Ndërlidhjet

"E veçanta e Kushtetutës qëndron në thjeshtësinë dhe kuptueshmërinë; është e shkurtër, ka 160 nene përafërsisht dhe ka një qartësi të madhe të balancit të pushteteve", thotë Eqrem Kryeziu, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kryeziu, Kuvendi i Kosovës sot miratoi Kushtetutën e Kosovës. Si e vlerësoni ju atë dhe çka e bën të veçantë këtë Kushtetutë?

EQREM KRYEZIU
Unë besoj se është një ngjarje shumë e rëndësishme për Kosovën, sepse sot u miratua ligji themelor që e rregullon jetën shoqërore dhe politike në vend. Unë besoj se është një ndër kushtetutat më moderne që ekzistojnë sot; kjo edhe për faktin se kemi shfrytëzuar trendet bashkëkohore, e kam fjalën te korpusi i lirive dhe i të drejtave të njeriut, por edhe të komuniteteve, si dhe natyrisht përvojën e kushtetutave më në zë të shteteve të përparuara. Për këtë arsye them se Kushtetuta e Kosovës është një vepër me të cilën duhet krenuar.

E veçanta e saj, ndër të tjera, qëndron në atë se është mjaft e thjeshtë, e kuptueshme, është e shkurtër, ka 160 nene përafërsisht dhe, nga ana tjetër, ka një qartësi të madhe të balancit të pushteteve dhe të lirive e të drejtave të njeriut, që bazohet në ekonominë e lirë të tregut, në gëzimin e lirive politike, religjioze, duke nënvizuar se sipas Kushtetutës, Kosova është shtet laik. Domethënë, e respekton besimin e njerëzve, pa marrë parasysh se cilit besim i takojnë, por në fakt është shtet laik. Këtë e kemi theksuar me kënaqësi ne, si anëtarë të Komisionit Kushtetues, sepse vetëm koncepti laik i pushtetit dhe i shtetit garanton progres shoqëror.

RADIO EVROPA E LIRË
Njëra ndër sfidat që institucionet e Kosovës po përballen pas shpalljes së pavarësisë është Mitrovica. Serbia vazhdon të insistojë në atë që ata e quajnë ndarje funksionale të Kosovës midis shqiptarëve dhe serbëve. Si i shihni ju këto plane?

EQREM KRYEZIU
Për fat të keq, Serbia ende nuk ka mundësi të lirohet nga mitet e vjetra dhe nga politika 'kfazi nacionaliste' dhe këto gjëra, në njëfarë forme, edhe janë pritur.

Unë besoj se vendosmëria jo vetëm e kosovarëve, por edhe e bashkësisë ndërkombëtare është që tërësia e Kosovës është një dhe pikërisht edhe Kushtetuta, sot e miratuar, e garanton këtë gjë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kryeziu, në bazë të pakos së Ahtisaarit parashihet që zgjedhjet e reja të mbahen pas nëntë muajsh. Madje, partitë opozitare kanë filluar t'i përmendin ato që tani. Do ketë zgjedhje të reja apo jo?

EQREM KRYEZIU
Struktura demokratike, çfarë shpresojmë dhe unë të paktën besoj se është Qeveria e Kosovës dhe Parlamenti, nuk do të duhej frikësuar nga zgjedhjet, cilatdo qofshin ato. Por, nga ana tjetër, kur presidenti Ahtisaari projektoi zgjedhje të reja, ajo ishte para një viti e gjysmë, dhe në fakt u mbajtën në nëntorin që shkoi. Do të thotë, nëse kundrohet me vëmendje rekomandimi i Ahtisaarit, që nuk është normë kushtetuese, rekomandimi veç është kryer, por varet prej zhvillimeve, efikasitetit të kësaj qeveriëe.

Nëse kjo qeveri tregon performansë si duhet, atëherë ka mandatin katërvjeçar, githashtu me vendim të autoritetit të Kombeve të Bashkuara. Nëse jo, unë ju siguroj se nëse kualifikimet politike janë se nuk funksionon si duhet kjo qeveri, nuk është pra në nivelin e detyrës me themelet e shëndosha të shtetit më të ri në Evropë dhe në botë, atëherë natyrisht se mund të ketë zgjedhje të reja, por ky është vlerësim politik, e jo një rekomandim që ka forcën e dispozitës ligjore.

RADIO EVROPA E LIRË
Edhe me kushtetutën e re, presidenti nuk duhet të mbajë post tjetër politik. A do të ketë zgjedhje edhe brenda LDK-së?

EQREM KRYEZIU
Unë besoj se edhe kryetari, jo vetëm që e obligon Kushtetuta, por ai më së miri e kupton ligjërimin kushtetues, sigurisht se do t'i nënshtrohet dispozitave kushtetuese. Se a do të ketë forma të tjera, do të thotë mund të thiret Kuvendi ose Këshilli i Përgjithshëm dhe të japë një solucion, kjo do të duhej biseduar.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur jemi te zhvillimet e skenës politike në Kosovë, Tribunali i Hagës ka shpallur të pafajshëm Ramush Haradinajn, i cili tashmë i është kthyer jetës publike. Si e shihni skenën politike pas kthimit të tij?

EQREM KRYEZIU
Më lejoni të shpreh kënaqësinë time që zoti Haradinaj është liruar nga të gjitha akuzat; këtë kënaqësi e kam shprehur edhe në raste të tjera natyrisht.

Në këtë rast, mendoj se do të jetë një pasuri e skenës politike të Kosovës prania dhe veprimtaria e tij tashmë e lirë politike në Kosovë. Duke e ditur se zoti Ramush Haradinaj është një njeri energjik, unë besoj se do t'i kontribuojë skenës politike të Kosovës.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG