Ndërlidhjet

SHBA hap Ambasadën në Prishtinë


Pamje nga ceremonia në Ambasadën Amerikane në Prishtinë
Pamje nga ceremonia në Ambasadën Amerikane në Prishtinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës hapën sot ambasadën e tyre në Prishtinë. Shndërrimi i Zyrës Amerikane në Ambasadë është vlerësuar nga liderët kosovarë si një rast historik, që dëshmon për raportet e veçanta, që Shtetet e Bashkuara kanë me Kosovën.


Shtetet e Bashkuara të Amerikës inauguruan sot në Prishtinë ambasadën e tyre.

“Si pasojë e statusit të ri të Kosovës si vend i pavarur, i njohur nga shumë prej kombeve më të fuqishme dhe më të përparuara të botës, na është dhënë leja nga Kongresi i SHBA-ve për t'u hapur formalisht si Ambasadë e Shteteve të Bashkuara”, ka thënë e ngarkuara me punë në këtë ambasadë, Tina Kaidanow.

Përderisa Zyra e SHBA-ve në Prishtinë ka funksionuar për shumë vite me të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat e një misioni të zellshëm diplomatik, emërimi si ambasadë pasqyron një fazë të re në zhvillimin tonë dhe nënvizon përkushtimin tonë të thellë dhe të qëndrueshëm për të punuar për përparimin e Kosovës dhe popullit të saj, ka theksuar Kaidanow, në ceremoninë e hapjes së ambasadës.

“Ju sjell urimet nga niveli më i lartë i Qeverisë së SHBA-ve për këtë rast shpresëdhënës, përfshirë nga Sekretarja e Shtetit Rice, e cila dërgoi përshëndetjet e saj personale.
Është kënaqësi dhe nder të jemi këtu në Kosovë në një kohë aq të rëndësishme dhe i shprehim mirënjohjen tonë të posaçme popullit të Kosovës, i cili na ka ofruar besimin dhe bashkëpunimin e vet gjatë gjithë këtyre viteve”, është prehur Kaidanow.

Ndërkaq, presidenti Fatmir Sejdiu duke i cilësuar si marrëdhënie speciale ato mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, e ka quajtur hapjen e ambasadës si një nga momentet më të rëndësishme të këtyre marrëdhënieve. Ai ka thënë se dita e sotme është rast historik i institucionalizimit diplomatik të lidhjeve në mes të dy vendeve, që i ndajnë kontinentet, po i bashkojnë vlerat e lirisë e të demokracisë.

“Presidenti amerikan George W. Bush, në letrën e tij të njohjes së pavarësisë së Kosovës, që ma dërgonte mua, të nesërmen e shpalljes, përkujtonte 'lidhjet e thella dhe të sinqerta të miqësisë që bashkojnë njerëzit tanë'. Kjo miqësi, theksonte Presidenti Bush, 'e farkuar gjatë orëve më të errëta të tragjedisë së Kosovës, është bërë edhe më e fortë në nëntë vjetët që kur ka mbaruar lufta në Kosovë. Sot, me hapjen e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, po kurorëzohet njëra pjesë e punës për vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike në mes të Kosovës dhe SHBA-ve. Kjo do të përmbyllet me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Sejdiu.

Logo e Ambasadës Amerikane në Prishtinë
Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se avancimi nga zyra në ambasadë paraqet në ditë të veçantë për Kosovën.

“Por, dita e sotme nuk ka të bëjë vetëm me ndryshimin e këtij statusi, simbolika e kësaj ngjarjeje është evidente dhe historike. Duke avancuar statusin e deritashëm nga zyra në ambasadë të plotfuqishme dëshmohet se SHBA-të kanë besim në Kosovë. Prandaj, unë si kryeministër dhe i tërë populli i Kosovës jemi të nderuar dhe mirënjohës për këtë gjë. Edhe ne kemi besim të madh në SHBA-të. Gjithmonë i kemi çmuar dhe do t’i çmojmë marrëdhëniet tona me SHBA-të. Kosova beson në SHBA. Populli i Kosovës krenohet me miqësinë që kemi me SHBA-të”, tha kryeministri Thaçi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për herë të parë, kanë hapur një zyrë ndërlidhëse në Kosovë në vitin 1996. Ndërkaq, shteti amerikan është i pesti me radhë, që pas shpalljes së pavarësisë, hap ambasadë në Kosovë. Deri tani, ambasadat i kanë hapur Shqipëria, Britania e Madhe, Gjermania dhe Zvicra.
XS
SM
MD
LG