Ndërlidhjet

logo-print

Kosova fiton Kushtetutën


Deputetët e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, ka miratuar të merkuren unanimisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Akti i miratimit të Kushtetutës nga udhëheqësit kosovarë dhe deputetët, është cilësuar si historik, që pason shpalljen e pavarësisë së Kosovës.


Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, ka miratuar të merkuren unanimisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Nga 120 deputetët e Kuvendit, në seancë kanë marrë pjesë 107 prej tyre, të cilët e kanë miratuar aktin më të lartë juridik me aklamacion. Akti i miratimit të Kushtetutës nga udhëheqësit kosovarë dhe deputetët, është cilësuar si historik, që pason shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Në elaborimin e tij para Kuvendit, presidenti Fatmir Sejdiu tha se miratimi i Kushtetutës mund të quhet edhe si përmbyllje e procesit shtetndërtues të Kosovës dhe, në të njëjtën kohë, mund të konsiderohet edhe si bazament i qëndrueshëm formal e juridik, që e fut Kosovën në një rrafsh të ri të zhvillimeve shtetërore, politike dhe juridike. Akti më i lartë juridik në Kosovë, shtoi Sejdiu, është në përputhje me vullnetin e shumicës, por garanton dhe respekton plotësisht edhe të drejtat e komuniteteve pakicë.

“Garancitë e dhëna për pozitën e komuniteteve pakicë shprehin po kështu qëndrimin e qartë të institucioneve të Kosovës për zbatimin e tyre në jetën praktike, si pjesë e dëshmisë dhe e përkushtimit të qytetarëve të shumicës, por edhe vetë institucioneve
për ndërtimin e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur, si atdhe i të gjithë qytetarëve pa dallim etnie”, tha Sejdiu.

Me miratimin e Kushtetutës dhe ligjeve bazike shtetërore, Kosova krijon baza të funksionimit të saj si shtet, siguron një ekonomi tregu dhe hap rrugën e integrimit të saj në strukturat euro-atlantike, tha presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi në seancën e miratimit të Kushtetutës, 9 prill 2008
Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi tha se nxjerrja e Kushtetutës përbën vulën e shtetit të Kosovës. Ai shprehu bindjen e vet se kjo Kushtetutë do ta mbajë vendin dhe qytetarët të bashkuar, duke besuar se ajo vë barazinë dhe garanton se në Kosovë nuk bëhen dallime as në vija kombëtare, racore apo fetare. Thaçi tha se ky akt historik është pjesë e shtetbërjes së Kosovës, si një vend demokratik dhe sovran.

“Kushtetuta jonë nuk është imitim i formave tjera të qeverisjes. Kjo Kushtetutë është vetë evoluimi i historisë sonë të përbashkët. Kushtetuta jonë e përcakton qartë shpresën, optimizmin, besimin dhe të drejtat tona, të cilat ne fuqimisht i mbështesim dhe të cilat na mbajnë të bashkuar”, tha Hashim Thaçi.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se me Kushtetutën e miratuar sot, Kosova po realizon vullnetin dhe aspiratën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Ai tha se ky akt juridik krijon një bazë të mirë për mbrojtje kushtetuese e ligjore për pakicat, mbi bazat e standardeve më të avancuara evropiane.

“Demokracia jonë kushtetuese siguron qeverisjen e popullit nëpërmjet përfaqësuesve të tij të zgjedhur, përcakton qartë kompetencat institucionale dhe u garanton të gjithë qytetarëve të Republikës, pa asnjë dallim, të drejtat themelore dhe barazinë para ligjit”, theksoi Krasniqi.

Kryetari i Komisioni Kushtetues, Hajredin Kuçi, tha se Kushtetuta e Kosovës është hartuar mbi bazën e vullnetit të popullit të saj për pavarësi, respekton dispozitat e marrëveshjes për statusin, përkatësisht të pakos së Ahtisaarit.

Ky akt juridik e definon Kosovën si një shtet qytetar, me shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, si dhe e definon Kosovën si një shtet laik. Kushtetuta e Kosovës është certifikuar edhe nga shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith. Sidoqoftë, si Kushtetuta, ashtu edhe ligjet e pakos së Ahtisaarit, hyjnë në fuqi pas 15 qershorit, kur edhe përfundon faza e tranzicionit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG