Ndërlidhjet

Sejdiu: Serbia nxiti ngjarjet e 17 marsit


Presidenti Fatmir Sejdiu
Presidenti Fatmir Sejdiu

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka akuzuar sot drejtpërdrejt Beogradin për implikime në pjesën veriore, cenim të sigurisë së brendshme dhe për ndihmën që i jep zhvillimit të kontrabandës në kufirin mes dy vendeve. Ai tha se do të ketë përpjekje që Kosova të prezantohet si oazë e krimit, por u shpreh i bindur se Kosova në bashkëpunim me ndërkombëtarët do t’ia dalin që të kthejnë normalitetin në gjithë territorin e vendit.


Institucionet e Kosovës janë të vendosura të vazhdojnë bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare, ngjashëm siç është vepruar edhe para shpalljes së pavarësisë, thonë udhëheqësit kosovarë.

Për presidentin Fatmir Sejdiu, pavarësia është çelësi i suksesit, por me shpalljen, nënvizoi ai, nuk janë zgjidhur të gjitha problemet në Kosovë. Gjatë një ligjërate që presidenti Fatmir Sejdiu mbajti sot para studentëve të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, ai fokusoi problemet për integrimin e një pjese të pakicës serbe në veri të Kosovës dhe pengesat që vijnë nga Beogradi. Sipas Sejdiut, ballafaqimi me këto sfida dhe zgjidhja e këtyre problemeve mund të arrihet vetëm në bashkëpunim me ndërkombëtarët.

“Do të ketë përpjekje që ta kriminalizojnë sjelljen e qytetarëve të Kosovës. Do të ketë përpjekje që Kosovën ta prezantojnë si oazë apo gjenerues të krimit në Evropën Juglindore. Prandaj, këto sfida do t’i kapërcejmë në mënyrën më të mirë të mundshme në bashkëpunim ndërkombëtar, në një integritet të garantuar nga forcat e KFOR-it, misioni i EULEX-it, NATO-s dhe institucioneve të Kosovës, si dhe UNMIK-u, për aq kohë sa do të jetë”, tha Sejdiu.

Presidenti Sejdiu tha se misioni civil i Bashkimit Evropian dhe ai i NATO-s do të jenë mbështetje për zbatimin e pakos së Ahtisaarit, në lëmin e sundimit të ligjit dhe të sigurisë.
Ai përmendi ngjarjet e 17 marsit në veri të Mitrovicës dhe implikimin e pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, si përpjekje për të destabilizuar Kosovën dhe cenuar integritetin territorial të saj.

“Ju e dini se i kanë djegur dy porta. Qendra e dirigjuesve është në Beograd. E dini po ashtu kthimin që është bërë nga ana e KFOR-it. Ka probleme me kontrabandë në aspektin e doganave, do të shkohet në lëvizje të koordinuar dhe besoj se gradualisht do të ketë një kthim në vete apo kah vetvetja”, tha Sejdiu.

Problemet e Kosovës, shtoi Sejdiu, nuk janë vetëm të natyrës politike. Konferenca e donatorëve në qershor, sipas presidentit Sejdiu, është mundësi e mirë për tërheqjen e investimeve kapitale për të cilat Kosova ka shumë nevojë.

Kryeministri Hashim Thçi
Po ashtu, edhe kryeministri Hashim Thaçi, pas një takimi që zhvilloi me ambasadorin gjerman në Prishtinë, Hans Diter Shtajnbah,
shprehu besimin e tij se institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me ndërkombëtarët, do të përmbyllin me sukses fazën e tranzicionit dhe që nga mesi i muajit qershor do të marrin mbi vete shumë më tepër përgjegjësi, të cilat me vite i ka ushtruar UNMIK-u.

“Jemi duke punuar të gjithë bashkërisht, edhe autoritetet e OKB-së, edhe autoriteti i ri civil ndërkombëtar, edhe institucionet e Kosovës - e kemi të njëjtin qëllim. Tash po nxjerrim edhe Kushtetutën e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës dhe dua të besoj fuqishëm se i gjithë procesi do të shkojë sipas agjendës së planifikuar”, theksoi Thaçi.

Bashkëpunimi i Kosovës me ndërkombëtarët, sidomos me Uashingtonin dhe Brukselin, në planin e jashtëm politik dhe me praninë civile e ndërkombëtare ushtarake në Kosovë, nga ana e lidershipit të Kosovës konsiderohet si i domosdoshëm për ballafaqimin me sfidat e sigurisë, por edhe me ato të rimëkëmbjes dhe zhvillimit ekonomik. Presidenti Sejdiu tha se pavarësia ishte qëllimi dhe angazhimi i kamotshëm i Kosovës, por, siç tha ai, ajo nuk është parajsë dhe se tash Kosovës i duhet edhe zhvillimi ekonomik.
XS
SM
MD
LG