Ndërlidhjet

Haziri: Haradinaj dinamizon jetën politike në Kosovë


Lutfi Haziri
Lutfi Haziri

"Haradinaj kthehet si ish-kryeministër, mandati i të cilit u ndërpre padrejtësisht. Pritjet janë që skena politike të dinamizohet, stabiliteti dhe siguria në Kosovë do të jenë më të garantuara definitivisht", thotë nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haziri, si e vlerësoni përballjen e deritashme të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të atyre ndërkombëtare me sfidat e vazhdueshme në pjesën veriore dhe nëpër enklavat ku jeton komuniteti serb?

LUTFI HAZIRI
Procesi i përmbylljes së bisedave për Kosovën në kuadër të misionit të veçantë të zotit Ahtisaari, më vonë të Treshes ndërkombëtare dhe deklarata e koordiniar për pavarësi, kanë qenë prioriteti i institucioneve të Kosovës, në veçanti i Qeverisë - si lidere e koordinimit të angazhimeve.

Mendoj se edhe para, edhe dita e 17 shkurtit, si dita e deklarimit të popullit për shtet të pavarur dhe sovran, edhe gjendja pas statusit, kjo qeveri ka arritur t'i realizojë me sukses të plotë, jo vetëm në kuptimin e menaxhimit të situatës, por edhe të menaxhimit të jetës së gjithë kosovarëve, në veçanti të krijimit të akomodimit të minoriteteve dhe në veçanti të minoritetit serb gjatë kësaj faze.

Zhvillimet që kanë ndodhur si reagim i një grupi militantësh të komunitetit serb, të dirigjuara nga Beogradi, pa mëdyshje të dirigjuara nga vetë kryeministri i Serbisë, ka bërë që ato incidente të lokalizohen, të kontrollohen dhe përfundimisht të eliminohen. Shprehja e pakënaqësisë në formë paqësore, për ne ka qenë e kuptueshme, por djegia e pronës, dhunimi i pronës në dogana, vendkalime kufitare dhe në veçanti humbja e jetës së një ushtari që ka qenë pjesë e njësisë së policisë speciale nga Ukraina, kanë qenë kryesisht incidente të rënda, por roli dhe kompetencat e Qeverisë janë nënshtruar me sukses.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mendoni se do të duhej adresuar çështja e vendosjes së pushtetit të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare në veri dhe në Doganat e Kosovës, marrë parasysh se ka nisma që atje të mbetet administrata e UNMIK-ut?

LUTFI HAZIRI
Në radhë të parë, veprimi në vendosjen e rendit dhe të ligjit duhet të ndodhë nga ata që janë kompetentë; në këtë rast, një lloj kompetence gjatë fazës së tranzicionit i takon UNMIK-ut, qoftë në kuptimin e detyrimit të vendosjes së rendit, qoftë në kuptimin e asaj që në Mitrovicë u quajt aksioni për lirimin e ndërtesës së gjyqit, që u okupua nga një grup qytetarësh me direktiva të caktuara.

Rikthimi i sigurisë së plotë dhe i stabilitetit është në mandatin e tyre. Deri më 15 qershor, atë ditë kur Kushtetuta e Kosovës do të hyjë në fuqi, roli i administratës së UNMIK-ut dhe i misionit të BE-së, do qartësohet, në mënyrë që Qeveria të ushtrojë sovranitetin e vet. Por, deri në atë fazë duhet të ndodhë një koordinim i mirëfilltë mes këtyre zyrave, në mënyrë që të mos ketë konflikte të ushtrimit të detyrave apo në pamundësi të ushtrimit të detyrave të mos ketë zbrazësira që do të shkaktonin hendikepe të mëdha në funksionimin e institucioneve të vendit.

ICO është lidere e pranisë ndërkombëtare këtu, sigurisht pa e anashkaluar rolin e organizatave të tjera që do kenë mandat qoftë në fushën e sigurisë, apo të drejtësisë dhe të policisë që EULEX-i ka filluar të funksionalizohet në masë më të madhe. Por, mbi të gjitha, duhet ta kuptojnë se liderë dhe udhëheqës të qeverisjes janë institucionet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët pak më herët se disa çështje kanë mbetur nën hijen e zhvillimeve politike. Opozita kritikon qeverinë se nuk ka program dhe vizion për zhvillim ekonomik. Andaj, cili është mendimi juaj në këtë rrafsh?

LUTFI HAZIRI
Ne kemi pasur një ekspoze të kryeministrit në ditën e zgjedhjes së qeverisë. Ai ekspoze ka paraqitur kornizën e programit qeveritar; ai program pritet të vijë në Parlament në formën më përmbajtjesore për debat. Kryeministri ka paraqitur kërkesën që të debatohet për programin qeveritar.

Por, dua të besoj se arsyeja kryesore ka qenë çështja e përmbylljes së procesit të statusit dhe prioritetet që kanë dalë nga ky angazhim, që përfshijnë po ashtu edhe nevojën e domosdoshme që Kosova të paraqitet para donatorëve me kornzië të qartë dhe politika të qarta për zhvillim, që do të mbetet detyrë kryesore shumë shpejt – zhvillimi ekonomik dhe jeta më e mirë e qytetarëve të Kosovës. Deri atëherë nuk mund të them asgjë, pos që vërtet ka kaluar një kohë e gjatë; për një qeverisje të mirë duhet një program i mirë, i detajuar dhe i cili do të kërkonte nga gjithë ne që të jemi pjesë e zbatimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Tribunali i Hagës ka shpallur të pafajshëm Ramush Haradinajn. Si e shihni tani skenën politike në Kosovë, pas kthimit të Haradinajt?

LUTFI HAZIRI
Shumë më të fuqishme. Zoti Haradinaj nuk kthehet vetëm si qytetar i Kosovës, ai kthehet si ish-kryeministër, mandati i të cilit u ndërpre padrejtësisht. Në 101 ditë punë, ai ka dhënë dorëheqje, ka treguar gatishmërinë që të përballet me drejtësinë ndërkombëtare. Kthimi i tij sigurisht se është triumfalist si ish-kryeministër, si lider partie që është në Parlament dhe si njeriu që e ka fuqizuar rolin e institucioneve të Kosovës për herë të parë në qeverisjen e tij të njohur prej 100 ditësh, pritjet tona janë më të mëdha.

Pritjet janë që skena politike do të dinamizohet, stabiliteti dhe siguria në Kosovë do të jenë më të garantuara definitivisht. Duke e njohur karizmin e tij dhe potencën e tij prej një lideri politik, të qenit opozitë siç është partia e tij, sigurisht se mund të priten zhvillime interesante.
XS
SM
MD
LG