Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK: Zgjedhjet lokale serbe në Kosovë - të paligjshme


Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Administrata e Kombeve të Bashkuara ka pohuar sot se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë shkel Rezolutën 1244. Këtë qëndrim, UNMIK-u zyrtarisht do t'ia paraqesë Qeverisë serbe deri në fundjavë. Institucionet e Kosovës ende nuk kanë marrë ndonjë qëndrim të prerë ndaj zgjedhjeve serbe të 11 majit. Por, disa deputetë nga pozita dhe opozita i konsiderojnë ato si ndërhyrje në sistemin kushtetues të Kosovës.


UNMIK-u deklaron se mbajtja e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë paraqet shkelje të Rezolutës 1244. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko, ka thënë sot se ky qëndrim do t'i paraqitet zyrtarisht deri në fundjavë Serbisë.

Ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, ka kërkuar nga UNMIK-u mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në vendbanimet serbe në Kosovë, përderisa deri tani, UNMIK-u nuk kishte marrë ndonjë vendim.

"Ne jemi duke e përgatitur një përgjigje ndaj letrës së ministrit Samarxhiq. Ne do të qartësojmë se nëse Serbia vendos t'i organizojë zgjedhjet lokale edhe në Kosovë, kjo paraqet shkelje të Rezolutës 1244 dhe nuk do të kenë kurrfarë validiteti ligjor", tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko.

Ai ka thënë se një qëndrim të tillë e mban edhe Grupi i Kontaktit.

"Është pikëpamje e përgjithshme edhe e gjithë anëtarëve të Grupit të Kontaktit se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe paraqet shkelje të Rezolutës 1244. Tani, ne duhet t'ia kthejmë letrën ministrit Samarxhiq dhe të presim reagimin e Beogradit ndaj këtij qëndrimi", tha zëdhënësi Aleksandër Ivanko, i cili ka pohuar se sa i përket zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, UNMIK-u do të mbajë qëndrimin e mëparshëm - as nuk i përkrah e as nuk e ndihmon mbajtjen e tyre.

Politikanët e Serbisë tashmë kanë nisur fushatën parazgjedhore për zgjedhjet lokale dhe parlamentare të 11 majit në vendbanimet serbe në Kosovë. Institucionet e Kosovës ende nuk kanë dalë me një qëndrim të qartë ndaj këtyre zgjedhjeve. Sidoqoftë, disa zyrtarë të Qeverisë e të Kuvendit të Kosovës kundërshtojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe të të dyja niveleve në Kosovë.

Njëri nga hartuesit e Kushtetutës, e cila u miratua sot në Kuvend, Arsim Bajrami, thotë se organizimi i zgjedhjeve serbe në Kosovë, përveç shkeljeve të dokumenteve tjera, me të cilat administrohet Kosova, paraqet edhe shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

"Sa i përket zgjedhjeve lokale, në funksion të pakos së Ahtisaarit, ato janë çështje e brendshme e Republikës së Kosovës. Në raport me zgjedhjet serbe, që pretendohet të mbahen në Kosovë, ato paraqesin një veprim plotësisht antikushtetues, ato cenojnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, sepse në Republikën e Kosovës mund të mbahen vetëm dy lloj zgjedhjesh - zgjedhjet nacionale për Parlamentin e Kosovës dhe në të ardhmen zgjedhjet për Parlamentin Evropian", tha Arsim Bajrami, njëherësh edhe ministër i Shërbimeve Publike.

Përfaqësuesi i lartë për siguri dhe politikë të jashtme i BE-së, Javier Solana, është cituar të ketë thënë se zgjedhjet serbe do të mbahen edhe në veriun e Kosovës.

Deputeti opozitar nga AAK-ja, Ahmet Isufi, kundërshton në mënyrë kategorike organizimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë.
"Kosova tani është shtet i pavarur, sovran dhe i pranuar ndërkombëtarisht nga shumë shtete. Mbajtja e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës është cenim i identitetit të Kosovës, prandaj kjo nuk duhet të tolerohet, sepse cenon edhe vlerën që ka sot Kosova. Qytetarët serbë të Kosovës, nëse duan të kenë dyshtetësinë, mund të shkojnë në Serbi të votojnë, e kanë të drejtën e tyre. Por, jo në territorin e një shteti të mbahen zgjedhjet e një shteti tjetër, sepse ky është paradoks dhe nuk i shkon në favor as angazhimit të bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën", tha Ahmet Isufi.

Sidooqftë, administrata ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara thotë se edhe më tej ajo mbetet i vetmi autoritet për të organizuar zgjedhjet dhe për t'i certifikuar ato. Në rast të mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, ato nuk certifikohen nga UNMIK-u, rrjedhimisht, sipas Ivankos, janë jovalide.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG