Ndërlidhjet

Ki-Moon: Kthimi i status quo-s në Kosovë, i pamundur


Dimitry Medvedev dhe Ban Ki-Moon gjatë takimit të tyre në Moskë, 9 prill 2008
Dimitry Medvedev dhe Ban Ki-Moon gjatë takimit të tyre në Moskë, 9 prill 2008

Rusia ndihet e anashkaluar në çështjet ndërkombëtare, pasi SHBA-të dhe Britania nuk e përfshijnë Këshillin e Sigurimit në marrjen e vendimeve të rëndësishme, mes të cilave janë edhe pavarësia e Kosovës, apo ndërhyrja ushtarake në Irak.



Gjatë vizitës së tij treditore në Rusi, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, po diskuton mbi problemet që paraqesin shqetësim si për Moskën, ashtu dhe për organizatën botërore.

Para së gjithash, është Kosova, pas shpalljes së pavarësisë nga Prishtina. Shteti më i ri në botë kërkon të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara, por Rusia e ka bërë të qartë se nuk do ta lejojë një gjë të tillë të ndodhë. Rusia është anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje.

Gjatë bisedimeve me Ban Ki Moon, presidenti i sapozgjedhur i Rusisë, i cili e merr detyrën në muajin maj, Dimitri Medvedev, e ngriti çështjen e Kosovës, duke thënë se disa vende kanë lejuar që mbështetja e tyre për Prishtinën të ndikojë në standardet e veprimit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

"Ne mendojmë se nuk ka vend për biseda krize apo probleme të tilla në Kombet e Bashkuara. Në të kundërtën, gjithë organizata botërore duhet të bëjë gjithçka që është e mundur, që të mbështesë këtë platformë universale për bashkrendimin e interesave të tyre. Çdo përpjekje për të zgjidhur problemet ndërkombëtare, duke shkelur rezolutat e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht në rastin e Kosovës, apo probleme të tjera aktuale, janë kundërproduktive dhe për fat të keq nuk i ndihmojnë arritjes së paqes dhe stabilitetit në botë", tha Medvedev.

Moska ka vënë në pikëpyetje paanësinë e Ban Ki Moon-it rreth Kosovës dhe beson se interpretimi i tij i Rezolutës 1244 favorizon perëndimin.

Ban Ki Moon iu përgjigj kritikave duke thënë para gazetarëve se kishte ardhur në Moskë "për të marrë mbështetje dhe jo kritika".

"Është e rëndësishme t'i qasemi çështjes duke e kuptuar faktin se kthimi i Kosovës në gjendjen e status quo-së është i pamundur dhe jopraktik", tha Ban Ki Moon në përgjigje të qëndrimit rus për Kosovën.
Më tej ai shtoi se "është e nevojshme të kërkohen rrugët që na nxjerin nga kjo situatë e komplikuar".

Çështja e Kosovës në Moskë ka ngritur pyetje rreth rolit të Këshillit të Sigurimit, i cili i jep fuqi të mëdha vendimmarrëse dhe vendimbllokuese një grupi të vogël shtetesh, përfshirë vetë Rusinë.

Jevgeni Volk, drejtor i Fondacionit Heritage, zyra në Moskë, lidhur me këtë debat për Radion Evropa e Lirë thotë:

"Natyrisht, Rusia është e interesuar të rrisë fuqinë e Këshillit të Sigurimit, në mënyrë që të rrisë pushtetin e saj me veto apo të kërcënojë me përdorimin e vetos për t'i bërë të qarta qëndrimet e veta", tha Volk.

Më tej, ai shton se Rusia ndihet e anashkaluar në çështjet ndërkombëtare, pasi vende si Shtetet e Bashkuara dhe Britania nuk e përfshijnë Këshillin e Sigurimit në marrjen e vendimeve të rëndësishme, mes të cilave janë edhe pavarësia e Kosovës, apo ndërhyrja ushtarake në Irak.

Vitet e fundit kanë treguar në praktikë se vendet perëndimore, të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, duke ditur qëndrimin e Rusisë në një numër çështjesh ndërkombëtare, i kanë marrë vendimet duke e anashkaluar Këshillin e Sigurimit. Ato i kanë marrë vendimet e tilla në kuadër të strukturave të tjera, si NATO-ja apo Bashkimi Evropian, siç ndodhi në rastin e Kosovës. Në këtë mënyrë, ata kanë arritur të kufizojnë rolin e Këshillit të Sigurimit, e në këtë kuptim të injorojnë pozicionin e Rusisë në shumë çështje kyçe", thotë Volk, për Radion Evropa e Lirë.

Duke komentuar vizitën e Ban Ki Moon-it në Moskë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse, Mihail Kaminin, tha se vendi duhet të ketë rol më të madh në strukturat qeverisëse të Kombeve të Bashkuara.

Të tjera tema diskutimi gjatë takimeve të Ban Ki Moon-it në Moskë do jenë edhe programet bërthamore të Iranit, situata në rajonin e Darfurit, si dhe procesi i paqes në Lindjen e Mesme.
XS
SM
MD
LG