Ndërlidhjet

Pishtari Olimpik përcillet me protesta

  • Breffni O'Rourke

Paris: Protesta kundër Olimpiadës në Kinë

Paris: Protesta kundër Olimpiadës në Kinë

Pishtari Olimpik, i cili është simbol i miqësisë ndërmjet popujve, ditëve të fundit ka qenë shkaktar i përplasjeve në rrugët e Athinës, Parisit dhe Londrës


Pishtari Olimpik, mishërimi i frymës së miqësisë ndërmjet popujve, ka filluar të bëhet objekt i përplasjeve të rrugëve. Këtë javë, në Londër dhe Paris, demonstruesit anti-kinezë e trazuan rrugëtimin e pishtarit nëpër botë duke protestuar kundër trajtimit që Kina i bën Tibetit, kështu që udhëtimi i pishtarit u shoqërua me mosmarrëveshje.

Protesta edhe më të mëdha priten edhe në qytetin perëndimor amerikan San Francisco, ndalesën e radhës për Pishtarin Olimpik.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar po e shqyrton idenë që të ndërpritet rrugëtimi i pishtarit nëpër botë.

"Tibeti i lirë. Poshtë Kina komuniste. Tibeti i Lirë. Poshtë kinezët"....

Këto ishin brohoritjet që u dëgjuan në Paris ndërsa pishtari olimpik po kalonte nëpër rrugët e kryeqytetit francez. Pishtari në fund e kompletoi rrugëtimin, përkundër pengesave të mëdha që hasi gjatë rrugës. Por protestuesit ia dolën që demonstratat pro-tibetianëve të zënë vendin kryesor në edicionet e lajmeve në mbarë botën.

Protestat pritet të vazhdojnë të mërkurën edhe në San Francisco, ku kryebashkiaku Gavin Newson tha se pret trazira, dhe paralajmëroi mundësinë që pishtari të ndryshojë itinerarin, në mënyrë që të shmangë përplasjen me protestuesit.

Kina është poshtëruar thellë nga ngjarjet kaotike, që i paraprijnë lojërave olimpike. Por autoritetet thonë se do të ecin përpara pavarësisht se çka do të ndodhë.

Kryetari i Komitetit të Lojërave Olimpike në Pekin Wang Hui e ngriti zërin të hënën në një konferencë për shtyp.

"Ne e shprehim dënimin tonë të ashpër ndaj atyre disa separatistëve, që përpiqen të sabotojnë dhe të prishin rrugëtimin e pishtarit olimpik. Flaka Olimpike u përket njerëzve në mbarë botën, kështu që sjellja e një grushti separatistësh nuk do të fitojë simpatinë e njerëzve. Ajo do të kritikohet dhe është e destinuar të dështojë", tha Hui.

Por Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, i befasuar nga ashpërsia e demonstrave nuk është kaq i sigurtë. Bordi ekzekutiv i komitetit do të mblidhet të enjten në Pekin, ndërsa nënkryetarja e organizatës, Gunilla Lindberg, nuke përjashton mundësinë që në takim të diskutohet ndërprerja e rrugëtimit të mëtejmë të pishtarit.

Flaka olimpike duhet të kalojë edhe në më shumë se dhjetë vende, madje është paraparë të kalojë edhe në kryeqytetin e Tibetit, Lhasa, i cili muajin e kaluar ishte arenë e protestave anti-kineze.

Anëtari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Alex Gilady, nënvizoi se pishtari nuk e përfaqëson Kinën por tërë lëvizjen olimpike.
"Jam shumë i zhgënjyer nga paaftësia e forcave të sigurisë për ta kontrolluar pishtarin, dhe jam i pikëlluar që demonstruesit e shohin atë si pishtar kinez, ndërkohë që ai është pishtar i Komitetit Olimpik. Prandaj kjo nuk na bën të ndihemi të lumtur", tha Gilady.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG