Ndërlidhjet

logo-print

"Maqedonia do njohë shpejt Kosovën"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

ZËRI
Sipas Moskës zyrtare, "është fare e qartë që një pjesë e popullatës së Kosovës, e cila nuk e pranon pavarësinë e vetëshpallur, nuk do ta pranojë as rregullimin kushtetues të Kosovës" dhe "si rezultat, situata do të ashpërsohet edhe më shumë". Pas miratimit të Kushtetutës së Kosovës nga deputetët e Kuvendit të Republikes së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse ka dalë me një deklaratë, në të cilën thuhet se "kjo është përpjekje e dhënies së bazës së rreme juridike për pavarësinë e shpallur". "Kushtetuta e Kosovës paraqet përpjekjen që pavarësia e vetëshpallur e Kosovës të argumentohet me bazë pseudojuridike dhe është vazhdim i politikës separatiste të Prishtinës dhe të mbikëqyrësve të tyre, e cila është në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare", ka vlerësuar Moska zyrtare...

KOHA DITORE

Ajo që është dëgjuar shpesh nga disa burime të afërta për Tribunalin e Hagës dhe për punën e kryeprokurores së mëparshme, Carla del Ponte, dhe joprofesionalizimin e saj në procesin e ngritjes së aktakuzave, është thënë tash edhe publikisht nga njëri ndër ish-bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë, Sir Geoffrey Nice. Ky ish-prokuror, që ka udhëhequr edhe procesin më të rëndësishëm në Tribunalin e Hagës, atë kundër ish-diktatorit serb, Slobodan Milosheviq, pas shpalljes së pafajësisë së ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ia ka dërguar një letër gazetës kroate "Jutarnji list" dhe të njejtën ia ka dhënë në dispozicion edhe "Kohës Ditore", ku nxjerr disa parregullsi për rastin Haradinaj dhe për mënyrën se si Del Ponte, përkundër këshillave të prokurorëve të tjerë, ka insistuar që Haradinaj të akuzohet. Duke shtuar se "nuk ka dijeni lidhur me dëshmitë e Prokurorisë e as qëndrim rreth verdiktit", Geofrey Nice shkruan se "Haradinaj ishte akuzuar përkundër këshillave të së paku tre juristëve me përvojë në punët e Prokurorisë, se nuk ka dëshmi të mjaftueshme për aktakuzë. Së paku njëri prej tyre i kishte shkruar një memorandum të gjatë Del Pontes, duke konstatuar se pse ai ndien se nuk ka mundësi për ta bërë draftin e aktakuzës...

NACIONAL

Institucionet e Republikës së Kosovës duket se nuk po e çajnë kokën per gjërat e ndjeshme për vendin. "Qeveria e pavarësisë së Kosovës", siç preferon të thotë kryeministri Thaçi, duket se nuk mund të pengojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në veri të Mitrovicës, prandaj edhe hesht. Në vend se të dalë me një deklaratë për të mbrojtur qëndrimet e mëhershme se nuk do të lejojnë që Kosova të bëhet vend fushatash për askënd që nuk është banor i saj, kryeministri Thaçi dhe presidenti Sejdiu nuk flasin. Ata janë të prirë të flasin në çdo vend për mbrojtjen e pakicave serbe, madje edhe nëpër akademi përkujtimore për dëshmorët, por, më së paku për ta mbrojtur territorin e Kosovës...

EPOKA E RE
Bartësi i listës zgjedhore të koalicionit "Partia Demokratike e Serbisë (DSS)--Nova Serbia (NS)", dhe kryetari aktual i Qeverisë teknike, Vojislav Koshtunica, vazhdon ta ashpërsojë retorikën kundër Partisë Demokratike (DS) të presidentit Tadiq, partner i deridjeshëm i koalicionit qeveritar, me konstatimin se koalicionit të tubuar rreth DS nuk i duhet lejuar që ta nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, sepse me këtë do të shkruhej pavarësia e Kosovës. Ai ka thënë se zgjedhjet e ardhshme janë të rëndësishme edhe si zgjedhje për mbrojtjen e Serbisë, edhe për mbrojtjen e Kosovës...

