anëtare të Aleancës.
Dhe Jaap de Hoop Scheffer konfirmoi seriozitetin e këtij angazhimi:

Analisti Robin Shepherd nga Catham House për Radion Evropa e Lirë e cilëson këtë kompromis si zgjidhje që shpëtoi fytyrën e të gjitha palëve.

"Ky ishte një kompromis i paevitueshëm që duhej të ndodhte. Çdokush mund të largohej nga takimi me diçka. Amerikanët shpëtuan fytyrën pasi morrën angazhimin se këto vende do anëtarësohen një ditë në NATO dhe evropianët gjithashtu dolën të larë, pasi kjo gjë nuk ndodhi në këtë takim", thotë Shepherd.

Por përveç sukseseve në frontin e zgjerimit Shtetet e Bashkuara shënuan dhe disa fitore të tjera kyçe.
Përveç mbështetjes për planet në fushën e mbrojtjes raketore Uashingtoni morri koncensione të rëndësishme nga Rusia lidhur me Afganistanin. Edhe premtimi francez për një batalion shtesë atje, ishte fitore.

Por në horizont ka dhe një numër konfliktesh, si brenda vetë vendeve anëtare ashtu dhe mes NATO-s e Rusisë.

Putini e theksoi dhe një herë në mbyllje të takimit se ardhja e Aleancës në kufijtë e vendit të tij do merrej si kërcënim direkt ndaj Rusisë.
XS
SM
MD
LG