INFOPRESS
Materializimi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës kishte mbetur veprimi më i rëndësishëm i institucioneve të Kosovës që nga dita e shpalijes së saj. Hartimi i aktit më të lartë juridik të Kosovës, Kushtetutës së saj, dhe miratimi në Kuvendin e Kosovës, padyshim që shënon hapin më të madh të rëndësishëm në periudhën e pas 17 shkurtit, duke i përcaktuar Kosovës kornizat e funksionimit shtetëror dhe jetës qytetare në përgjithësi. Rreguliimi i rendit shtëpiak të shtetit të Kosovës ishte njëri nga fokusimet kryesore të institucioneve të vendit, i cili domosdo nuk guxonte të vonohej. Për më tepër, s'mund të bëhej dosido. "Këshillimet" ndërkombëtare në përmbajtjen e saj natyrisht që ishin evidente, por ç'është më e rëndësishmja, aty është i shprehur vullneti i popullit të Kosovës, i proklamuar në dy dekadat e fundit. Gjatë fazës së debatimit me qytetarë, njëri nga hartuesit e Kushtetutës, duke u përgjigjur në pyetje të tyre, kishte thënë se deri tani në Kosovë ishin hartuar kushtetuta që favorizonin një etni të caktuar, ndërsa diskriminonin një tjetër. Këtë radhë, sipas tij, Kosova po bënte kushtetutë për të gjithë qytetarët e saj...

EXPRESS
Një rikonfigurim në skenën politike në vend po përflitej me të madhe teksa pritej ardhja e Ramush Haradinajt pas lirimit nga Tribunali i Hagës. Frika për kalimet e njerëzve në radhët e AAK-së pas kthimit të Haradinajt ishte ngritur në disa nga partitë politike e sidomos në Lidhjen Demokratike të Kosovës, nga e cila besohej se ish-kryeministri mund ta merrte një kontingjent të deputetëve, pasi ajo po përballet me rryma të ndryshme të brendshme. Disa deputetë nga radhët e PDK-së dhe LDK-së, që kanë lënë në opozitë AAK-në, kanë manifestuar fuqishëm ndjenjat ndaj lirimit të Haradinajt, duke shtuar dyshimet se rreshtimi përkrah ish-komandantit të UÇK-së tashmë ishte ngjarje e afërt. Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, kishte udhëtuar në Hagë për t'u solidarizuar me Haradinajn në ditën e verdiktit dhe kishte dhënë një deklaratë edhe në RTK. Haki Shatri i LDK-së, ministër Ekonomie në Qeverinë Haradinaj, kishte dalë në Aeroportin e Prishtinës për ta pritur atë pas lirimit...

BOTA SOT
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Koso-vës (LDK), në mbledhjen e rregullt ka biseduar për përgatitjen për ta thirrur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë. Nënkryetari i parë i LDK së, Eqrem Kryeziu, tha se Kryesia e LDK-së ka biseduar sot për përgatitjet për të thirrur Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së. "Ne, deri më tani, me qëllim e kemi zvarritur këtë punë, derisa të kalonin zhvillimet e vrullshme dhe shumë të rëndësishme, siç ishte Deklarata e Pavarësisë dhe sot Kushtetuta e Kosovës", tha Kryeziu, duke mos caktuar kohën e mbajtjes së kësaj mbledhjeje...

LAJM
Melihate Tërmkolli po qëndronte ulur në karrigen e saj të deputetes, kur të tjerët ishin ngritur në këmbë për ta miratuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Deputetja e LDK-së nuk u ngrit fare për ta duartrokitur këtë dokument, i cili po merrte formën zyrtare përmes aklamacionit. Qëndrimi ulur ishte mënyra e saj për ta kundërshtuar procedurën e votimit të një dokumenti shumë të rendësishëm për Kosovën. "Ajo çka bëri Parlamenti është një punë që nuk mund të paramendohet nga një kuvend normal", tha Tërmkolli per "Lajm". Kjo formë e miratimit, pa të drejtë fjale të deputetëve, sipas Tërmkollit, u shkon sistemeve totalitare. Një formë të tillë të votimit, Tërmkolli thotë të ketë ndodhur vetëm në vitin 1945, kur është aneksuar Kosova...

KOSOVA SOT
Pavarësia e Kosovës do të njihet shumë shpejt nga Maqedonia - kështu deklaroi në Prishtinë kryetari i PDSH-së së Maqedonisë, Menduh Thaçi, pas takimit me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj. Në këtë takim u bisedua për vazhdimin e bashkëpunimit që kanë këto dy parti në të mirë të ndërsjelltë. Thaçi tha se nuk ka çështje kontestuese në aspektin politik dhe institucional të Maqedonisë per mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. "Nuk ekziston në Maqedoni asnjë forcë politike serioze dhe asnjë institution, i cili i kundërvihet vullnetit definitiv politik të Qeverisë së Maqedonisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia është punë e kryer. Plani i Ahtisaarit është pranuar nga ana e Qeverisë së Maqedonisë, edhe Kosova do të njihet shumë shpejt...", tha Thaçi...
XS
SM
MD
LG